Qafë-Dardhë, diskutohet shpërngulja e krejt fshatit
Si sot një vit më parë përsëritet e njëjta dukuri në fshatin Qafë-Dardhë të Komunës së Polisit në Rrethin e Librazhdit. Rrëshqitja masive e tokës ka tromaksur së paku tri fshatra, por më e frikshme në fshatin Qafë-Dardhë. Banorët qëndrojnë me sytë nga mali i Polisit dhe për më tepër, nga një "mal" dherash dhe gurësh që lëviz ngadalë natën e ditën. Në lagjen e poshtme, ku të moshuarit thonë se i ka zënë mallkimi i fshatit të Polis-Gostimë për ndërprerjen e ujit të pijshëm, tashmë toka është çarë dhe secila nga 35 shtëpitë pret radhën e shembjes. Kjo është dhe arsyeja që ekipi i prefekturës, me kreun e saj, Shefqet Deliallisi, janë ngjitur dje në këtë zonë malore rreth 40 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Për herë të parë, kjo lloj shembjeje u shfaq në fshatin Cërrujë të Funarit. E njëjta dukuri ndodhi në një fshat tjetër, përballë Gurit të Zi në Komunën e Labinotit - Mal. Jo më larg se tri ditë më parë, rreth 40 familje të fshatit Qafë-Dardhë dhanë alarmin për gjëmën që po ndodhte. Kërcitjet e mureve dhe zhurma nën themele bënë që shumica e banorëve të qëndronin jashtë. Shefqet Deliallisi, prefekt i Elbasanit, u ngjit dje në fshat për të diskutuar edhe me banorët për rrugëzgjidhjet. Për të paktën 35 familje, sipas prefektit të Elbasanit, zgjidhje e përkohshme mbeten ish-repartet ushtarake në Tokëz të Librazhdit, ku tre vjet më parë u strehuan gati po aq familje nga Guri i Zi i Elbasanit. Dje, një grup specialistësh kanë përshkuar në këmbë të gjithë territorin ku kanë ndodhur shembjet masive. Ky inspektim është bërë që, në planet e afërta të qeverisë, të diskutohet shpërngulja e të gjithë fshatit. Nga ana tjetër, Kryqi i Kuq Shqiptar ka ofruar ndihma ushqimore, që banorët e dëmtuar të mos ndiejnë vështirësi për nevojat jetike. Nga ana e pushtetit lokal janë duke u planifikuar ndihma të tjera në kuadrin e emergjencës, paçka se zgjidhja definitive e këtij problemi do të kërkojë jo pak kohë dhe fonde. Numri i familjeve që rrezikohen nga shembjet mund të shtohet nga dita në ditë. Nëse masivi që i është larguar shpatit të malit rreth 40 metra do të vazhdojë rrëshqitjen gjysmëvertikale dhe të marrë përpara gjithçka që banorët e Qafë-Dardhës kanë ndërtuar, mund të përballemi me një tragjedi humanitare