E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panariti: Prioritet integrimi evropian

04-07-2012 / Gazeta 55

Zv/kryeministri Haxhinasto, takim lamtumire me stafin e Ministrisë së Jashtme
 
Edmond Haxhinasto ka lënë dje zyrtarisht ministrinë e jashtme duke u spostuar në ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës duke ia lënë kështu vendin Edmond Panaritit.
Në takimin e fundit me stafin e ministrisë së jashtme, Haxhinasto ka bërë një bilanc të shkurtër të punës, të cilën e vlerësoi si tejet pozitive dhe me shumë arritje.
Nga ana e tij, ministri i ri i Jashtëm, Edmond Panariti ka theksuar se përparësi i diplomacisë shqiptare do të mbetet anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian.
Ai gjithashtu përshëndeti edhe vendimin e GND-së për t’i dhënë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar si një moment historik.
Pas ndryshimeve më të fundit në qeveri, Edmond Haxhinasto është larguar nga posti i ministrit të Jashtëm për të drejtuar ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ndërsa tashmë në krye të diplomacisë shqiptare do të jetë Edmond Panariti.
Ndërkohë Ministri i ri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, zhvilloi dje një takim me Ambasadorin italian në Tiranë, Massimo Gaiani. Sipas ambasadës italiane në Tiranë, vizita qe një rast për t’i përcjellë kreut të ri të diplomacisë shqiptare, i cili po dje bëri betimin para Presidentit të Republikës, urimet nga ana e Qeverisë italiane për punë të mbarë.
Gjatë takimit në ambientet e MPJ-së, u shkëmbyen mendime rreth marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, të karakterizuara nga një bashkëpunim i shkëlqyer dhe nga marrëdhënie miqësie të konsoliduara.
Takimi i djeshëm bëri gjithashtu të mundur thellimin e disa çështjeve, të cilat do të trajtohen gjatë vizitës së Ministrit Panariti në Romë, në datën 9 Korrik, me ftesë të Ministrit italian të Punëve të Jashtme, Giulio Terzi.
Vizita e ministrit Panariti në Romë më 9 korrik, është pasqyruar edhe nga mediat e vendit fqinj.
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›