“Vesa e mëngjesit”, kapen 147 kg drogë Lazarati, një në pranga
Është arrestuar një 17-vjeçar nga Lazarati, ndërsa janë shpallur në kërkim tre persona të tjerë. Droga po transportohej në drejtim të Sarandës e më pas drejt Greqisë
Gjirokastër Strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës kanë goditur sërish një rast të trafikimit të lëndëve narkotike nga fshati Lazarat në drejtim të zonave të tjera të vendit. Gjatë operacionit antidrogë të koduar “Vesa e mëngjesit”, policia lokale ka sekuestruar një sasi prej 147 kg marijuanë, ka ndaluar personin e dyshuar si transportues të saj, ndërkohë që ka shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, mes të cilëve pronarin e dyshuar të kësaj ngarkese me lëndë narkotike.
Gjurmimi
Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, rreth orës 03.00 të mëngjesit të së dielës, specialistët e antidrogës kanë ndërmarrë operacionin antidrogë të koduar “Vesa e mëngjesit”. “Ne dispononim informacione të marra në rrugë operative, se një automjet me disa çanta me lëndë narkotike që drejtohej nga një i ri po dilte nga fshati Lazarat duke udhëtuar në drejtim të Sarandës”, thonë burime policore. Nga ana e saj policia lokale ka ngritur disa pika kontrolli përgjatë rrugës kombëtare Gjirokastër -Sofratikë , si dhe një pikë kontrolli poshtë fshatit Lazarat në vendin e quajtur “Gropa e Gëlqeres”. Gjithashtu në këtë zonë u stacionuan edhe shërbime të fshehta të policisë për të survejuar çdo lloj lëvizje të dyshimtë. “Pas gati 20 minutash nga nisja e operacionit antidrogë, makina e dyshuar, një automjet tip Fiat Punto, pa targa, doli nga fshati Lazarat duke lëvizur me shpejtësi në drejtim të Sarandës”, thonë specialistët e antidrogës në Gjirokastër. Në këtë situatë efektivat e policisë kanë bërë bllokimin e rrugës me një automjet të policisë me fenelina ndezur, duke i bërë shenjë drejtuesit të automjetit të ndalojë. Por drejtuesi i automjetit dhe një person tjetër që ndodhej në makinë porsa kanë konstatuar praninë e policisë kanë shtuar edhe më shumë shpejtësinë e mjetit. “Madje Fiat-i ai ka goditur automjetin e policisë që i kishte zënë rrugën, duke vendosur në rrezik serioz jetën e punonjësve të policisë”, thonë burimet policore. Si shkak i përplasjes me mjetin e policisë, Fiat-i ka pësuar defekt, çka ka bërë që dy personat që ndodheshin në të të braktisnin makinën. Sipas policisë, duke përfituar nga errësira, ata kanë tentuar t’i fshihen ndjekjes së policisë në rrethinat e fshatit Lazarat.
Arrestimi
Pasi janë vendosur në ndjekje të tyre efektivat e policisë kanë ndaluar shoferin e mjetit, një 17-vjeçar nga fshati Lazarat, me inicialet H.M., ndërkohë që personi tjetër ka mundur t’i shpëtojë policisë. Gjatë kontrollit të Fiatit të braktisur, policia gjeti në brendësi të tij 4 çanta të mëdha shpine, ku në secilën prej tyre transportoheshin 30 pako me lëndë narkotike. Gjithashtu gjatë kontrollit policia gjeti edhe dy thasë plastmasi, ku secili kishte 15 pako me lëndë narkotike. “Në total sasi e lëndës narkotike të gjetur në automjet llogaritej në rreth 147 kg marijuanë”, thonë burime zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër. Pas sekuestrimit të ngarkesës me lëndë narkotike policia ka ndaluar shoferin e automjetit, ndërkohë që personi tjetër që i shpëtoi ndjekjes së policisë, me inicialet K.S., 26 vjeç, nga fshati Lazarat, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se është pronari i ngarkesës me 147 kg marijuanë. Sipas grupit hetimor, ngarkesa me marijuanë ishte marrë në fshatin Lazarat dhe po transportohej në drejtim të Sarandës. Madje gjatë hetimeve intensive në lidhje me këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike grupi hetimor ka arritur të identifikojë edhe dy personat që prisnin ngarkesën me drogë në Sarandë, të cilët janë shpallur në kërkim. Materialet në ngarkim të katër personave të dyshuar për implikim në këtë rast të trafikimit të ngarkesave me lëndë narkotike i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Bledar Shehu