Ndalimi i gazetarit Mema, pala shqiptare kërkon shpjegime
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka kërkuar sqarime nga Amabasada greke në Tiranë, lidhur me ndalimin e gazetarit Marin Mema, të djelën në pikëkalimin kufitar të Qafë Botës.
Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Punëve të Jashtme thotë se ka ndjekur me shumë shqetësim ngjarjen e së dielës, “kur gazetarit të Top Channel, zotit Marin Mema iu refuzua hyrja në territorin e Republikës Greke nga autoritetet e policisë kufitare në pikën e kalimit të kufirit në Qafë-Botë“.
“Lidhur me këtë rast-, thuhet në vijim të deklaratës, -Sekretari i Përgjithshëm i MPJ, z. Gazmend Turdiu u takua me Evangelos Tsolkas i Ngarkuar me Punë ad interim i Greqisë në Tiranë. (në mungesë të ambasadorit grek).
Ministria e Punëve të Jashtme gjykon se pengesat në realizimin e të drejtës për lëvizjen e lirë, nuk janë në përputhje me vullnetin e shprehur nga të dy palët, me nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe japin një sinjal jo pozitiv.
Sekretari i Përgjithshëm i kërkoi përfaqësuesit të Ambasadës greke arsyen përse gazetari Marin Mema cilësohet person i padëshiruar në regjistrin kombëtar të Republikës Greke“.
Ambasada greke nuk ka bere asnje njoftim per rastin.
Gazetari i Top Channel Marin Mema mesditën e së dielës ndërsa po kryente procedurat për të hyrë në shtetin grek në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Botës iu komunikua vendimi policisë greke se i ndalohet hyrja në shtetin helen, sepse cilësohet se përbën rrezik për sigurinë kombëtare në këtë vend.
Marin Mema është i njohur si gazetar i një rubrike special në Top Channel, ku sjell herë pas herë dëshmi historike mbi fatin e shqiptarëve në Çamëri, Greqi, dhe jetën e patriotëve shqiptarë që janë ndeshur me shovinizmin grek.