E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panairi i punës; Fluks ofertash për studentët e Ekonomikut

Ekonomistët e rinj, më të kërkuarit në panairin e punës që mbahet në Pallatin e Kongreseve. Oferta edhe për kualifikimin personal. Çfarë u duhet për të aplikuar dhe sa janë shanset për t’u punësuar

Panairi "Tregu i Punës, Tiranë 2008", i çelur në mjediset e Pallatit të Kongreseve, me rreth 70 stenda biznesesh nga më të suksesshmet në treg, të vendosura në një sipërfaqe prej 2200 metër katrorë, shënoi një fluks të madh frekuentuesish.

Që në hyrje të tij shikon mijëra të interesuara, kryesisht të rinj të sapodiplomuar, të cilët me aftësitë respektive dhe CV-të e tyre në dorë, vizitojnë stendat për t’u njohur me vendet e punës që ofrojnë bizneset e fushave të ndryshme, si në telekomunikacion, shërbimin bankar, linjave prodhuese, menaxhim, marketing, sektorin e ndërtimit, instalimeve hidraulike dhe elektrike etj.

Panairi i punës në Tiranë, në dallim nga shërbimet e tjera të punësimit që u adresohen dhe ndihmojnë punëtorët e pakualifikuar dhe që nuk kanë akses në informacionin për tregun dhe vendet e punës, është konceptuar t’u adresohet një spektri të gjerë punëkërkuesish, madje edhe specialistëve të diplomuar e specializuar në universitete.

Amelda Kraja, një studente e sapodiplomuar në degën e Financës, brenda ditës së djeshme kishin aplikuar për punësim në katër kompani. Ajo shprehet se “ky aktivitet ishte një mundësi shumë e mirë, pasi në një kohë shumë të shkurtër unë pata shansin që të informohesha mbi mundësitë e punësimit”. Amelda shpreson që të përzgjidhet nga kompanitë ku ka aplikuar, pasi siç ka konstatuar ajo, kërkesat janë të mëdha, si rrjedhojë edhe konkurrenca është e tillë.

Një pohim i tillë vjen edhe nga përfaqësuesit e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe Zyrës së Punësimit në Tiranë. Drejtuesit e tyre, edhe pse po e ndjekin nga afër ecurinë e këtij panairi, nuk kanë ende një statistikë të saktë për numrin e deritanishëm të të papunëve që kanë aplikuar pranë bizneseve për ofertat e tyre të punësimit, por ata parashikojnë se numri i kërkesave për punë mund të llogariten sa katërfishi i 2000 vendeve të punës që ofrohen në panair. “Ka një fluks të madh kërkimi për mundësi punësimi pranë firmave pjesëmarrëse dhe ky fakt rezulton se edhe panairi i Tiranës, i ngjashëm më panairet e tjera të punësimit të zhvilluara në Berat, Durrës dhe Fier, do të vjelë rezultate të suksesshme”, - u shpreh drejtori i Zyrës së Punësimit në Tiranë, Thoma Melo, sipas të cilit, efektiviteti i panaireve të punësimit qëndron në nxitjen e punësimit, duke krijuar një treg pune të hapur ndaj kërkesës dhe ofertës. Ai tregoi se deri tani mosha më e hasur në stendat e bizneseve janë studentët e sapodiplomuar dhe mosha deri në 35 vjeç, por ka kërkesa edhe nga punëkërkues me arsim të mesëm. Vlera e këtyre aktiviteteve sipas Melos qëndron në faktin se po nxirren shërbimet e punësimit nga rutina dhe monotonia dhe po ekspozohen ndaj aktorëve të tjerë të tregut, si punëdhënësve, ashtu edhe punëkërkuesve.

“Konceptimi i këtij panairi është një nga mënyrat më komode që ne të gjejmë punonjësit më të aftë për nevojat që kemi”, - tha përfaqësuesi i firmës “Teleperformancë”, e cila ofron 500 vende pune për operatorë “call center”.

Bashkëpunimi i bizneseve me shërbimet publike të punësimit po rrisin fuqinë e tyre në tregun e punës. Drejtoresha e Politikave në Shërbimin Kombëtar të Punësimit (SHKP), Mirela Marto, vlerësoi se “tashmë zyrat e punësimit, si shërbim publik, mund të konsiderohen jo thjesht si zyra, por shërbime punësimi. Ky nuk është thjesht një ndryshim emërtimi, por ndryshim vizioni, mentaliteti, misioni dhe funksioni”.

Firmat pjesëmarrëse në panairin e Tiranës janë: QFP1 QFP4 (qendër formimi), Selenica bitumi (minierë), Banka Amerikane, BKT, Raiffaisen (banka) Vodafone, Medicom (universitet), PARSH (fondacion), GRID (sondazhe), Grupi Dudaj (universitet), FIA (grup investuesish), Çelësi (informacion), UNYT (universitet), NGB, PRO CREDIT (banka), EDIL ALIT (ndërtim, telekom), 100% shqip (qendër informimi), Teleperformancë (Call center), ZRP, AMC, Atlantik, Universiteti Evropian i Tiranës, MEGA Tek (prodhim gipsi), MAXI sh.p.k. (prodhim mermeri) etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›