E Diel, 1 Nëntor 2026

Sequi: Kushtetuta thotë që presidenti të jetë konsensual

Denis Dedej

Përfaqësuesi i Bashkimit Europian në vendin tonë, Etore Sequi ka kërkuar dje nga politikanët shqiptarë që të Presidentin e Republikës ta zgjedhin përmes një procedure konsensuale duke qenë se përfaqëson edhe unitetin e vendit. Deklarata e Ambasadorit të BE-së është bërë pas takimit që ka pasur me Avokatin e Popullit, Igli Totozani.

Sequi ka shpjeguar se Presidenti është një institucion tepër i rëndësishëm dhe si i tillë nuk duhet të zgjidhet vetëm nga një forcë politike. Për të ilustruar këtë deklaratë, Sequi ka thënë dje se ka lexuar mirë Kushtetutën e Shqipërisë në lidhje me këtë çështje dhe aty ka mësuar se Presidenti cilësohet si bashkimi i shqiptarëve, pra një emër që pranohet nga të gjitha forcat. Duke lexuar Kushtetutën, e cila është shkruar nga vetë shqiptarët kam parë se në nenin 86 të saj, presidenti i vendit shkruhet si bashkim i shqiptarëve. Për sa i përket mekanizmit si të arrihet ky synim, këtë ua lë juve.- tha dje ambasadori i BE-së në Tiranë.

Deklaratat e Sequi janë mbështetur edhe nga ambasadori i Danimarkës, vend i cili nga 1 janari ka marrë presidencën e Bashkimit Europian. Madje ambasadori danez, Jensen është treguar disi më pak diplomatik se homologu i tij dhe ka thënë se nëse zgjidhet një president konsensual atëherë shqiptarët kanë kuptuar se çdo të thotë demokraci. Do të ishte e mrekullueshme që partitë të binin dakord për një president me konsensus, që do të zgjidhej në një rrugë konsensuale, që do ti bënte politikanët të tregonin se kanë kuptuar se çdo të thotë demokraci. Kjo mendoj se është edhe brenda frymës së Kushtetutës. Zgjedhja me 71 vota është varianti i fundit që parashikohet në Kushtetutë, ky sduhet të jetë qëllim në vetvete,- tha ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Tiranë, Karsten Ankjer Jensen.

Deri më tani të gjithë ambasadorët kanë kërkuar me ngulm që Presidenti i Republikës të jetë një emër konsensual, ndërsa kryeministri Berisha ka deklaruar haptazi se Presidenti do të zgjidhet nga Partia Demokratike me 71 vota dhe se ai do të jetë një nga përfaqësuesit politikë të mazhorancës. Presidenti do të jetë figurë politike, nuk shkon atje as për të shkruar romane, as për të luajtur futboll as për ndonjë detyrë tjetër shkon për të bërë politikë në përputhje me kushtetutën e vendit. Partia Demokratike ka jo një po disa drejtues të shkëlqyer për atë post. Do të zyrtarizohet sapo të hapet gara,- ka thënë Berisha në lidhje me Presidentin. I pyetur për kandidaturën e vetëshpallur të Jozefina Topallit, Berisha tha: Sa e fisshme është që duke pasur presidentin në detyrë të marrim dhe të nxjerrim kandidatura do ti duken si lugetër. Do të rri 6 muaj deri sa ti mbaroj afati. Kandidati do shfaqet në skenë kur e thotë kushtetuta.

Karola Holtkemper, ambasadore e Gjermanisë

Presidenti duhet të zgjidhet sipas rregullave. Shqipëria e ka një Kushtetutë ku përcaktohet qartë se si zgjidhet presidenti, por ne mbështesim një konsensus mes palëve për të gjetur një emër që ka cilësitë e vecanta për të qenë president

Të drejtat e njeriut, Totozani takon Ina Ramën

Avokati i Popullit, Igli Totozani, i kërkoi dje Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama që të vlerësohen me seriozitet të madh dhe të hetohen rastet e keqtrajtimeve në komisariatet e policisë dhe në burgje. Gjatë një takimi të zhvilluar paraditen e djeshme, Totozani parashtroi disa kërkesa dhe diskutoi mbi disa çështje lidhur me aktivitetin e organit të prokurorisë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke kërkuar mbështetje dhe koordinim për nisma të përbashkëta. Po ashtu ai kërkoi që Prokuroria të jetë konsistente në ngritjen e akuzave për veprën penale të torturës, trajtimit çnjerëzor dhe degradues.

Lidhur me zvarritjen e hetimeve, Avokati i Popullit kërkoi bashkëpunim dhe një kujdes të madh nga ana e Prokurorisë për të minimizuar ato pak raste ku konstatohen shtyrje të pamotivuara të afateve të hetimeve dhe përfundimin e tyre brenda afateve kohore që përcakton ligji. Një tjetër temë për të cilën u diskutua ishin rastet kur të proceduarit penalisht janë të mitur. Për këtë çështje të dy zyrtarët ishin dakord që të bëhet më shumë kujdes në përdorimin e arrestit në burg, si masë shtrënguese ndaj të miturve. Në fund të takimit Rama dhe Totozani vendosën që të krijojnë disa pika kontakti përmes të cilave të diskutojnë në mënyrë konstante këto çështje.

Berisha refuzon presidentin konsensual, sepse ka respekt për Kushtetutën?!

 Opinion nga Mustafa Nano

Kryeministri, i pyetur lidhur me kontrastin mes qëndrimeve të tij e qëndrimeve të ambasadorëve lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri, u shpreh: Kam respekt shumë të madh për ambasadorët, por kam respekt absolut për kushtetutën. Nuk ka të sharë si frazë, apo jo? Ske nga e kap. Por puna është se ambasadorët nuk po kërkojnë të dhunohet Kushtetuta; përkundrazi, ata po i kërkojnë një president për të gjithë shqiptarët. Foli i pari ambasadori danez, dhe tha se duhet president konsensual. Më pas foli ambasadori i OSBE-së, dhe përsëriti të njëjtën gjë. I treti në radhë, por jo domosdoshmërisht në rëndësi, ishte ambasadori i BE-së, i cili i tregoi Berishës e gjithë shqiptarëve se çthotë neni 86 i Kushtetutës. Më tej ishte ambasadorja gjermane, e cila nga Burreli tha se kërkohet një president konsensual. Sot ambasadori Sequi përmendi sërish nenin 86 të Kushtetutës. Por çfarë thuhet në këtë nen? Thuhet se Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e Popullit. Berisha ka respekt absolut për Kushtetutën, por nuk merret vesh se ku dreqin bie ndesh presidenti konsensual me Kushtetutën?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›