Han rikthehet pas dy muajve mungesë

Hera e fundit, që tekniku ka qenë në vendin tonë, ishte në fillim të muajit shtator, për ndeshjen eliminatore me Maltën (më datë 6).
Por, tashmë që miqësorja e 19 nëntorit, kundër Azerbajxhanit, po afron, holandezi do të vizitojë Tiranën dhe përveç rakordimit të planeve për këtë sfidë, ai do të vëzhgojë edhe dy ndeshje të kampionatit. 59-vjeçari zbret të shtunën në orën 13:00 në aeroportin “Nënë Tereza” dhe menjëherë do të shkojë në stadium.
Ende nuk është saktësuar nëse Han do jetë në tribunën e “Qemal Stafës” për të ndjekur sfidën ndërmjet Partizanit dhe Shkumbinit, apo do të udhëtojë drejt Shkodrës, ku Vllaznia pret Elbasanin.
Ndërsa të dielën, trajneri kuqezi do të vëzhgojë ndeshjen më të rëndësishme të javës së nëntë në Kategorinë Superiore, ku Tirana kryesuese pret në fushën e saj Besën e vendit të dytë.
“Trajneri i Kombëtares, Ari Han, do të jetë të shtunën në Shqipëri. Qëllimi i vizitës së tij në Tiranë është vëzhgimi i ndeshjeve të kampionatit kombëtar dhe kontakti me zyrtarë të FSHF-së, për të rakorduar planet në lidhje me miqësoren e 19 nëntorit kundër Azerbajxhanit dhe planet për të ardhmen”, pohuan burime zyrtare në zyrën për shtyp të federatës.
“Gjatë qëndrimit në kryeqytet, trajneri i përfaqësueses do të ndjekë një takim të Superiores, ditën e shtunë. Ndërsa të dielën, ai do të jetë në ndeshjen Tirana–Besa, që është edhe objektivi kryesor i vizitës së tij në Shqipëri”.
FIFA
Ndërkohë që Han përgatit valixhet për “vizitën” e shkurtër në vendin tonë, elozhet për punën e tij me Kombëtaren shqiptare nuk kanë munguar.
Sajti zyrtar i FIFA-s vlerëson paraqitjet e kuqezinjve në katër ndeshjet eliminatore për Botërorin 2010.
“Pas trajnerëve të talentuar Van Basten, Leo Benhaker e Gus Hidink, të cilët morën pjesë në Euro 2008, një tjetër teknik holandez, Ari Han, po përhap stilin spektakolar të lojës karakteristike për Vendet e Ulëta.
Këtë po e bën në krye të Kombëtares shqiptare dhe deri më tani ka arritur rezultatet mbresëlënëse”, shkruhej në faqen elektronike të “qeverisë” së futbollit botëror.
Analiza theksonte startin e jashtëzakonshëm të këtyre eliminatoreve, duke regjistruar për herë të parë dy rezultate pozitive radhazi (barazimi me Suedinë dhe fitorja me Maltën) në fillim të fazës së grupeve.
Ndërkohë, humbja në Budapest kundër Hungarisë cilësohet thjesht si një hap fals, pasi forca e skuadrës u tregua në barazimin historik, 0-0, në fushën e Portugalisë.
Me rezultatet e deritanishme, kuqezinjtë po largojnë imazhin si një prej skuadrave “pa peshë” në kontinent dhe këtë e tregon ngjitja me 19 vende në renditjen e FIFA-s, ku tashmë renditemi të 83-tët, përpara Trinidad Tobagos dhe Togos, pjesëmarrëse në Botërorin 2006.