E Diel, 1 Nëntor 2026

Pandeli Majko: Marrëdhëniet shqiptaro-greke janë në një pikë të vdekur

Share

Ish-kryeministri Pandeli Majko shkruan në gazetën greke Metarithmisi, duke replikuar me ish-ambasadorin e Greqisë në Uashington, Aleksandros Mallias.

Festimi i 100-vjetorit të themelimit të shtetit të pavarur të Shqipërisë i gjen marrëdhëniet politike të Greqisë me vendin tonë fqinj në gjendje statike dhe guxoj të theksoj në gjendje amullie. Ato karakterizohen nga mungesa e lëvizjes dhe e energjisë pozitive. Kontaktet politike midis dy vendeve janë të kufizuara Asnjëherë në të kaluarën, me përjashtim njëzetmuajshin e gurtë korrik 1993-mars 1995, nuk kishim një mungesë të tillë kontaktesh, vizitash, dialogu konstruktiv dhe konsultimesh dypalëshe në nivel politik

Këto janë fjalitë hapëse të një shkrimi të Aleksandros Mallias, ish-ambasadori i Greqisë në Uashington dhe një nga diplomatët profesionistë të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Ai botoi një shkrim analitik  për perspektivat e kësaj marrëdhënieje, ndër më të vjetrat në rajonin e Ballkanit. Ky shkrim u botua në sajtin grek Metarrythmisi (Reforma), por unë e lexova në shtypin shqiptar.

Është hera e parë që botoj diçka ekskluzive për shtypin grek. Por mendoj se kam arsye të rëndësishme për ta bërë këtë nisur edhe nga fjalitë e forta të ambasadorit Mallias. Ato duhen vlerësuar si kambana të një arsyetimi që duhet parë me  seriozitetin e merituar. Aktualisht, marrëdhëniet shqiptaro-greke janë në një pikë të vdekur, ku statuskuoja e distancës nga njëri-tjetri vetëm sa do ta përkeqësonte atë në vazhdim.

Pyetja naive është e shkurtër: Çfarë po ndodh mes Greqisë dhe Shqipërisë? Në Greqi mua më njohin si Kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Por besoj më kujtojnë edhe në një aspekt më njerëzor, kur mjekët grekë shpëtuan jetën e vajzës sime të sapolindur. Ajo tani i ka mbushur 13 vjeç dhe emrin e pagëzimit edhe me insistimin tim ka atë të gjyshes sime dhe të qytetit, spitali të cilit i shpëtoi jetën, Athina. Kjo që sapo thashë bën pjesë tek ato pjesëza historish midis shqiptarësh e grekësh, të cilat padashur të bëj populistin, janë baza e vërtetë e miqësisë midis dy kombeve tona. Politikanët shqiptarë dhe grekë me njëri-tjetrin, përgjithësisht kanë qenë të ndryshëm, me shumë lëkura, me deklarime të kalibruara dhe padyshim të superfiltruara nga diplomacitë respektive ose të ngarkuara me superlativa që mund të thuheshin për marrëdhëniet me një shtet të parëndësishëm, ku inflacioni i pozitivitetit nuk ka asnjë konsekuencë. Ajo që thotë në artikullin e tij Mallias ka të vërteta të rëndësishme, të cilat edhe kur ngrihen si pyetje janë pjesë e arsyes së nivelit aktual të marrëdhënies shqiptaro-greke. Renditja e problemeve aktuale fillon me marrëveshjen e kufirit detar midis dy vendeve tona, e cila u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë (me unanimitet). Shprehja në kllapa ka nënkuptim të fortë, që për zgjuarsinë greke nuk ka nevojë të shpjegohet gjatë. Nga ana tjetër, mosnjohja e shtetit të Kosovës nga Greqia është aktualisht arsyetimi më i fortë për cilindo që në hapësirën ku jetojnë shqiptarët dëshiron të ngrejë pikëpyetje për mënyrën se si politika greke shikon marrëdhëniet me faktorin shqiptar në rajon. Për të vazhduar pastaj me teori konspirative që datojnë që nga krijimi i Jugosllavisë për të ashtuquajturin koalicion Beograd-Athinë dhe që në fakt janë të një niveli hipotetik. Nëse do të donit opinionin tim pa doreza, ai është se vonesa e vendimmarrjes greke ndaj njohjes së shtetit të Kosovës ka bërë që edhe vetë politika e Serbisë të jetë më prezente dhe evolutive në marrëdhëniet me shqiptarët. Ndërkaq, nuk duhet të harrojmë faktorë të rinj si Kroacia, e cila po plotëson vakumin e krijuar pas shembjes së Jugosllavisë në rajon. Nuk më duket etike ta them se përkrahja gjermane nuk ka për ti munguar  shtetit kroat në këtë situatë, por e di ndërkaq se analistët grekë gjakftohtë nuk do të ma kursenin fjalinë Pandeliu ka pak të drejtë Ndërkaq, Turqia po zbarkon në rajon edhe si një faktor  ekonomik. Komentet janë të tepërta dhe për këtë temë të fundit ruaj të drejtën për të folur një herë tjetër. Ambasadori Mallias ngre një tezë shumë interesante për bashkëpunim të ngushtë të politikës greke me faktorin shqiptar në FYR të Maqedonisë. Kam frikë se pikërisht këtu duhet pasur kujdes. Shqiptarët, ashtu si edhe grekët, e përbuzin rolin e të përdorurit. Gjatë luftës së ftohtë deri në 1999-n, faktori shqiptar me dhe pa të drejtë mund të shikohej si një faktor anësor në terrenin ballkanik, ndaj të cilit duhej të ushtrohej presion për tu mbajtur nën kontroll apo duke nxitur karrierat e politikanëve shqiptarë të dyshimtë dhe të paaftë për të qenë lojtarë seriozë. Mendoj se koha ka ndryshuar më shumë se sa vetë politikanët shqiptarë dhe grekë në rajon. Pyetja që shtrohet në këtë kontekst është: A është Shkupi sot dhe për një mijë vjet një problem serioz për të ardhmen e Greqisë apo një aperitiv të cilin, ne, politikanët e Ballkanit dimë ta shijojmë në heshtje sipas parimit urrejtja krijon më shumë identitet se sa dashuria? Përgjigjja ime është diplomatike: NUK E DI!

