E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pritet debat “i nxehtë” për veriun

Qeveria e Kosovës është shprehur e gatshme që nesër në seancë të ballafaqohet me deputetët lidhur me çështjen e veriut. Me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje Kryesia e Kuvendit të martën ka vendosur që në seancën e së enjtes të mbahet interpelanca e kryeministrit Hashim Thaçi lidhur me gjendjen në veri të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi të mërkurën ka mohuar që shtyrja e debatit për Raportin e Progresit që është kërkuar nga LDK-ja, ka të bëjë me frikën e kabinetit qeveritar për t’u përballur me ligjvënësit për këtë çështje, por ka thënë se temë më e ‘nxehtë’ është debati për veriun.

“Unë mendoj që arsyetimin që e ka dhënë Qeveria është arsyetim që ministrja adekuate dhe disa prej ministrave nuk do të marrin pjesë, sepse nuk janë fizikisht në Kosovë për shkak të takimeve. Përndryshe jemi të gatshëm për debat dhe unë besoj që tema e nesërme është më e nxehtë, sesa ajo për Raportin e Progresit”, ka thënë Kuçi.

Por ai nuk ka dashur të paragjykojë se çka do të dalë nga debati i nesërm, pavarësisht asaj se Vetëvendosja një prej kërkesave do ta ketë që Qeveria të marrë vendim për heqjen e barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit.

Kuçi ka thënë se sa i përket veriut, Qeveria e Kosovës është në koordinim të plotë me KFOR-in dhe EULEX-in, dhe në të njëjtën kohë i respekton të gjitha vendimet që i merr Kuvendi i Kosovës.

“Unë mendoj që Qeveria ka marrë vendimin për t’i hequr barrikadat. Është punë operacionale. Në Kosovë është i paligjshëm çdo veprim për barrikadat”, ka thënë ai.

Më shumë se asnjëherë më parë, zëvendëskryeministri Kuçi është shprehur i ngazëllyer me punën që KFOR-i dhe EULEX-i po bëjnë në veri të Kosovës, ndërsa ka mohuar të ketë mungesë koordinimi, duke thënë se ka vazhdimisht takime mes drejtuesve të institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

“Ne jemi jashtëzakonisht të koordinuar me punën që po bën KFOR-i dhe EULEX-i, po ashtu jashtëzakonisht të kënaqur me angazhimin që kanë për vendosjen e rendit dhe ligjit, për heqjen e barrikadave. Natyrisht që ka nevojë që të ketë një dinamikë më të përshpejtuar, por gjithmonë do të jemi të kujdesshëm që të mos kemi ngritje të tensioneve. Ajo çka mund të them është se pa kompromis do të jetë heqja e barrikadave në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Ndërkohë që KFOR-i dhe EULEX-i kanë mbajtur takime me strukturat paralele serbe, Kuçi ka thënë se këto dy misione ndërkombëtare e bëjnë punën e tyre për të siguruar ambient të sigurt, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk dëshiron të jetë pjesë e këtyre takimeve, ngase nuk dëshiron t’i legjitimojë këto struktura.

“Ne jemi të gatshëm të bisedojmë me qytetarët tanë serbë anekënd Kosovës dhe në këtë drejtim e kemi shprehur dhe e shprehim gatishmërinë edhe sot, por ne nuk i legalizojmë dhe nuk i legjitimojmë strukturat ilegale”, është shprehur ai.

Ai edhe njëherë ka përsëritur se sa më shpejt që të hiqen barrikadat do të jetë më mirë për qytetarët serbë në veri.

Kuçi ka thënë se ajo tensionet në veri duhet të ulen, por nuk ka dashur t’i komentojë zvarritjet për heqjen e barrikadave. Ai ka shprehur besimin në kapacitetin e KFOR-it, por ka thënë se duhet gjetur rruga më e mirë e mundshme që të ketë rezultate të suksesshme në veri.

Barrikadat në veri janë vendosur nga serbët e rebeluar që nga fundi i korrikut në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së rendit dhe ligjit edhe në këtë pjesë të vendit. Pikat kufitare 1 dhe 31, ku janë vendosur doganierët dhe policët e Kosovës, për një kohë të gjatë kanë qenë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare dhe në këto dy pika është zhvilluar kontrabanda dhe krimi i organizuar.

Serbët kërkojnë kthimin e gjendjes së para 25 korrikut, gjë e cila është hedhur poshtë kategorikisht nga Qeveria e Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›