Paloka: PS prishi konsensusin. Balla: Lojë mediatike e PD-së
Debatet dhe mungesën e konsensusit në Konferencën e Kryetarëve, të cilat ka vënë në rrezik marrëveshjen PS-PD, kanë vazhduar edhe pas mbledhjes së djeshme, madje duke njohur tone më të ashpra. Fillimisht ishte nënkryetari demokrat i Komisionit të Medias, Edi Paloka, i cili ka ngritur shqetësimin për qëndrimin e mbajtur nga selia rozë gjatë mbledhjes së zhvilluar paraditen e djeshme. Deputeti demokrat ka sqaruar se në këtë takim kryetari i grupit parlamentar socialist ka kërkuar heqjen e kodeve nga punimet tre javore të Kuvendit. Zoti Ruçi kërkoi në konferencë heqjen nga kalendari të ligjeve me 3/5. Për ne përbën shqetësim sepse në bazë të marrëveshjes që është realizuar në 14 nëntor është kërkuar që këto kode të kalojnë. Sigurisht që nuk ka konsensus në seancë pasi ata ishin kundër. Kërkuan heqjen nga kalendari të kodeve për të cilat është arritur një marrëveshje, – deklaroi Edi Paloka, deputet i grupit parlamentar demokrat. Ai akuzoi socialistët se duan të prishin marrëveshjen, e cila përfshin një gamë të gjerë çështjesh që nga ligjet me 3/5 deri tek reforma elektorale.
Disa orë më vonë, Partia Socialiste ka reaguar ndaj pretendimeve të mazhorancës. Në emër të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka sqaruar se në Konferencën e Kryetarëve, Gramoz Ruçi nuk ka refuzuar fillimin e punës për projekt-ligjet që kërkojnë tre të pestat e votave të Kuvendit. Të gjitha këto projektligje janë prej kohësh pjesë e punës së përditshme të përfaqësuesve socialistë në Komisionin e Ligjeve, të cilët po përgatisin qëndrimin tonë në atë komision për secilin nga projektet e paraqitura nga qeveria. Puna e tyre bazohet në afate të përcaktuara, paraprakisht, që lidhen me domosdoshmërinë për të realizuar në afatin e paracaktuar bashkërisht me palën tjetër miratimin e projekt-ligjeve në fjalë,- sqaroi Taulant Balla. Kjo, sipas tij, është theksuar nga drejtuesi i deputetëve socialistëve në mbledhjen e djeshme, duke kërkuar kohën e nevojshme për fillimin e punës në komision nga ana e përfaqësuesve tanë.
Duke vijuar më tej në shprehjen e qëndrimit të Partisë Socialiste, deputeti i kësaj partie theksoi se ngutja e palës tjetër dhe sidomos arbitrariteti në vendimmarrjen e Konferencës së Kryetarëve nuk e justifikojnë as qëllimin e përbashkët për ta mbyllur këtë proces në mars e as domosdoshmërinë që ky proces të jetë serioz, cilësor e transparent. Ai shprehu qëndrimin se Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar rikonfirmojnë vullnetin e plotë politik e qytetar për ta përmbushur angazhimin ndaj vendit e ndaj Bashkimit Europian në këtë proces, por pa dëmtuar në asnjë rast e për asnjë arsye cilësinë e procesit ligjvënës. Ne e ftojmë palën tjetër të ruajë qetësinë dhe të kuptojë se ligjet me tre të pestat janë një çështje shumë serioze për tu përfshirë në lojën e njohur mediatike të saj për të tërhequr vëmendjen e opinionit nga dështimet e përditshme të qeverisë,- apeloi Taulant Balla. Për këtë qëllim, drejtuesit socialist kanë thërritur sot mbledhjen e grupit të deputetëve për të përcaktuar qëndrimin që do të mbahet gjatë këtij sesioni parlamentar dhe aksionin e ri politik.
Ligjet me 84 vota, marrëveshja PD-PS në rrezik
Tentativa e mazhorancës për të përshpejtuar punën për miratimin e ligjeve me 84 vota ka vënë në rrezik të gjithë marrëveshjen e arritur dy muaj më parë. Demokratët kanë përdorur forcën e kartonit për të ndryshuar kalendarin e punimeve të Kuvendit duke bërë që ligjet që duhet të miratoheshin në mars, të kalojnë në kuvend javën tjetër. Kjo lëvizje e PD-së ka gjetur një reagim të fortë nga opozita duke bërë që mbledhja e djeshme e Konferencës së Kryetarëve të përfundojë në debate të ashpra dhe deri në fyerje ndërmjet anëtarëve. Për herë të parë që nga marrëveshja e nëntorit, kalendari i punimeve të Kuvendit është miratuar pa konsensus.
