Pango: “Kam fituar qysh me 20 shkurt”

Ministri i Ministrisë Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango, pohoi për mediat se ishte ai fituesi i madh në konfliktin e pazakontë midis shtetit dhe futbollit shqiptar, që solli edhe pezullimin e Shqipërisë nga FIFA e UEFA.
"Do t'u them vetëm pak fjalë, por dëshiroj t'i mi riprodhoni saktësisht. U realizua ajo që kam kërkuar qysh më datën 20 shkurt 2008, kur kam nënshkruar statutin e FSHF-së, me përjashtim të nenit 53.
FIFA ra dakord po ashtu sikundër edhe presidenti, që ky nen është antiligjor të ngrijë dhe statuti të jetë i firmosur, sic e kam firmosur, më 20 shkurt, më përjashtim të këtij neni 53. Pra, u pa e arsyeshme, ajo që kam thënë më 20 shkurt.
Ky nen do të ngrijë deri në momentin kur një grup ekspertësh të vijnë në Tiranë dhe të bëjnë ndryshimet përkatëse, që do të arrijë të sjellë edhe heqjen e pezullimit. Kur do ta mbarojë punën ky grup? Besoj se shumë shpejt. Thelbi është ky, UEFA dhe FIFA ranë dakord që ky nen nuk është i përshtatshëm. Besoj se jeni të qartë".