E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamesa shpreson që Ermal Kuqo të qëndrojë

Pamesa, klubi spanjoll i basketbollit, shpreson që Ermal Kuqo ta vazhdojë karrierën në Valencia, edhe pasi kontrata e tij 2-vjeçare me klubin të përfundojë.

Edhe pse është transferuar tek iberikët, vetëm prej pak kohësh (duke kaluar nga turqit e Efes Pilsen, me të cilët u aktivizua në periudhën 2003-08), basketbollisti shqiptar është ambientuar pa probleme.

Edhe pse pret të bëhet baba për herë të parë, bashkëshortja e tij kroate, Marijana Mijuskoviç, është në muajin e nëntë të shtatzënisë, ai vazhdon të jetë i përqendruar në punën e tij, duke dhuruar paraqitje të jashtëzakonshme me Pamesan.

Duke e parë të stërvitet me shokët spanjollë, francezë, grekë e amerikanë të ekipit, mund të kuptohet fare lehtë se Kuqo është një prej lojtarëve më të dashur.

Kjo shfaqet edhe jashtë parketit, pasi 28-vjeçari pranon se ka mbetur i mahnitur nga pritja e ngrohtë dhe sjellja e njerëzve në Valencia.

“Gjatë gjithë kohës, tifozët më ndalojnë në rrugë, ndërsa si mua, ashtu edhe bashkëshortes time, na pëlqen qyteti, me përzierjen e arkitekturës historike dhe asaj moderne”.

Por, në kohën e lirë basketbollisti, 208 centimetra i gjatë, që luan me përfaqësuesen turke, mund të argëtohet edhe në mënyra të tjera: si për shembull të ndjekë garën e Formulës 1. “U çudita kur mësova se cirkuiti për Çmimin e Madh të Valencias kalonte pikërisht poshtë dritares time.

Bëra disa foto të jashtëzakonshme, ndërkohë që makinat ngadalësonin për të marrë kthesën pranë apartamentit tim”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›