E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Leskaj debat për skandalin seksual Pango

Mazhoranca akuzon opozitën të reagojë më ashpër për skandalin në fjalë
Skandali Pango ka ngritur parlamentin në këmbë. Si mazhoranca ashtu dhe opozita, kanë kërkuar njëzëri ditën e djeshme heqjen e imunitetit të deputetit Ylli Pango. Skandali seksual i ish- ministrit Pango ka shkaktuar reagime dhe replika të forta në sallën e parlamentit, sidomos midis kryetares Topalli dhe deputetes socialiste Valentina Leskaj. Pas fjalës së kryetares së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj reagoi kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, e cila u shpreh se mënyra sesi e trajton Leskaj këtë skandal është shumë e butë. Ajo vijoi duke u shprehur se është ndjerë e tmerruar nga ajo që ka ndodhur me një ministër, duke e cilësuar ngjarjen tepër të rëndë, të turpshme, madje shokuese. Sipas Topallit, Pango jo vetëm që ka tradhtuar moralin e Partisë Demokratike, por edhe votën e të gjithë qytetarëve që e kanë votuar. Si kryetare Parlamenti i kërkoj Ylli Pangos të lëshojë mandatin e deputetit, se mandati i tij nuk përfaqëson asnjë qytetar shqiptar, që atë e ka votuar. Si nënë, jam e tmerruar, jam e frikësuar, se kemi fëmijë", u shpreh kryeparlamentarja Jozefina Topalli, duke shtuar se "ne vendosëm një standard, pasi kryeministri Berisha e shkarkoi ministrin 4 minuta pasi u shfaq skandali". Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS, Valentina Leskaj, kërkoi që Pango të lërë imunitetin, duke e cilësuar turpin e qeverisë. Ajo kërkoi që Kuvendi të mbajë qëndrim ndaj deputetit Ylli Pango. Ju e dinit se i çfarë kallëpi ishte Pango dhe e mbajtët në gjirin tuaj kaq kohë si ministër. Publiku shqiptar pa degjenerimin e institucioneve dhe kjo është shumë e rëndë. Kjo është çështje e parlamentit, i cili duhet të mbajë një qëndrim, për një deputet që ka kryer veprën e turpit.  Kjo është çështje e të gjithëve u shpreh Leskaj, duke e cilësuar ish- ministrin Pango si shkelje të rëndë morali dhe etike. "Kryeministri e shkarkoi ministrin e turpit, por ai duhet t'i kërkojë ndjesë shqiptarëve për emërimin e tij. Kjo është një çështje e parlamentit, i cili duhet të mbajë  qëndrim të qartë e të prerë, ndaj këtij rasti. Z. Pango nuk mund të ketë më imunitetin e deputetit dhe duhet të përgjigjet në bazë të kodit penal për veprën e kryer", u shpreh Leskaj. Ajo tha se abuzivizmi i mazhorancës nuk duhet të akuzojë opozitën. Duke iu drejtuar kryetares Topalli, Leskaj u shpreh se juve iu kanë plasur ujërat në shtëpinë tuaj dhe këto ujëra nuk duhet tia kaloni edhe opozitës. Ndër të tjera, gjatë fjalës së saj në parlament ajo theksoi se, ministri juaj ka shkelur kodin dhe duhet të shkojë atje ku e ka vendin. Skandali tregoi se si kanë përfunduar institucionet e shtetit, se ku ka përfunduar ligji i shërbimit civil, dhe se si është goditur vetë shteti. Më tej, kryetarja e grupit të opozitës, Leskaj në kuadër të këtij skandali solli në vëmendje raportin e fundit të Departamentit të Amerikan të Shtetit, ku në të cilin pas shumë kritikave që i është bërë kësaj qeverie, ka vënë në dukje dhe ngacmimet seksuale të vajzave shqiptare në vendet ku ato punojnë. Ky skandal konfirmoi atë që përflitej me kohë, atë që tha edhe raporti i fundit i DASH dhe që ju nuk donit ta pranonit lidhur me diskriminimin e grave dhe vajzave në administratën shtetërore dhe konkretisht se ndonëse ligji e ndalon ngacmimin seksual ka ndodhur rrallë që zyrtarët ta zbatojnë atë, u shpreh Leskaj. Ajo tha se publiku shqiptar pa degjenerimin e institucioneve dhe kjo është shumë e rëndë dhe ky njeri nuk mund të ketë më imunitet dhe nuk mund të mbrohet me imunitet deputeti, ndërkohë që duhet të përgjigjet në bazë të kodit penal për veprën e kryer. Por, nënvizoi Leskaj  nëse këtu nuk mbahet qëndrim për këtë rast kur është shkelur komplet shteti, kur është tronditur tërësisht besueshmëria te institucionet kjo është çështje e të gjithëve. Kryetarja Leskaj përgjegjëse për ndodhjen e këtij skandali, natyrisht bëri mazhorancën. Sipas saj, mazhoranca ishte në dijeni të plotë për rekrutimin e njerëzve të llojit Pango dhe nuk reagonte për të marrë masa të menjëhershme prej kohësh, ashtu siç e ka deklaruar veten, Qeveria që ka luftuar korrupsionit dhe krimin e organizuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›