E Diel, 1 Nëntor 2026

Paloka: PS i ngre në përgjegjësi imoralët, ne i çojmë atje ku e meritojnë

Deputeti demokrat Edi Paloka ka kritikuar opozitën në parlament se ajo nuk mund të abuzojë dhe ta përdorë rastin e Pangos për kapital politik. Të shesësh moral këtu dhe të shesin moral ca njerëz, historitë e të cilëve i dinë të gjithë është edhe më e neveritshme se ajo që ndodhi, tha ai. As që bëhet fjalë që ne të mbrojmë një personazh si ai që pamë mbrëmë. Dhe ky është ndryshimi mes nesh dhe jush. Ai njeriu u shkarkua për 4 minuta kurse ju keni 444 ditë një njeri që doli lakuriq dhe vazhdon të bredhë lakuriq nëpër Shqipëri. Ndryshimi është se nëse ne e shkarkojmë këtë qenie, ju kërkoni ta bëni atë kryeministër, shtoi ai. Më pas, sqaroi se mediat i dinë të gjitha skandalet që kanë kaluar qeveritë socialiste. Ju lakuriqët i ngrini në përgjegjësi, ne i çojmë atje ku e meritojnë, përfundoi Paloka.

Pollo: Reagimi i menjëhershëm i Berishës, standard i kësaj qeverie
Zëvendëskryeministri Genc Pollo deklaroi se reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit Berisha për 'çështjen Pango' është standardi që ka vendosur kjo qeveri për ata që abuzojnë me detyrën. Ai vuri në dukje se edhe në rastet që është përfolur në mënyrë gjysmë të besueshme, por publike, ka pasur dorëheqje duke dëshmuar marrjen e përgjegjësisë individuale. Në këtë drejtim, zoti Pollo solli në vëmendje "se dorëheqje ka pasur dhe në rastet e një fatkeqësie të shkaktuar për arsye kriminale korruptive, që mbeten për t'u zbuluar, apo në rastin kur maxhoranca dorëzoi imunitetin për akuzat politiko-financiare të manipuluara të opozitës". Duke bërë një krahasim mes standardeve që përfaqëson kjo maxhorancë dhe standardeve që ofron opozita e sotme, zoti Pollo theksoi se "në qershor votuesit shqiptarë duhet të zgjedhin midis vazhdimësisë të reformave të një Shqipërie që po ndryshon dhe një përpjekje për të ofruar një alternativë nga pala tjetër". "Dua të përmend ish-kryetarin e PS-së, i cili në periudhën e katarsisit përmendi 12 raste konkrete të shoqëruara me emra konkretë të abuzimeve në detyrë për favore të tilla, jo të mbetura në tentativë, por të kryera. Edhe pse prisnim që të kishte shkarkime apo dorëheqje, për fat të keq edhe me përfundimin e katarsisit apo ndryshimin e qeverisë, kjo gjë nuk ndodhi", tha zoti Pollo. Gjatë fjalës së tij, Pollo informoi në Kuvend se "po përgatitet një projektvendim i ri, i cili synon të rrisë fondin e qeverisë në ndihmë të tetraplegjikëve". Në këtë drejtim, ai vuri në dukje se "kjo qeveri ka rritur në mënyrë të veçantë buxhetin e tyre, në një masë që shkon afro 35 për qind, duke siguruar një paketë shoqëruese, karburantin për t'u transportuar me automjetin e tyre dhe pagesën për një kujdestare".

Solis: Çështja Pango, çdo person mban përgjegjësi individuale
Ndërsa për Partinë, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut skandali në fjalë është çështje vetëm e Pangos, ndërsa ajo vlerëson reagimin e menjehershëm të kryeministrit Berisha. "Unë mendoj që çdo person që ka një pasaportë dhe një indvidualitet, mban përgjegjësi individuale. Përgjegjësia e forcës politike është qëndrimi, që mban ndaj këtij fenomeni dhe mendoj që qëndrimi ishte imediat dhe tepër korrekt", tha Leonard Solis, deputet i PBDNJ-së.

PDK: Askush nuk mund të njollosë emrin e qeverisë
Partia Demokristiane, drejtuar nga kryetari Anton Gurakuqi me anë të një deklarate për shtyp, ka vlerësuar maksimalisht reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Berisha për shkarkimin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit përballë një situate të tillë tregon qartë se askush nuk mund të abuzojë dhe njollosë emrin dhe imazhin e qeverisë. Njëkohësisht vendimi tregon moralin e lidershipit të kësaj maxhorance sikundër përbën një standard që vendoset për herë të parë në vend, thuhet në deklaratën e PDK-së.

CIP reagon: Pango të ndiqet penalisht
Qendra për Çështjet e Informimit Publik, ÇIP, konstatoi shqetësimin e thellë me të cilin opinioni publik shqiptar po përcjell skandalin e rëndë seksual në të cilin është përfshirë ish ministri i kulturës Ylli Pango. Nga ana tjetër, ÇIP dënon hezitimin Kuvendit për të reaguar me të njëjtën shpejtësi për heqjen e imunitetit të Pangos pas bërjes publike të skandalit nga "Fiks Fare". "Duke mos vepruar energjikisht në këtë drejtim, Kuvendi rrezikon të kthehet në protektor të Ylli Pangos, i cili duhet të ndiqet penalisht nga Organi Qendror i Akuzës", shprehet CIP në një njoftim zyrtar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›