E Diel, 1 Nëntor 2026

Turqit e Medresesë, klientë prostitutash

Tri prostituta janë arrestuar dje, pasi janë kapur duke ushtruar profesionin e tyre të paligjshëm në një hotel të Tiranës. Por, çudia ka shkuar më tej, kur policia ka zbuluar se klientët e dy prej tyre, të cilët janë kapur në flagrancë, ishin turq dhe qëndronin përkohësisht te Medreseja.

Burimet policore bënë të ditur se dy nga prostitutat u kapën në një hotel në rrugën "Siri Kodra" dhe për shërbimin ishin paguar me 5-6 mijë lekë. Burimet policore shpjeguan se në pranga përfunduan Violeta G. dhe Bukuroshe A. Sipas të dhënave hetimore, policia kishte marrë informacion se dy femra po ushtronin aktivitetin e paligjshëm në një hotel dhe menjëherë shërbimet e policisë kanë marrë një urdhër kontrolli për gjetjen e tyre. Kështu, rreth orës 15:30, në rrugën "Siri Kodra", Violeta G., 34 vjeçe, u kap duke kryer marrëdhënie seksuale me shtetasin turk H. Y. Ai është marrë në pyetje nga policia dhe ka treguar se për këtë shërbim kishte paguar 6 mijë lekë. Kontrolli i policisë ka vijuar më tej në hotel dhe në një kat tjetër është gjetur një edhe një prostitutë. Sipas policisë, rreth 30 minuta më vonë, u gjet edhe Bukuroshe A., 38 vjeçe, e cila u kap në flagrancë me shtetasin turk O. U. Edhe ky person njihej me klientin tjetër, por kishte paguar njëmijë lekë më pak. Pas deklaratave të bëra në polici dy turqit, që treguan se qëndronin përkohësisht te Medreseja, janë lënë të lirë. Ndërsa dy prostitutat janë arrestuar për veprën penale të "ushtrimit të prostitucionit". Policia shpjegoi se në pyetje u mor edhe pronari i hotelit ku ato u kapën, por nga verifikimet e bëra rezultoi se ai nuk kishte dijeni për këto raste. Grupi hetimor mori në pyetje edhe dy të arrestuarat, për aktivitetin e tyre të paligjshëm. Ato shpjeguan për uniformat blu se e kryenin këtë aktivitet prej kohësh, pasi ishin në gjendje të keqe ekonomike. Më tej, ato sqaruan se kishin kërkuar edhe punë të tjera, por nuk kishin gjetur. Në këto kushte, ato detajuan gjithë mekanizmin e prostitucionit dhe rrëfyen çmimet që merrnin për klient.

Ndërkaq, policia shpjegoi se dje pasdite ka arrestuar edhe një tjetër prostitutë. Sipas informacioneve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, antitrafiku kreu arrestimin në flagrancë të shtetases Marie K., 40 vjeçe, e divorcuar dhe e dënuar më parë për ushtrim prostitucioni. Arrestimi i saj u bë pasi në orën 11:30 u kap në flagrancë në një hotel në rrugën "Selaudin Zorba", duke kryer marrëdhënie seksuale me një shtetas kundrejt shumës 1200 lekë. Policia tha se për të gjitha rastet u kryen veprimet procedurale dhe materialet do t‘i kalojnë prokurorisë, për veprën penale të "ushtrimit të prostitucionit".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›