Paraburgimi në Berat, celular në pakon e djathit
Berat- Ka tentuar të fusë ushqime për një të paraburgosur në Berat, por bashkë me to edhe një celular të maskuar. Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites, kur në kontrollin rutinë të pakove me ushqime që hyjnë për ata që presin gjykimin, policia ka gjetur edhe celularin së bashku me ushqyesin. Lajmi bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë këtij institucioni. “Sot punonjësit e shërbimit të paraburgimit kanë arritur të zbulojnë në një pako djathi 3 kg, një celular të tipit nokia me gjithë ushqyesin”- thanë burimet zyrtare. Sipas hetimeve, celulari i adresohej të burgosit K.N, në hetim për pengmarrje dhe që pret të dalë në gjyq për ngjarjen e ndodhur pak kohë më parë. Gjatë ditëve të fundit, mësohet se punonjësit kanë zbuluar dhe dy celularë të futur në pakot e ushqimeve. Metodë, që duket se po kthehet në fenomen shqetësues për punonjësit e dhomave të paraburgimit. Për rastin në fjalë, mësohet se kanë ardhur oficerët e policisë gjyqësore dhe kanë nisur procedurat përkatëse. Dosja, sipas tyre, tashmë është e plotësuar. Personi që e ka sjellë, që rezulton të jetë familjar i të paraburgosurit do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë.