E Diel, 1 Nëntor 2026

KUJTIM ÇASHKU: “Arti im mes çakut dhe shkopinjve të gomës”



Petrika GROSI
Këtë herë personazh i suplementit “Albania Weekend” vjen një nga regjisorët e njohur të kinemasë shqiptare dhe themeluesi i së parës shkollë kinematografike në vendin tonë. Mjafton të thuash kaq për të kuptuar pa shumë mund se flitet për regjisorin Kujtim Çashku. Ai tregon vështirësitë e tij në jetë dhe për përballjen me dhunën e shtetit në këtë dhe atë kohë, gjithmonë në mbrojtje të artit, idealit, pasionit për kulturën kundër diktaturës dhe shkopinjve të gomës...

Prof. Çashku, le ta nisim bisedën tonë nga aktualiteti...
Sapo kam shkuar në Prokurorinë e Tiranës dhe kam ngritur një akuzë ndaj ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, zotit Pango, lidhur me keqinformimin e publikut gjatë bisedës që patëm me gazetarin Blendi Fevziu, ku Pango ngriti akuza të paqena ndaj meje. Kam kërkuar që të sqarohet çdo lloj e vërtete dhe kush shpif, të mbajë përgjegjësinë përkatëse.

Nëse do të mund të ktheheshim prapa në kohë, cili është kujtimi më i largët për ju?
Mendoj që tani për tani po jetoj në një kohë kur vetëm emrin kam Kujtim, pasi nuk jam në gjendje që të jetoj me kujtimet e së kaluarës. Do të thosha se vëmendja duhet përqendruar veçanërisht në çështjet që kanë të bëjnë me situatën aktuale tepër të rënduar; ne nuk mund të bëjmë mësim normal sepse në hyrjen e shkollës, nuk e di nga hytë juve, por nëse erdhët me një automjet, jeni detyruar ta linit jashtë, pasi nuk na lejohet të fusim asnjë mjet brenda shkollës. Nuk e kuptoj këtë situatë që vazhdon të mbetet pezull, e pazgjidhur, duke mbetur të rrethuar me tela...

Dhe të mendosh që para pak kohësh u çel një ekspozitë mbi krimet e komunizmit, ku simboli kryesor ishte një gardh telash me gjemba!
Gjithë këto kohë këtu ka pasur një sërë gazetarësh vendas, sikurse jeni ju, por edhe shumë të huaj... Dua të them se për askënd nuk jep një përshtypje të mirë situata e krijuar, e ngjashme me pamjen e një burgu të rrethuar me tela. Mendoni si projektohet ky burg i vogël në psikikën e studentëve, pedagogëve apo të huajve që shkojnë e vijnë këtu gjatë gjithë kohës. Pas asaj traume që kanë, studentët, në vend që të rikuperojnë të gjithë aftësitë psikike të tyre e t’i rikthehen punës krijuese, vazhdojnë të jenë në gjendjen e rrethimit me tela. U bëj thirrje autoriteteve që parku të rikthehet në gjendjen normale, të rivendosen të gjitha objektet dhe të rikonstruktohet gjithë ajo që u prish në një mënyrë të pandërgjegjshme. Qëndroj në faktin se ka një keqinformim të plotë që ka ardhur nga një njeri i papërgjegjshëm si z. Pango, i cili i thotë qeverisë se parku është një sipërfaqe e lirë, duke e çuar qeverinë në vendimmarrje të gabuar. Them se duhet të gjendet sa më shpejt zgjidhja dhe ne të legjitimohemi, qoftë nëpërmes një akti kontraktual, apo faktit të shtesës së vendimit të qeverisë së mëparshme të z. Nano. Mbi të gjitha, i rëndësishëm është kthimi i normalitetit duke mbajtur gjallë kulturën oksidentale që ky universitet mbart në zemrën e vet.

