Librazhd/ Vjedhja e kromit në minierat shtetërore, 5 në pranga
Nisur nga vjedhja e një sasie të konsiderueshme kromi nga minierat shtetërore disa ditë më parë, policia e Elbasanit ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka dhënë detaje rreth operacionit të realizuar “Galeria” dhe vënies para përgjegjësisë të personave që kanë kryer vjedhjen. Sipas policisë, gjatë një pune intensive disaditore të kryer nga ana e efektivëve të Komisariatit të Policisë Librazhd dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, u konstatua se në afërsi të depozitave të bitumit “Taçi Oil”, që ndodhet në Përrenjas, është vjedhur një sasi kromi. “Nga puna operative e bërë nga ana e efektivëve është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit të koduar “Galeria”, ku dy ditë më parë është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i autorëve të vjedhjes që janë shtetasit Isuf Belba, 47 vjeç, lindur në fshatin Skroskë e banues në Përrenjas – Librazhd, i cili ka vjedhur 20 ton krom; Klesti Malometa, 18 vjeç, lindur e banues në fshatin Katjel, Komuna Rrajcë – Librazhd, të cilit iu gjend 10 ton krom; Osman Bosi, 60 vjeç, lindur e banues në fshatin Katjel, Komuna Rrajcë – Librazhd, të cilit iu gjetën 4 ton krom të vjedhur; Bedri Gurra, 50 vjeç, lindur e banues në fshatin Katjel, Komuna Rrajcë - Librazhd, të cilit iu gjetën 5 ton krom të vjedhur; si dhe Merjeme Alisufi, 56 vjeç, lindur e banues në fshatin Katjel, Komuna Rrajcë - Librazhd, së cilës iu gjetën 2 ton krom i vjedhur. Këta shtetas, sipas policisë, akuzohen për veprën penale të “vjedhjes”, e cila parashikohet nga neni 134 i Kodit Penal.