Ajo që di, me siguri, është se unë, djali im, nipi im, stërnipi im dhe shumë shqiptarë sot e mot nuk mund ta besojmë se një shtet binacional me kryeqytet Shkupin do të përbënte rrezik për sigurinë kombëtare të shtetit mik grek. Fjalën mik, tani, nuk po e përdor si term diplomatik, por si një qëndrim që populli grek dhe politikanët e tij duhet ta dinë se në çfarë ane do të qëndrojnë shqiptarët në një konflikt të tillë hipotetik të denjë për fantazinë hollivudiane. POR Jam dakord që ka një të tillë. Një koalicion presioni që mund të krijohet ndaj çështjes maqedonase duke e parë FYR të Maqedonisë si viktimë. Ai mund ti ofrohet Greqisë për të krijuar probleme që do ta shmangnin atë nga pozitat gjeopolitike aktuale, duke e margjinalizuar nga një rol natyral në rajon. Ndërkohë që po shkruaja radhët e këtij shkrimi pata mundësinë të shoh një artikull tjetër të ambasadorit Mallias (fjalë të mbajtur në Vjenë  më 15 mars në një takim të organizuar nga ambasada e Britanisë së Madhe dhe Akademia Diplomatike) ku ai shprehte opinionin se Kosova është fqinji ynë (i Greqisë). Fqinji ynë më i ri. Çfarë është kjo!? Mbase unë kam një kuptim shumë të paqartë për statusin e fqinjit. Në dijeninë time midis Greqisë dhe Kosovës ekziston një shtet me kryeqytet Shkupin, ku ndodhet edhe një ambasadë greke dhe që është anëtar i Kombeve të Bashkuara. Nuk po bëj ironi! Pyetja e brendshme dhe mbase jopublike do të ishte nëse ky është keqkuptim apo çmim?! Aludimi duhet parë si një udhëkryq jo vetëm për politikën rajonale të Greqisë. Me shqiptarët nuk duhet folur me gjuhën e sirenave. Paqartësitë janë reflektim i dobësisë sonë kolektive në Ballkan. Politika e jashtme greke reflekton një cilësi të rëndësishme të profilit të saj në sjelljen dhe politikën ndaj Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon. Maqedonizimi i diplomacisë greke, të cilin unë e konsideroj artificial për të qenë cilësi verifikuese e funksionimit të saj, nuk mund të jetë model matës për trajtimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke. Në ra

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›