Krijimi i Akademisë “Marubi” ishte ëndërr e juaja?
Jam në ujërat e mia këtu. Ndodhemi në një mjedis ku është gatuar kinematografia shqiptare. Jemi pranë Arkivit të Filmit dhe përpara Korpusit Qendror të Kinematografisë. E shikoj këtë vend vetëm si një mjedis kinematografik. Përse shkolla këtu, do të thoni? Sepse siç e kam thënë dhe më parë, e kam ndier në sheshet e xhirimit mungesën e madhe të infrastrukturës të të gjithë teknicienëve që realizojnë filmin. Një film realizohet me 50-60 bashkëpunëtorë, të cilët mungonin dhe vazhdojnë të mungojnë. Nga ana tjetër, ata që quheshin regjisorë të rinj, si Koçi, Xhuvani etj., janë të gjithë mbi 40 vjeç. Ishte krijuar një gafë, një boshllëk shumë i madh. Shkolla duhet që të plotësohen diferencat e mëdha në dekada të regjisorëve tanë, sigurimi i vazhdimit të hallkave të këtij zinxhiri.

Një arsye më tepër për ju do të ishte dhe mungesa e një fakulteti të mirëfilltë për regjinë filmike në Akademinë e Arteve, apo jo?
Nuk është vetëm kjo, pasi shkolla e filmit është tjetër gjë. Përgjithësisht në çdo shkollë jepen leksione për kinematografi, madje dhe në shkollat e mesme apo ato të ciklit të ulët. Nuk është më si një kohë kur veç shkollat e kinematografisë mund të merren me kinematografi. Kështu që edhe Akademia e Arteve mund ta bëjë këtë gjë duke përgatitur teknicienë, kritikë të kinemasë etj. Akademia “Marubi” në këtë aspekt është unike. Kemi të bëjmë me një cikël të mbyllur dhe një shkollë të mirëfilltë kinematografike e televizive. Është një korpus i tërë që animohet si brenda dhe jashtë.

Një kohë e vështirë ka qenë për ju edhe filmi i parë që diktatura ua ndaloi?
Më pëlqen të kujtoj kooproduksionin e parë që ne bënim me një vend perëndimor si Franca dhe më pas Polonia, me filmin “Kolonel Bunker”. Patëm pengesa edhe atëherë, pasi kur vjen një e re prish një statuskuo të caktuar. Në kohën e këtij filmi ligji i kinematografisë ende nuk ishte miratuar. Ne vepronim për të dhënë kazusin, në mënyrë që ky kazus që po krijohej të përligjte kauzën. Kjo do të thotë që të përligjej ndryshimi i prodhimit kinematografik në Shqipëri. Dhe tabloja që kemi sot është ajo e shtëpive filmike që krijojnë filma. Edhe unë kam këtë shkollë dhe jam një shtëpi filmike, e cila prodhon filma me studentët e saj dhe nuk merr para nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë, siç merr çdo prodhues tjetër. Studentët vetë paguajnë një pjesë modeste në raport me koston e filmit. Një metrazh i shkurtër që financon QKK-ja shkon 30 milionë lekë të vjetër. Ne e balancojmë këtë kosto me politikën e partneritetit; një pjesë e partnerëve të vendeve perëndimore e kanë quajtur formulën tonë (një ndërtesë publike, përgjegjësinë private dhe politikat me partnerë) si e vetmja mundësi që i jep reputacion të madh në një kohë të shkurtër një akademie filmi, si në rastin e Marubit.

Nëse flasim për të kaluarën, në mos gaboj jeni censuruar edhe në filmin tuaj të parë nga diktatura komuniste, apo jo?
Probleme kam pasur. Kur kam ardhur fillimisht student në Kinostudio kam bërë një film që m’u censurua dhe nuk e di çfarë fati pësoi. Filmi ndërtohej duke e parë kinematografinë si një pjesë e asaj që quhet “sinveritas”, pra siç e shikon realitetin.
Filmi “Pranverë në zemër” u godit në atë kohë sepse u quajt si një nxirje e realitetit socialist.

Për çfarë bënte fjalë ky film?
Kisha xhiruar në Minierën e Bulqizës minatorët që punonin ashtu siç ishin në të vërtetë, dhe jo të veshur e të rregulluar. Një e vërtetë kaq e hidhur nuk i vinte përshtat propagandës së kohës, ndaj dhe u bë censurimi i filmit. Megjithatë, duke respektuar pyetjen tuaj, nuk mund të shkëputem nga shqetësimi im aktual se çfarë do të bëhet me shkollën dhe normalizimin e gjendjes në të.
Situata është dramatike. Për këtë moment ne nuk dimë se çfarë do të ndodhë më pas. Peticioni ynë vazhdon. Janë rreth 1227 personalitete nga e gjithë bota që firmosin peticionin për Akademinë e Filmit “Marubi”. Shteti shqiptar duhet ta ndalojë këtë imazh negativ që po përhapet anembanë botës. Jetojmë në një botë virtuale, ku çdo imazh shpërndahet në një sekondë të vetme. Një orë e më parë duhet gjendur zgjidhja. Një pjesë e studentëve janë para provimeve dhe në këtë periudhë ata janë tepër të ndjeshëm.

Kush e ka shkaktuar, sipas jush, gjithë reprezaljen që ndodhi me Marubin?
E kam shumë të vështirë ta përcaktoj saktë. Mund të jetë një grup njerëzish që jetojnë me xhelozinë e vogël, mund të jetë një grup njerëzish që jetojnë vetëm me shpifje dhe e përdorin pushtetin për të realizuar ato që nuk kanë arritur dot kurrë në jetë dhe që u mungojnë. Mund të jetë një grup njerëzish që nuk e përballojnë dot suksesin e të tjerëve (në këtë rast jo timin, por të Akademisë “Marubi”), ashtu siç mund të jetë një grup njerëzish që kur ngjiten në pushtet e identifikojnë veten me pushtetin dhe i japin të drejtën vetes të bëjnë gjithçka ndaj gjithkujt. E vërteta është se njerëz që deri dje thoshin se mbronin ligjin, një ditë të bukur u panë në televizion të zhveshur, me nderin dhe ligjin që i kishin thjesht në fasadë.

E pra, si e keni pritur skandalin me ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango?
Gjithë sa ndodhi nuk e shikoj jashtë kontekstit të logjikës së gjithçkaje çfarë ka vepruar z. Pango kundër kulturës. Pango ishte si stacioni i fundit i kësaj të keqeje të madhe ku kultura është katandisur në gjendjen që është sot.

Prof. Çashku, jam kureshtar, si mund të ndihet një personalitet i kinematografisë, siç jeni ju, i njohur për të gjithë shqiptarët, në momentin kur trajtoheni pa shkak njësoj si të ishit kriminel?
Pra, çfarë përjetonit gjatë përballjes me forcat e rendit për të mbrojtur Akademinë “Marubi”?
Mendoj se kur ke një ideal, një arsye të fortë dhe një pasion, je i gatshëm që të ndeshesh me këdo. Qe një ndeshje nga ideali që kam në shpirtin tim dhe dashuria për artin e kinematografinë. Po të doja të bëhesha i pasur do të kisha zgjidhur rrugë tjetër dhe do të isha bërë ministër, siç bënë shumë të tjerë. Por unë mbeta ky që jam; nëse do ta përmblidhja jetën time në disa rreshta, do të thosha: “Një njeri që bëri disa filma dhe hapi shkollën e parë shqiptare të kinematografisë”. Në atë përballje brutale që kisha me forcat e rendit mendoja se ky ministër Kulture që po shikonte se si ushtrohej dhunë ndaj meje dhe personaliteteve të tjera të artit dhe kulturës, mund të merrte në moment telefonin dhe t’i thoshte ministrit të Brendshëm: ‘Ndaloni dhunën ndaj artistëve dhe studentëve’. Aty ishte prof. Abaz Hoxha, Vladimir Prifti etj. Gjëja e parë në ndërgjegjen e një ministri Kulture në atë rast duhej të ishte ndalimi i dhunës ndaj artistëve. Fakti që Pango nuk e bëri një gjë të tillë lë shteg të mendojmë se ai ka qenë një inspirues i kësaj dhune. Duke qenë se ai, siç pamë në televizor, kishte preokupime të tjera, se ku dhe se si do të takohej me njërin apo me tjetrin, natyrisht që nuk i interesonte shumë se çfarë ndodhte me artin dhe artistët.

