E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Paloka në RTSH: Në shtator PD do jetë më e unifikuar, pas Alibeajt do mbeten shumë pak deputetë

Partia Demokratike ndodhet në një situatë mjaft të përçarë ku deputetët janë ndarë në dy fraksione që pretendojnë se drejtojnë partinë. Nga një anë Sali Berisha, i cili është zgjedhur edhe kreu i PD nga zgjedhjet  e zhvilluara nga Rithemelimi dhe nga ana tjetër Enlekejd Alibeaj, i cili nuk pranon Berishën në parti pasi është përjashtuar si “non grata” nga SHBA.

Por deputeti i PD Edi Paloka, i rreshtuar në krah të Berishës, ka të tjera parashikime për partinë. I ftuar në emisionin “Publikisht” në RTSH, ai shprehu bindjen se në shtator kur nis dhe sesioni i ri parlamentar, PD do të jetë me një grup më të unifikuar, ndërsa shtoi se pas Enkelejd Alibeaj do të mbeten maksimumi 10 deputetë.

“Kam bindjen që në shtator, edhe grupi parlamentar do të jetë më i unifikuar. Mund të mbeten disa deputetë, ndoshta 10 apo më pak, pas Alibeajt. Menjëherë më pas, nisim projektin e opozicionit të fortë” tha Paloka.

Çështja e kontrollit të PD është në gjykatë ku pritet të vendos Gjykata e Apelit. Muaj më parë Gjykata e Tiranës pranoi ankimin e Enkelejd Alibeaj,  kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukrit që regjistroi ndryshimet statutore në Partinë Demokratike sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të Sali Berishës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›