Panairi, Helena Kadare shpallet Autorja e vitit
Autorja e Koha e pamjaftueshme, Helena Kadare, është shpallur Autori i vitit në Panairin e Librit. Bashkëshortja e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, ka marrë vëmendjen e jurisë së panairit, por edhe të mijëra lexuesve në vend. Koha e pamjaftueshme, libri voluminoz prej 500 faqesh paraqet jetën e autores përkrah gjeniut të letrave shqipe.
Puna 15-vjeçare për finalizimin e librit me kujtime është shpërblyer në Panairin e Librit 2011 me titullin Autori i vitit, duke e vendosur në qendër të vëmendjes autoren, por më tepër librin e saj. Koha e pamjaftueshme është bërë temë diskutimi ditët e fundit, jo vetëm në media por edhe në rrethet shoqërore, për shkak të disa rrëfimeve mbi jetën e çiftit dhe flirteve të hamendësuara të shkrimtarit.
Gjithashtu, juria e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë shpalli si Përkthyesi i vitit Shpëtim Çuçkën për përkthimin e veprës së Umberto Eko-s, Histori e bukurisë.