Kur një episod i tillë ndodh me personalitete të njohura, nëse shohim më larg, a duhet të shqetësohemi për njerëzit e thjeshtë?
Akti që ndodhi, natyrisht përcjell një frikë. Por prania e Avokatit të Popullit në krahun tonë, apo shkarkimi i menjëhershëm i këtij ministri, tregojnë se ka një reagim. Nëse ky ministër nuk do të mendonte për çështje të tjera, jam i sigurt se do të kishte qenë shumë më i vlefshëm për Akademinë “Marubi”, por edhe për qeverinë. Ai nuk do t’i shkaktonte kryeministrit Berisha dhe PD-së këtë humbje të madhe të elektoratit. Por faktet tregojnë se kishte hyrë aty ku ishte për interesa të tjera, dhe jo për t’i shërbyer artit dhe kulturës. Goditjen më të madhe në këtë rast ia ka dhënë ky njeri PD-së dhe elektoratit. Kam zhgënjimin më të madh për këtë njeri që spekuloi mbi një qeverisje, mbi një parti që nuk mund ta identifikoj kurrsesi me z. Pango. Nëse do të flas në planin tim personal me Pangon, ai nuk mund të hidhte akuza mbi mua në momentin kur i thashë se ku ishte ai në vitet ’90, kur kurrizi im ka ngrënë shkopinj gome në përleshjen e parë të studentëve. Nuk e dija që këto shkopinj gome do të binin sërish mbi mua dhe mbi studentët pikërisht tani, pas 19 vitesh. Në këto momente Pango spekuloi duke bërë një shpifje të rëndë, duke thënë se në lëvizjen demokratike mund të kenë hyrë njerëz për qëllime të caktuara, duke hedhur baltë mbi punën, jetën, personin dhe veprën time.

Si e mbani mend atë kohë kur shkopinjtë e gomës u përplasën mbi ju në protestat e para për demokraci gjatë viteve ’90?
Mund të them se si shumë të tjerë, jam ndeshur së pari në Kinostudio. Ishim një grup njerëzish që kundërshtuam për herë të parë përfaqësues të Byrosë Politike. Shfaqëm nevojën për domosdoshmërinë e ndryshimit të sistemit politik në atë kohë. Në datën 8 dhjetor kërkova te gazeta “Drita”, në mënyrë eksplicide dhe të hapur, pluralizëm politik për vendin tim. Këtë e bëra pa ditur se çfarë do të ndodhte të nesërmen. Pa ditur se kishim lënë një takim me z.Berisha dhe Besnik Mustafajn për të shkuar te vdekja e nënës së Mehmet Elezit dhe që në atë moment na u tha se studentët po marshojnë drejt Liceut Artistik në protestë. Ne u shkëputëm që të tre. Studentët, sa na panë, thanë që intelektualët janë me ne dhe nga ai moment shkopinjtë e gomës ranë mbi artistët. Këtë imazh e kam ndër më të bukurit e jetës sime, edhe pse mbi ne binin shkopinjtë. Tani kam përsëri një imazh të bukur kur bashkë me studentët e mi u ndesha me policët për të mbrojtur një shkollë.

U bë kohë që nuk shikojmë një film tuajin...
Këto vite ia kam dedikuar krejtësisht shkollës. Të them të drejtën jam shumë i lumtur nga prodhimet e studentëve, sikurse jam i trishtuar kur dështojnë. Është një ndjenjë e mrekullueshme, që nuk e kisha provuar ndonjëherë më parë. Në anën tjetër, kam një skenar të gatshëm që ka të bëjë me një komedi të zezë mbi Europën Juglindore, e cila shumë shpejt do të shohë dritën e ekranit. Dy herë kam qenë në Kaliforni dhe Los Anxhelos për të gjetur bashkëpunëtorët kryesorë, pasi filmi ka të bëjë me një histori që lidhet me Amerikën.

