Berisha-Janaki: Greqia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE

Kryeministri Berisha priti sot në një takim Marjeta Janaki, Kryetare e Grupit Parlamentar të eurodeputetëve të NEA – Demokracisë, në Parlamentin Evropian.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, zhvillimet respektive në të dy vendet dhe bashkëpunimin e ngushtë e miqësor mes Partisë Demokratike dhe NEA – Demokracisë.
Kryeministri Berisha shprehu vendosmërinë e tij dhe të qeverisë shqiptare për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me interes reciprok. Ai vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria greke dhe shprehu besimin se ato do kenë efekte pozitive për Greqinë.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha e njohu znj. Janaki me reformat që po ndërmerr qeveria shqiptare për përballimin e pasojave të krizës ekonomike globale.
Një temë tjetër e diskutimeve mes Kryeministrit Berisha dhe znj. Janaki ishte edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë. Zonja Janaki vlerësoi ndryshimet e thella dhe pozitive që kanë ndodhur këto vitet e fundit në Shqipëri, si dhe garantoi mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të vendit tonë, si dhe për bashkëpunimin e gjithanshëm dypalësh.