Panariti fton Klintonin në Tiranë

Edmond Panariti dhe Hilari Klinton
Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, u takua në Nju Jork me sekretaren e Shtetit, Hilari Klinton, në darkën që ajo shtroi për delegacionet e vendeve anëtare të NATO-s. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme thuhet se gjatë takimit u konfirmua sërish niveli shumë i mirë i marrëdhënieve mes dy vendeve. “Ministri Panariti vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe çështjes shqiptare. Me këtë rast ai shprehu dëshirën që znj. Klinton të vizitojë Shqipërinë në vigjilje të kremtimeve për 100-vjetorin e pavarësisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme. Nga ana e saj, Klinton vlerësoi zhvillimet pozitive në Shqipëri në kuadrin e procesit të marrjes së statusit kandidat në BE dhe shprehu mbështetjen e administratës amerikane në këtë drejtim. Gjithashtu, ajo përshëndeti kontributin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s në shërbim të ruajtjes së paqes dhe sigurisë. Klinton, gjithashtu, u shpreh se ky është një vit i shënuar për popullin shqiptar, duke premtuar një vizitë në Shqipëri. Gjatë qëndrimit në SHBA, Panariti u takua me sekretarin britanik të Shtetit, Uilliam Hague, të cilin e informoi për ecurinë pozitive të përmbushjes së kritereve të vendosura nga Komisioni Europian për marrjen nga Shqipëria të marrjes së statusit kandidat në BE brenda vitit. “Me këtë rast, ai kërkoi mbështetjen e qeverisë britanike për marrjen e statusit. Nga ana e tij, z. Hague vlerësoi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe siguroi për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Bashkëbiseduesit diskutuan mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe ndanë mendime mbi zhvillimet e fundit në rajonit”, bën të ditur Ministria e Jashtme.