Panajot Pano, “Pushkashi shqiptar”
“Nëse Panajot Pano ndoshta nuk mund të më kujtojë më, unë e kam parasysh atë gjithmonë”, - është shprehur dikur për shtypin gjerman “Kaizeri”, Franc Bekenbauer, legjenda e madhe e futbollit botëror dhe Gjermanisë, për atë performancë të jashtëzakonshme të “Jotit” në ndeshjen e Shqipërisë kundër Gjermanisë në vitin 1971.
“I shpejtë si era, energjik, depërtues, i papërmbajtshëm, bomber i vërtetë”. Këto janë disa nga përcaktimet e bëra nga gazetarët dhe radikronistët e kohës për Panajot Panon, legjendën e futbollit shqiptar dhe ish-futbollist i famshëm i Partizanit, që, gjatë karrierës së tij futbollistike ka luajtur mbi 700 ndeshje, 100 prej të cilave ndërkombëtare, përfshirë edhe ato miqësore të klubeve dhe ekipeve kombëtare dhe olimpike, mbushi të shtunën rrumbullak 70 vjeç. I zbuluar nga “profesori pa diplomë” Xhavit Demneri, “Pushkashi i vogël” shqiptar, i cili e “braktisi fushën e blertë” 35 vjet më parë, në vitin 1975, u nderua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me medaljen “Nderi i Kombit”, medalja e tij e tetë personale gjatë një ceremonie dinjitoze të organizuar në Pallatin e Brigadave.
“Panajot Pano nuk ka qenë vetëm një personazh brilant i sportit, por ka qenë, është dhe besoj se jeni dakord, që është një njeri shumë i respektuar, një njeri me të gjitha parametrat qytetare”, - u shpreh Topi, një ish-president nderi i Klubit të Futbollit Tirana.
Vetë sportisti më popullor në Shqipëri, “Mjeshtri i merituar i sportit”, Panajot Pano, tha pas marrjes së titullit: “Dua të them se kam jashtëzakonisht shumë emocione, emocione të mëdha, sidomos me këtë president që jam sot. Më mirë të kisha luajtur ndonjë ndeshje ndërkombëtare. Ju faleminderit shumë zoti president për këtë nder që më bëtë! Faleminderit Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kolegëve të mi, që më kanë ndihmuar në të gjithë sferën e futbollit dhe gjatë gjithë karrierës sime sportive”.
Në kujtimet e një tjetër emri të madh të sulmit shqiptar, Refik Resmjes, 9 herë golashënuesi më i mirë i Shqipërisë dhe rekordmeni absolut përsa u përket golave të realizuar në një kampionat të vetëm, 59 të tillë në kampionatin e vitit 1951, Pano përshkruhet kështu në “Visaret e sportit shqiptar” (autorë Ismet Bellova e Lluka Heqimi): “Pano ka qenë i shkëlqyer, driblues e depërtues i shpejtë si vetëtima, mjaft i rrezikshëm”. Ish-portieri i Partizanit e Kombëtares, Mikel Janku, bashkëkohës i Jotit e “tepron”: “Është një mit i futbollit tonë, mund ta krahasojë me Pelen, Eusebion, Mylerin e Rivelinon. Për 18 vjet ka qenë i pakrahasueshëm, i papërsëritshëm, i adhuruar dhe i dashuruar nga mijëra zemra, që kanë rrahur për lojën e futbollit në çdo anë të Shqipërisë”. Besim Fagu, një tjetër emër i madh e ka cilësuar Panon si një “futbollist madhështor e si një talent të rrallë. Në rreshtin e parë e në piedestalin e nderit ku qëndrojnë Riza Lushta, Loro Boriçi e Refik Resmja”.
Me katër kampionate të fituara (1961, 1962-1963, 1963-1964) dhe pesë Kupa të Shqipërisë (1961, 1964, 1966, 1968, 1975), Panajoti u shndërrua në një ikonë të futbollit shqiptar, në idhull të rinisë vendase dhe lider i padiskutueshëm i skuadrës së kuqe.
Panajot Pano, një kampion Ballkani, pohon se mbeti i zhgënjyer nga puna e rusit Lukshinov dhe rumunit Balanasku. Në nëntor të vitit 2003, me rastin e jubileut të UEFA-s, ai u shpall “Lojtari i artë” i Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vitin 2005 ai u shpall “Futbollisti i më i mirë i shekullit”, një listë kjo e publikuar nga FIFA me 100 sportistë, nga një për çdo vend.
