Topalli: Më shumë gra në drejtim

Topalli dje në Vjenë
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli deklaroi dje në Vjenë, se është koha që shtetet të hartojnë politika të reja ndaj femrave, si një çelës për të kapërcyer krizën ekonomike globale. Deklaratat e kryetares së Kuvendit erdhën gjatë takimit të kryetarëve të parlamenteve europiane, i organizuar nën kujdesin e kryetares së Parlamentit të Austrisë, Barbara Prammer. Në fjalën e saj, Topalli u shpreh se gratë përbëjnë gjysmën e popullatës në Europë dhe në botë. Në parlamentet tona ato përfaqësojnë më pak se 30%. Kjo është si të kesh një vrimë të zezë në shoqërinë tonë. Imagjinoni, edhe tani, madje edhe 12 vjet pas mijëvjeçarit të dytë. Kryetarja e Parlamentit shqiptar vuri theksin te ndikimi i rolit të gruas në dhënien e zgjidhjeve për krizën ekonomike përmes alternativave të tyre në kapërcimin e kësaj situate globale. Pse të mos shihen mundësitë në kohë sfidash. Është koha për politika të reja ndaj gruas. Është mençuri të investosh te gruaja. Kriza ekonomike globale mund të jetë një mundësi për të krijuar politika të reja gjinore. Investimi për gratë mund të jetë një zgjidhje e zgjuar. Gratë mund të jenë një alternativë për krizën globale. Në syrin e kësaj krize ekonomike globale, gratë mund të jenë elementet e ndryshimit, u shpreh kryeparlamentarja. Duke folur për ndikimin e grave lidere në botë, kryetarja e Kuvendit tha: Dy ditë më parë, revista Forbes rendiste në top-listën e 100 grave më të fuqishme të botës kancelaren gjermane, Angela Merkel, sekretaren amerikane të Shtetit, Hilari Klinton dhe Presidenten braziliane, Dilma Rusef. Disa tituj kryesorë ngrinin pyetjen: Hilari Klinton, Merkel, Ledi Gaga: Cila prej tyre është më e fuqishme? Unë se di këtë. Ajo që di, është se këto lidere kanë një zë të fuqishëm sot në botë. Ato janë modele për miliona dhe miliarda gra në botë. Ato inspirojnë. Ato janë vendimmarrëse të shkëlqyera. Roli i tyre, ndikimi i tyre për ti dhënë formë jetës ekonomike, sigurisë dhe kulturës, është i pabesueshëm. Ja pse, kur ne çlirojmë potencialin ekonomik të grave, ne ngremë performancën ekonomike të komuniteteve, kombeve dhe botës.