E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, çmimet e truallit për banesat, me kosto të ulët

 

Miratohet vendimi për çmimin e shitjes së truallit familjeve që përfitojnë banesa me kosto të ulët

TIRANË- Këshilli i Ministrave ka përcaktuar dje, përmes një vendimi, çmimin e shitjes së truallit familjeve që përfitojnë banesa me kosto të ulët. Sipas këtij vendimi, që është miratuar në unanim dje nga anëtarët e kabinetit qeveritar, çmimi i shitjes së truallit familjeve që përfitojnë banesë me kosto të ulet, do të përcaktohet sipas vlerës së tregut. Për trojet, pronë e shtetit, çmimi i shitjes përcaktohet sipas vlerave të miratuara për efekt të kompensimit të pronave. Për qytetet për të cilat nuk është miratuar ende vlera e truallit, do të përdoren për reference vlerat e qytetit më të afërt. I njëjti çmim i shitjes së truallit do të përdoret edhe për familjet më të ardhura më të larta se 14.000 lekë për frymë. Për familjet më të ardhura për frymë nga 9000 lekë - 14.000 lekë, çmimi i shitjes së truallit do të jetë sa gjysma e çmimit të përcaktuar për ato familje që kanë të ardhura mbi 14.000 lekë. Ndërsa familjet me të ardhura nën 9000 lekë për frymë, nuk paguajnë për çmimin e truallit. Për të përcaktuar nivelet e ndryshme të të ardhurave të familjeve, janë marrë në konsideratë disa parametra që përcakton ligji "Për programet sociale të strehimit të banorëve të zonave urbane". Ndërkohë, verifikimi i nivelit të të ardhurave do të bëhet në mbështetje të Vendimit të Këshillit të Ministrave "Për përcaktimin e dokumentacionit të nevojshëm, afateve dhe procedurave për të përfituar strehim nga programet e banesave sociale me qira". Kriteret për përcaktimin e çmimit të shitjes së truallit familjeve, që trajtohen me banesë me kosto të ulët, do të përdoren edhe nga Enti Kombëtar i Banesave për objektet e ndërtuara për të cilat nuk janë lidhur ende kontratat e shitblerjes, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në ligjin "Për programet sociale të strehimit të banorëve të zonave urbane".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›