E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni i gjyqtarëve: Në tryezë do vendosim për Konferencën Gjyqësore

TIRANË- Përçahen shoqatat e gjyqësorit për mbledhjen e Konferencës Kombëtare të Gjyqtarëve të thirrur më 5 Dhjetor 2009 nga krerët e Gjykatave të Rretheve e të Apeleve si dhe nga krerët e Shoqatës së Gjyqtarëve. Dy ditë më parë ishte gjyqtarja Manjola Bejleri, e cila në emër të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve deklaroi se thirrja e Konferencës Kombëtare Gjyqësore është i nxituar dhe duhej të pritet ligji për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të KLD-së nga kjo konferencë. Ndërsa dje sekretari i Unionit të Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, deklaroi se qëndrimi i koleges është i nxituar dhe se nga tryeza e zhvilluar dy ditë më parë nën drejtimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, nuk ka dalë në asnjë përfundim në lidhje me mbledhjen e KGJK-së.

"Kemi vendosur që me 5 Dhjetor të organizojmë një mbledhje të gjyqtarëve, ku do të diskutohet për pavarësinë e sistemit gjyqësor, rritjen e transparencës së publikut dhe besimit te drejtësia. Kjo mbledhje nuk është Konferenca Gjyqësore Kombëtare, por vetëm takimi i gjithë trupës së gjyqtarëve për të vendosur nëse duhet apo jo të mblidhet Konferenca Gjyqësore Kombëtare për të zgjedhur katër anëtarët e rinj të KLD-së pa pasur një ligj për KGJK-në,"- tha Hoxha. Ai shtoi se, "kemi mbetur peng i politikës, peng i qeverisë e cila në mënyrë të pajustifikueshme e la të pa miratuar këtë ligj. Është viti i dytë, që nuk është miratuar ky ligj, është absurde. Edhe nga krahu tjetër. Faji kryesor është i politikës, në radhë të parë e qeverisë dhe së dyti i opozitës, që e kanë lënë KGJK-në pa ligj", - tha gjyqtari Hoxha.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›