Do ta shmangni shtetin duke mos e marrë fondin e Qendrës Kombëtare?
Shteti nuk është Xhevdet Ferri. Ai mund të jetë një uzurpues i një strukture me politikat dhe preferencat që bën. Nuk është rasti të merremi me të, por do t’i vijë radha.

Si e keni përjetuar familjarisht situatën më të fundit?
Më tronditësja ishte mbesa ime e vogël, që shikonte se si rrihej??????????? babai i saj dhe si përlesheshim ne me policët, si kapeshim, si hiqeshim zvarrë dhe futeshim nëpër furgonë. Ajo qante në kopsht. E gjitha kjo nuk ka kaluar pa një traumë te unë, gruaja, djali, gruaja e djalit tim, nipërit dhe mbesat...

Si reaguan kolegët tuaj kur ndodhte reprezalja?
Ka qenë për t’u përshëndetur gjesti i Pirro Milkanit, edhe pse u shty nga policia. Edhe aktori Timo Flloko ka ardhur përditë dhe ka dhënë deklarata publike kundër dhunës që po ndodhte. Ka qenë, siç e dini, Vladimir Prifti, gjatë gjithë kohës. Dua të shpreh konsideratën për aktorët Neritan Liçaj dhe Arben Derhemi, të cilët po kështu bënë deklaratat e tyre. Gjithashtu, Todi Bozo, në moshën e tij, nuk përtoi të bënte deklaratë publike. Po kështu falënderoj Natasha Lakon, piktorin Gëzim Qendro, Maks Velon etj. Ka pasur dhe disa njerëz që preferuan heshtjen.

Cili është regjisori që do të mbetet i paharruar për ju?
U them dhe studentëve shpesh se nëse ka një gjeni që mbetet për të gjitha kohët është Metropolisi dhe Frislang.

Ndërsa nga regjisorët shqiptarë?
I respektoj të gjithë kolegët e mi me të cilët kemi punuar, pavarësisht nga pozicionet dhe dritë-hijet. Edhe për të ndjerin Viktor Gjika, është një yll i pashuar në kinematografinë shqiptare.

Vath Koreshi...
Siç e shikoni edhe në hyrjen e shkollës ai mbetet një simbol i yni. Nuk di ç’do të bënte Vathi po të ishte gjallë dhe të shihte se çfarë ndodhi këtu. Shkolla ka krijuar edhe bursën “Vath Koreshi” për studentë të varfër, por të talentuar.

Miqësia me Vath Koreshin...
(Çashku, gati i përlotur, me zërin që papritur nisi t’i dridhet.) Kemi bërë plot gjëra bashkë. Ishim bashkudhëtarë. Dimensioni i artistit nuk matet me fatin e njeriut vdekatar fizikisht, por me atë që merr frymë edhe kur nuk është gjallë. Vepra e tij është një produkt shpirtëror që dialogon me të dhe na ndjek pas në breza. Ky është Vath Koreshi, një mik, një bashkudhëtar i çdo momenti, qoftë dhe tani me mua.

Për ata që e njihnin mirë, me Vathin, më tepër se për familjen apo halle të tjera personale flitej mbi artin, shqetësimet shoqërore, librin, filozofinë e kinemanë... Ju mungojnë ato biseda aq të bukura dhe spontane?
Ishte një model qytetari, i jashtëzakonshëm.

Shikoj këtu një fotografi tuajën me Xhim Belushin...
Që nga viti 2004 salla e kinemasë mban emrin “Xhim dhe Xhon Belushi”. Në vizitën e fundit që Xhim Belushi bëri këtu nxorëm edhe një fotografi unike të tijën bashkë me vëllanë.

Ju intrigon ideja për ta pasur aktor në një film tuajin Belushin?
Ne mbajmë kontakte të vazhdueshme...

7 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›