E Diel, 1 Nëntor 2026

Hodhi fëmijën nga 5 m lartësi, arrestohet babai-monstër

Shfajësimi: Doja t’i bëja presion gruas, nuk më linte ta shikoja

Policia: Eduard Gjoka akuzohet për tentativë vrasjeje

Një ditë pas kryerjes së aktivit monstruoz, duke hedhur djalin 2-vjeçar në shinat e trenit nga 5 metra lartësi, policia e Shkodrës vuri në pranga 32-vjeçarin Eduard Gjoka. Mbi të rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. I pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore për ngjarjen, babai monstruoz ka deklaruar se e hodhi të birin nga një lartësi e konsiderueshme në shenjë presioni ndaj të shoqes. “E flaka djalin nga ura për t'i bërë presion gruas. Ajo s'më linte ta shikoja”. Ky ka qenë argumentimi fjalë për fjalë në polici i babait, që dy ditë më parë hodhi të birin vetëm dy vjeç nga ura e trenit në qytetin e Shkodrës. Policia e Shkodrës organizoi dje një operacion në krye të të cilit ishte vetë drejtori i policisë së qarkut, për kapjen e autorit të kryerjes së aktit të rëndë. Arrestimi i babait-monstër u bë 12 km larg qytetit të Shkodrës, konkretisht në vendin e quajtur Kodrat e Bardhajve. Policia njoftoi dje se është bërë e mundur kapja e shtetasit Eduard Gjoka, 32 vjeç, lindur dhe banues në Lagjen “Tre Heronjtë” të qytetit Shkodër, i divorcuar, i cili prej dy ditësh rezultonte person nën kërkim. “Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi më 04.12.2009, rreth orës 15:30, në lagjen “Tre Heronjtë” të qytetit Shkodër, ka tentuar të vrasë djalin e tij dyvjeçar E. Gjoka, duke e hedhur nga Mbikalimi i Trenit nga një lartësi prej 5 metrash dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”, - sqaron në njoftimin e saj për ngjarjen policia e Shkodrës. I mituri, sipas burimeve, është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Shkodër dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por për pasojë ka pësuar frakturë në njërën këmbë. Aktualisht, sipas burimeve, për fëmijën është duke u kujdesur gjyshja e tij. “Kapja e shtetasit Eduard Gjoka u bë në fshatin Bardhaj, Komuna Rrethina Shkodër, në banesën e një të afërmi të tij, pas një operacioni i cili zgjati rreth 16 orë dhe u drejtua nga vetë drejtori i Policisë së Qarkut”, - saktësojnë burimet zyrtare policore. Nga veprimet e para hetimore rezultoi, sipas burimeve, se ngjarja shokuese ka ndodhur për motive të dobëta, pasi autori ishte i divorcuar nga bashkëshortja e tij dhe veprimin e ka kryer në shenjë hakmarrjeje. Kanë qenë kalimtarë të rastit që kanë parë skenën dhe kanë lajmëruar me urgjencë policinë. “Nga ana e policisë po kryhen të gjitha veprimet e duhura procedurale e hetimore dhe materialet në ngarkim të shtetasit Eduard Gjoka do i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale të “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë”, përfundojnë burimet policore të Shkodrës. Sipas policisë, Eduard Gjoka, 32 vjeç, ishte ndarë nga e shoqja prej disa muajsh dhe kishte pakënaqësi nga vendimi i gjykatës për kujdestarinë e fëmijës, e cila kishte vendosur që ai të rritej nga nëna.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›