Pamjet e fundit të Gaddafit para se të varrosej (VIDEO)
Këto janë pamjet e arkivoleve ku shtrihen trupat e kolonel Gaddafit, djalit të tij, Mutasim dhe ministrit të Mbrojtjes, Abu Bakr Juniz, pak momentet përpara se të dërgoheshin për tu varrosur në një vend sekret në shkretëtirën libiane.
Videoja e regjistruar me celular tregon tre arkivole të hapur, ku shtrihen tre trupa të mbështjellë me qefin.
Një klerik kryen disa rituale islamike. Mendohet se ai është Kaled Tantush, kleriku personal i Gaddafit, që u kap bashkë me të javën që shkoi.
Në ceremoni janë dëshmitarë dhe të paktën dy kushërinj të diktatorit, Mansur Dao Ibrahim dhe Ahmed Ibrahim.
Një person duket që po e filmon të gjithë aktivitetin me një kamera profesionale.
Dy anëtarë të Këshillit Tranzitor Kombëtar më pas shoqërojnë trupat në vendin ku do prehen përfundimisht. Ata janë betuar mbi Kuran se nuk do e tregojnë kurrë vendin ku janë prehur ata. /tema/