Panairi XII i Librit, sot në Tiranë
Panairi i Librit "Tirana 2009", edicioni i 12-të, hapet sonte, ora 18.00, në Pallatin e Kongreseve. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes akademiku shqiptar nga Maqedonia Ali Aliu dhe përkthyesi Amik Kasaruho. Në kuadër të këtij aktiviteti, shkrimtari Ismail Kadare prezantoi dje në Universitetin Evropian të Tiranës kolanën e plotë me 20 vëllime. Në takimin e djeshëm me median, kryetari i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri informoi për 70-80 promovime titujsh, të cilët prezantohen çdo orë në dy salla të veçanta. Nesër, nga ora 11.00 e në vazhdim, prezantohen botimet "Pesha e Fjalës shqipe" Gjovalin Shkurtaj, "Në kohën e britmës" Visar Zhiti, "Udhëtar të huaj në gjurmët arkeologjike në Shqipëri" i autorëve Lik, Holand, Ugolini, Mayzie, etj. Kurse në stendat e shtëpive botuese janë të pranishëm autorët Moikom Zeqo, Diana Çuli, Flutura Açka, Josif Papagjoni, Teodor Laço etj.
Këtë vit, prezantojnë botimet e tyre 80 shtëpi botuese, shpërndarës të librave dhe institute të huaja, shumica pjesëmarrëse edhe në vitin e kaluar. Panairi qëndron i hapur për vizitorët çdo ditë ora 9.00 deri në 21.00, kurse të shtunën dhe të dielën ora 9.00 deri në 22.00. Në mbyllje më 16 nëntor, ndahen çmimet për "Autorin më të mirë", "Përkthyesin më të mirë", "Shkrimtarin më të mirë për fëmijë", si dhe çmimi që jepet nga gazetarët për "Stendën më të mirë të Panairit".