EKIPET
1955-1957: “17 Nëntori” (të rinjtë)
1957-1959: “17 Nëntori” (të rriturit)
1960-1975: Partizani
1962: Dinamo (për Kupën Ballkanike)
TROFE KOLEKTIVE
4 herë më Partizanin: 1961, 1962-1963, 1963-1964, 1970-1971
5 herë fitues i Kupës së Shqipërisë: 1961, 1964, 1966, 1970, 1973
TROFE INDIVIDUALE
3 herë golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar: 1960 (12 gola), 1961 (17 gola), 1969-1970 (17 gola).
MEDALJET NDËRKOMBËTARE
Medalje argjendi në Turneun e Ushtrive të Lindjes, Hanoi 1963
TITUJ SPORTIVË
“Mjeshtër sporti”
“Mjeshtër i merituar i sportit”
“Nder i sportit shqiptar”
DEKORATAT
Urdhri i Artë “Mjeshtër i madh”
Urdhri i Punës i Klasit të Parë
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të Tretë
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të Dytë
Urdhri i “Naim Frashëri” i Klasit të Parë
Urdhri i Artë “Naim Frashëri”
Medalja e Meritës për 100-vjetorin e FIFA-s
Medalja “Nderi i Kombit”
I ZGJEDHUR
President Nderi i Klubit të Futbollit “Partizani”
President Nderi i FSHF-së
“LOJTARI I ART˔
Pano është një nga 52 fituesit e çmimit “Golden Player” apo “Lojtari i artë” (të fituar nga një lojtar për çdo vend) dhënë nga UEFA në vitin 2003. Kjo listë me 52 lojtarët më të mirë të kontinentit u hartua me rastin e 50-vjetorit të qeverisë europiane të futbollit dhe me emra të tillë të mëdhenj si italiani Dino Xof, portugezi Eusebio, bullgari Hristo Stojçkov, gjermani Fritz Valter, hungarezi Ferenc Pushkash, anglezi Bobi Mur.
OFERTAT E PAREALIZUARA
Pano ka luajtur dhe ka shkëlqyer kundër lojtarëve të mëdhenj nga Gjermania, Jugosllavia, Polonia, Turqia apo Bullgaria. Ish-sulmuesi i madh nuk mundi të luajë për asnjë ekip të huaj, edhe pse pati disa oferta nga vëzhgues nga Gjermania, Holanda, Danimarka, Zvicra, Irlanda e Veriut, apo Turqia, të ardhur së bashku me ekipet e tyre kombëtare për llogari të klubeve të huaja.
KARRIERA SI TRAJNER
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, “mjeshtri i topit” drejtoi për disa kohë si zëvendëstrajner Partizanin, me të cilin fitoi në vitin 1979 titullin kampion, të cilin e përsëriti në vitin 1981, por edhe Kupën e Shqipërisë në vitin 1980. Por Pano, me origjinë familjare nga Delvina, drejtoi si trajner i parë Butrintin e Sarandës.
Nga “Pele” te “Gerd Myleri” shqiptar
Panajot Pano, 70 vjeç, ka lindur në Durrës më 7 mars të vitit 1939, por prindërit e tij janë me origjinë nga Delvina. Ai vlerësohet si njëri nga futbollistët më të mëdhenj të Shqipërisë.
Djaloshi Pano e nisi karrierën e tij si portier, por cilësitë e tij të rralla e shndërruan atë si sulmuesin më të madh me fanellën e Tiranës e Partizanit, përpos ndonjë ndeshjeje ndërkombëtare si i huazuar me Dinamon. Dikush në Shqipëri e quan një “Pele shqiptar”, një tjetër një “Pushkash i vogël”. Një i tretë e konsideron magjistar përpara portës si një “Gerd Myler në versionin shqiptar”. Një i katërt e konsideron futbollistin si një “viktimë të komunizmit”, që i mbylli rrugën drejt Beshiktashit të Stambollit. Por, Pano, tashmë 70-vjeçar, e quan veten thjesht një futbollist. Ndërsa ekspertët një gjeni. Shifrat flasin: afërsisht 700 ndeshje, 100 prej tyre ndërkombëtare (miqësore e zyrtare); 400 gola në Shqipëri dhe rreth 50 gola në ndeshjet ndërkombëtare. I pari që dalloi cilësitë e jashtëzakonshme të nxënësit 13-vjeçar të shkollës “10 Korriku” dhe e inkuadroi në një ekip sportiv ishte ish-trajneri i ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Adem Karapici. Iljaz Dingu dhe Fadil Bakalli i japin mësimet e para për futbollin, ndërkohë që ishte merita e Xhavit Demnerit, i cili e gjeti djaloshit virtuoz në pozicionin e sulmuesit te të rinjtë e “17 Nëntorit”, ku fitoi titullin kampion në vitin 1957 dhe u shpall golashënuesi më i mirë me të rinjtë.
