E Shtunë, 31 Tetor 2026

Panariti në Australi: Diaspora të jetë më aktive

Edmond Panariti

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, gjatë vizitës zyrtare në Australi, zhvilloi një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në këtë vend, e cila përbëhet nga rreth 20.000 banorë dhe përfaqëson të gjitha trevat shqiptare. Zyra e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se përfaqësuesit e kësaj diaspore përshëndetën vizitën e ministrit Panariti në Australi, duke e cilësuar atë një ngjarje historike, pasi është e para vizitë e zhvilluar nga një zyrtar i lartë shqiptar në këtë vend dhe se u krye në prag të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Më tej, biseda u përqendrua në aktivitetet që parashikon të organizojë diaspora shqiptare në Australi me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, si dhe në hapat që duhet të ndiqen nga qeveria shqiptare për afrimin e diasporës me shtetin amë. Ministri Panariti u bëri thirrje përfaqësuesve të diasporës që të ishin më aktivë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, Kosovës dhe trevave shqiptare, si dhe të shtonin përpjekjet në forcimin e raporteve shqiptaro-australiane në të gjitha fushat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›