Çështja Pango, jehonë në mediat botërore
Skandali i publikuar nga Fiks Fare lidhur me ish Ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango është transmetuar edhe nga agjensitë më të njohura botërore. The Associated Press shkruan për këtë skandal se shkarkimi i Pangos ishte i menjëhershëm nga kryeministri dhe akti i tij ishte i papranueshëm. Ndërsa Herald Tribune shkruan "Shkarkohet Ministri i Kulturës për abuzime seksuale me detyrën".
Corriere della Sera shkruan "I menjëhershëm shkarkimi i Ministrit të Kulturës Ylli Pango pas një video të transmetuar nga një televizion ku ai negocion me një vajzë në këmbim të një vendi pune". Ndërkohë, mediat e rajonit e kanë vlerësuar atë si një Skandal në qeverinë Berisha. Ngjarja e transmetuar mbrëmë në "Fiks Fare", me protagonist ish ministrin e Kulturës, Ylli Pango, i cili i kërkoi shërbim seksual në këmbim të një vendi pune një vajze që kishte aplikuar në dikasterin e tij ka gjetur pasqyrim dje edhe në median e huaj. Herald Tribune shkruan në titujt e saj kryesorë: Kryeministri shqiptar Sali Berisha shkarkon ministrin e kulturës pas një reportazhi ku ai shihej të ngacmonte seksualisht një vajzë e cila po kërkonte një vend pune. Më tej artikulli vijon duke sqaruar se incidenti në fjalë ka ndodhur një muaj më parë në banesën e ministrit Pango. Ai i ka kërkuar vajzës që të zhvishet për të parë nëse ajo ishte e denjë për atë post apo jo. Zëdhënësi i kryeministrit Berisha, Grid Rroji ka thënë për mediat se kryeministri e ka pushuar menjëherë nga puna ministrin Pango. Ky i fundit, profesor 56 vjeçar i psikologjisë nuk ka qenë menjëherë i gatshëm për të komentuar ngjarjet, por në një deklaratë të dalë po nga zyra e kryeministrit Berisha, Pango këmbëngul se çdo gjë ka qenë një fabrikim mediatik. Por incidenti i shfaqur në media ishte etnikisht i papranueshëm...dhe kryeministri Berisha vendosi të pushojë nga puna Pangon, përfundon deklarata për shtyp nga zyra e kryeministrit. Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare ne 28 qershor të këtij viti. The Associated Press, ka cituar Berishën: Kryeministri ka shkarkuar menjëherë ministrin! "Incidenti ndodhi në shtëpinë e Pangos"- shkruan gazeta, duke shtuar se ai i kërkoi vajzës të zhvishej për ta parë nëse ishte e prerë për atë vend pune. "Pango, 56-vjeç, profesor i psikologjisë mësohet ti ketë thënë Berishës se e gjithë kjo ka qenë një fabrikim i medias. Por ai i është përgjigjur se incidenti i shfaqur në media është i papranueshëm për moralin e qeverisë". Lajmi ka gjetur vend edhe në faqet e shtypit italian.