Që në fillim të mbledhjes u paraqit kalendari i punimeve të Kuvendit në të cilin është përcaktuar që ligjet që kërkojnë 84 vota të futen për shqyrtim në komisione javën e ardhshme dhe në datën dy shkurt të nisë diskutimi dhe miratimi i tyre në seancë plenare. Përfaqësuesit e mazhorancës e justifikuan këtë duke thënë se qëndrimi i tyre është në përputhje me pikën e parë dhe të shtatë të vendimit të Konferencës së Kryetarëve të marrë më datë 14 nëntor 2011, ku palët u angazhuan për miratimin e ligjeve me 3/5. Por socialistët janë reaguar duke thënë se miratimi i këtyre ligjeve është parashikuar që të bëhet në muajin mars dhe se kjo datë nuk mund të afrohet pasi ekspertët po punojnë ende me to.
Burime brenda mbledhjes thanë se kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi ka kërkuar më shumë kohë për përgatitjen e diskutimit për ligjet që kërkojnë 3/5. Ai është shprehur se miratimi i ligjeve nuk duhet të jetë sasior, por të shikohet mundësia e rritjes së cilësisë së tyre. Duam më shumë kohë që të diskutohen në dy javorshin e dytë të marsit. Ju sbëni asgjë në një kohë me reformat e tjera. Një pjesë të ligjeve kanë kaluar, por nuk po punohet për reformën parlamentare dhe atë zgjedhore, ka theksuar kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi. Për socialistët, shqyrtimi i projektligjeve duhet të nisë në mars, duke i lënë mundësi ekspertëve të shqyrtojnë me kujdes ndryshimet që do të bëhen.
Por kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli janë shprehur kundër shtyrjes së shqyrtimit të ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Me tone të larta, ata akuzuan përfaqësuesit e majtë se nuk duan të miratojnë ligjet me 3/5, duke iu kthyer idesë së bllokimit. Ju nuk doni ta votoni. Doni ta shtyni në pafundësi dhe të mbeten pa votuar,- ka thënë Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali. Kemi një marrëveshje, i kemi bërë një premtim Brukselit. Duhet të jemi korrektë me Brukselin dhe partnerët tanë ndërkombëtarë për zbatimin e marrëveshjes. Por ju doni të pengoni miratimin e këtyre ligjeve që janë jetike për integrimin në BE, ka deklaruar Topalli.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Gramoz Ruçit dhe i nënkryetarit të Kuvendit, Namik Dokle. Reforma zgjedhore dhe parlamentare kane afat brenda marsit, pse nuk i përmendni, por po i zvarrisni, kanë thënë dy përfaqësuesit e PS, në mbledhje.
Sa e rrezikuar është marrëveshja mes PD e PS
Pavarësisht insistimit të socialistëve dhe debateve të shumta në mbledhjen e djeshme, mazhoranca ka miratuar vetëm me votat e saj kalendarin e punimeve të Kuvendit, i cili parashikon nisjen e menjëhershme të shqyrtimit të ndryshimeve ligjore në komisionet parlamentare. Kjo bën që ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar të nisin të shqyrtohen që javën e ardhshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Në kuadër të diskutimit, Konferenca përcolli me shqetësim kërkesën e Kryetarit të Grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruci për të hequr nga kalendari projektligjet e mbetura që kërkojnë shumicë të cilësuar, si një kërkesë që rrezikon seriozisht implementimin në kohë të marrëveshjes së 14 nëntorit 2011,- thuhet në njoftimin e Kuvendit. Sipas tij, Konferenca e Kryetarëve, me shumicë votash, por pa konsensus, përcaktoi si datë të parë të shqyrtimit në seancë plenare të këtyre projektligjeve, datën 2 shkurt 2012, në rendin e ditës së të cilës do të përfshihet shqyrtimi i Kodit Civil.
Se çfarë ka ndodhur realisht me marrëveshjen e arritur në nëntor mes PD-së dhe PS-së, kjo do të vihet re në seancën e ardhshme plenare, e cila është planifikuar të zhvillohet më 16 janar. Në këtë seancë duhet të miratohet zyrtarisht kalendari i punimeve të Kuvendit për muajin janar dhe javën e parë të shkurtit. Ky kalendar ndan dy forcat politik