Pano: “Si e shënova golin e parë të Shqipërisë në Europë”
Dyzet e pesë vjet më parë, më 29 qershor 1963, në Kopenhagen nisi edhe aventura e Shqipërisë në kampionatet europiane, atë Euro 1964, finalet e të cilit u zhvilluan në Spanjë dhe u fituan po nga toreadorët. Në fakt, shorti i eliminatoreve të Euro 1964-s e vuri Shqipërinë përballë Greqisë, por fqinjët tanë refuzuan të luanin kundër nesh, duke vendosur si pretekst “Ligjin e luftës” që ekzistonte midis dy vendeve. Me një “kualifikim” të dhuruar, Kombëtarja jonë u vu përballë Danimarkës në Kopenhagen, njëherësh edhe ndeshja e parë e luajtur në fushë në Kampionatin Europian. Humbje shokuese 4-0 më 29 qershor 1963. Goli i parë në eliminatoret e një kampionati europian i përket legjendës Panajot Pano (atëherë 24 vjeç), vetëm tre minuta nga fillimi i takimit, i cili vulosi edhe fitoren e parë të Shqipërisë në Europë.
Panajot Pano e përshkruan kështu golin historik të kuqezinjve: “Nuk ka gol pa vlerë, se fundja për atë luhet futboll. Për të shënuar apo për të mos pësuar... Goli im me Danimarkën në Tiranë pati një vlerë të madhe se u shënua shumë shpejt (3') dhe publiku i pranishëm në ‘Qemal Stafa’ u ndoq nga e gjithë Shqipëria, për më tepër që e kanë ndjekur të gjithë ndeshjen me kënaqësi, pasi dolëm në fund si fitimtarë. Goli erdhi pas një pasim të Lin Shllakut nga e majta e sulmit tonë. Kam dribluar dhe sa i jam afruar te zona e 16-shes në krahun nga tribuna qendrore kam gjuajtur rrufeshëm në krahun e djathtë të portës daneze nga ana e qytetit. Portierit i ka kaluar topi nën duar se ishte fare rrafsh me tokën dhe me shpejtësi shumë të madhe, pasi e godita plotësisht e fuqishëm. Ishte goli i parë në shkallë europiane dhe ndaj një skuadre shume të fortë, e cila u rendit e katra në Europë. Të mos harrohet edhe fakti tjetër: ne nuk pësuam gol”, - deklaroi gjatë një citimi për “Albania”-n presidenti i nderit të FSHF-së.
Për “sportistin shqiptar të shekullit të kaluar” ai konsiderohet edhe si goli më i bukur i tij, që përkoi me ndeshjen e parë me përfaqësuesen, karrierë që përfundoi pas 20 vjetësh, më 7 nëntor 1973, në ndeshjen miqësore me përfaqësuesen kineze. Në 24 ndeshje (12 për kampionatet europiane) “Pushkashi i vogël” shqiptar realizoi 4 gola me përfaqësuesen dhe nga 34 gola ndërkombëtarë të “stilit Pano” me Kombëtaren, Tiranën e Partizanin, ku 11 gola i përkasin “vitit të artë 1963”.
50 “stadiumet” e Panos
Bari i 50 stadiumeve anë e mbanë Europës është shkelur nga “këpuca e rëndë” e Panos. Sulmuesi brilant ishte një emër i njohur edhe në arenën ndërkombëtare. Stadiumet e Moskës, Leningradit (sot St. Petërburgu) në Rusi, Torinos në Itali, Amsterdamit në Holandë, Gllazgout në Skoci, Budapestit në Hungari, Stambollit në Turqi, Bukureshtit në Rumani, Sofjes në Bullgari, Varshavës në Poloni, Brukselit në Belgjikë i dhanë një famë të pamatë lojtarit më të dalluar të viteve 1960-1970, i cili fitoi edhe medaljen e argjendtit me skuadrën e Partizanit në Turneun e Laipcigut (1960) në ish-Gjermaninë Lindore dhe Hanoit (1963) në Vietnam.
7 Mars 2009