E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lindita Kodra, pistoleta e 4-t në Botë

Qitësja shqiptare Lindita Kodra, kampione e Europës në garën qitje me zjarr në distancë 25 metra dhe e kualifikuar për "Pekin 2008", u rendit e katërta në botë midis 60 pjesëmarrësve të garës në Kupën e Botës të Qitjes, që po zhvillohet në Kinë (10.4-204.2008), duke bërë një kërcim të jashtëzakonshëm edhe në renditjen botërore gjithëkohore, pasi ajo renditej më parë e 54-ta.
46-vjecarja Kodra, kuksjania që përfaqëson klubin Studenti, grumbulloi në Kupën e Botës "Pekin 2008", 782 pikë në total, një rezultat pak më i dobët se ai që arriti në vitin e kaluar në Kampionatin Europian në Granada të Spanjës, po të kemi parasysh se ajo grumbulloi në total 783.4 pikë.
Në Pekin në kualifikueset në gjuajtjet me precizion ajo grumbulloi 291 pikë: në serinë 1 të gjuajtjeve, 98 pikë; në serinë 2, 99 pikë dhe në serinë 3, 94 pikë. Në kualifikueset në gjuajtjet me shpejtësi grumbulloi 290 pikë (95, 97, 98). Në gjuajtjet finale, Kodra, e cila garon që nga viti 1979 në një garë kombëtare dhe nga viti 2001 në një aktivitet ndërkombëtar, grumbulloi 201 pikë.
Serbja Jasna Sekaric, e cila u rendit edhe para në botë në këtë garë, grumbulloi në total 784.4 pikë (294, 585, 199.4) Rekordi botëror është 796 pikë dhe mbahet nga bullgarja Maria Grozdeva, i vendosur në Kinë, më 11 prill 2005.
Në vend të dytë doli francezja Stefani Tirode, e cila në total arriti kuotën 784.4 pikë, por që zuri vendin e dytë pas një minigare speciale, ku serbja fitoi 50.6 pikë, kundrejt 50.4 të francezez. Në podium u ngjit edhe mongolezja Munzkul Tsogbadrah, me 783 pikë (294, 583, 783.4).
Pas qitëses sonë në tetë të parat, të cilat kanë të drejtën edhe të marrin pjesë në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" u renditën koreania Jumi Gim (781.4 pikë), kinezja Jing Cen (780 pikë), rusja Julia Alipava (778.6 pikë) dhe tajlandezja Tanyaporn Prucksorn me 776 pikë.
Kodra konkurroi fillimisht në këtë Kupë Bote, kur në qitje me ajër 10 metra me 378 pikë, është renditur e 38-ta mes 72 pjesëmarrësve. Në katër raunde, Kodra ka grumbulluar 97, 93, 93 dhe 95 pikë. Në qitjen me ajër, 46-vjecarja Kodra, krahasuar me Kampionatin Europian të zhvilluar një muaj më parë në Zvicër (mars 2008), nga 372 pikë në Zvicër, tanimë është 378 pikë, por edhe nga 45-ta në Zvicër te e 38-ta në Pekin.
Në Kampionatin Europian të Granadës në Spanjë (11.07.2007), Kodra arriti 783 pikë në total: 584 pikë në kualifikuese, 291 pikë në precizion, 293 pikë në shpejtësi dhe 203.4 në serinë finale.
Lindita Kodra, një nga qitëset më me përvojë në Shqipëri ka marrë pjesë në katër kampionate botërore (2001, 2003, 2006, 2008) dhe tre kampionate europiane (2001, 2002, 2007, 2008). Kjo është pjesëmarrja e dytë ndërkombëtare për vitin 2008 e Lindita Kodrës, sepse kohë më parë ajo mori pjesë dhe në Kampionatin Europian të qitjes me ajër, që u bë në Zvicër.
Kodra ka bërë një kërcim të madh, pasi vetëm pak ditë më parë, në renditjen e fundit e publikuar nga Federata Ndërkombëtare e Qitjes (ISSF), më 1 prill 2008, përpara fillimi të Kampionatit Botëror në Kinë, Lindita renditej e 54-ta në disiplinë gjuajtje me pistoletë në distancë 25 metra, ndërsa po në këtë disiplinë, qitësja tjetër shqiptare, 36-vjecarja Klarita Strataj, renditet në botë e 73-ta.

Lindita Kodra
Datëlindja: 11.2.1962
Vendlindja: Kukës.
Vendbanimi: Tiranë
Ekipi: Studenti
Trajner: Diana Mata, Alush Alla
Disiplina: Pistoletë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›