Panetta: Të parandalohen sulmet në Afganistan

Sekretari i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Leon Panetta, ka biseduar me telefon me ministrin e mbrojtjes dhe atë të brendshëm të Afganistanit, për parandalimin e sulmeve të brendshme kundër forcave të NATO-s dhe atyre afgane.
Kjo ishte hera e parë që Panetta bisedoi me ministrin e mbrojtjes, Bismillah Khan Mohammadi, dhe me ministrin e brendshëm, Ghulam Mujtaba Patang, që kur ata u emëruan në postet e reja.
Kjo bisedë u bë pasi nga një sulm vetëvrasës dje u vranë 14 persona, përfshirë tre ushtarë të NATO-s dhe katër policë afganë, në pjesën lindore të Afganistanit.
Guvernatori provincial, Jabar Nahimi, tha se nga sulmi në qytetin Khost janë plagosur 37 civilë.
Talibanët afganë e kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm.