Tirana e çlodhur, bën gati kurth për Besën

Një fitore e bardhebluve ndaj kavajasve do të provokonte një tjetër arratisje të kryesuesve, por një humbje ndaj verdhezinjve do ta reduktonte diferencën në vetëm 1 pikë.
Janë pikërisht këto fakte, që e bëjnë akoma dhe më interesante sfidën e së dielës. Për bardheblutë, nuk mund të ketë asnjë objektiv tjetër, veç tri pikëve, pavarësisht nga kundërshtari.
Trajneri Slishkoviç, prej kohësh mendon për këtë ndeshje, të paktën që nga e shtuna e kaluar.
Për këtë arsye, ai përdori edhe “turn-overin” në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë në Pukë ndaj Tërbunit (1-1), duke lënë kështu shumë prej titullarëve pushim, të cilët i ruajti për sfidën e së dielës ndaj verdhezinjve kavajas.
Vetë rëndësia e madhe e kësaj ndeshjeje ia kishte imponuar këtë lëvizje teknikut boshnjako-kroat. Trajneri ka pasur rezerva për dy ndeshjet e fundit, sidomos atë ndaj Shkumbinit, pasi ka theksuar se lojtarët kanë dalë nga detyrat taktike.
Slishkoviç është treguar shumë i ashpër në kritika në analizën e të martës dhe u ka kërkuar të reflektojnë për sfidën me Besën. Ndërsa ka “kërcënuar” se “ata që nuk do të zbatojnë detyrat taktike, do të humbasin vendin e titullarit”.
E enjtja ka rezervuar për ta vetëm një seancë stërvitore, e cila u zhvillua paradite. Në përgjithësi, ekipi është në një gjendje të mirë psikologjike dhe gëzon një formë të mirë sportive.
Për formacionin ka disa dyshime të vogla, edhe pse është ende herët të flitet për 11-shen përfundimtare. Në mbrojtje mësohet se mund të luajnë Osmani e Kçira; në qendër, Lila e Abrahami në krah.
Në mesfushë do të luajnë Muka, Devolli, Pezo, Agolli dhe Muzaka. Ndërsa repartin e sulmit, me shumë mundësi, do ta bëjë Memelli, i vetëm.
Ende nuk është qartësuar, nëse do të luajë Dabulla, i cili rikthehet pas një dëmtimi të pësuar ndaj Partizanit, në javën e 3-të.
Ndeshja ndaj Besës do të jetë krejtësisht e veçantë për mbrojtësin Andi Lila, që do të luajë për herë të parë ndaj ish-skuadrës së tij, të cilën e braktisi vetëm në merkaton e verës së fundit. Bardheblutë janë e vetmja skuadër pa humbje dhe me 100 për qind të pikëve të marra në shtëpi.
Takimi do të gjykohet nga ndërkombëtari Albano Janku.