Paniku real i kryeministrit
Kryeministri shqiptar kërkoi dje një hetim ndërkombëtar për një figurë ordinere të krimit ballkanik të dekadës së fundit, duke shfaqur haptazi panikun që ka pasur ditët e fundit, për hapjen e petëve të lakrorit që është gatuar tre vitet e fundit. Duke dalë në mbrojtje të serbo-boshnjakut, Damir Fazlliç, z.Berisha është në krye të detyrës së tij antiligjore për të të mos e lënë drejtësinë shqiptare të çojë në zbardhjen e dosjeve të shumta të grumbulluara në këto vitet e fundit për kapjen e shtetit, abuzimet në privatizime, krijimin e monopoleve, përqendrimin e pushtetit ekonomik në disa duar të besuara, në tragjedi njerëzore dhe materiale siç ishte Gërdeci apo në megainvestimet që disbalancojnë buxhetin e shtetit dhe grabitin paratë e taksapaguesve shqiptarëve dhe ndihmat bujare të ndërkombëtarëve.
Se kush është klienti serbo-boshnjak që ka gjetur avokat në Tiranë kryeministrin dhe ministrat e tij, e tregojnë qindra rekordet e regjistruara në vendlindjen e tij Sarajevë dhe është banale të pretendosh se ai është “biznesmeni i ndershëm” për të cilin paska pritur me ankth vendi më i varfër i Ballkanit, kur autoritetet e vetë vendit nga vjen e kanë akuzuar disa herë si mashtrues ordiner. Por ai është njeriu i nëntokës që i është dashur qeverisë së z.Berisha. Ai ka meritën që nuk mund t’ia mohojë askush dhe është ajo që i jepet si “kartvizitë” në profilin si njeri i biznesit është aftësia për të bërë bashkë politikanët, biznesmenët dhe mediat proqeveritare. Këtë funksion ka kryer edhe në Shqipëri. Ka bërë bashkë qeveritarët e Shqipërisë me biznesmenët e huaj, edhe ata me rekordet më të nxira se të vetat dhe u ka garantuar shown mediatik, duke stimuluar me biznese të paligjshme, tellallët e qeverisë shqiptare. Si shpërblim është shpërblyer me firma fantazma dhe pasuri të paluajtshme, nën asistencën ‘teknike” të studiove ligjore ku implikohen familjarët e kryeministrit. Kjo është një skemë e thjeshtë, e asaj që klasifikohet “të bësh biznes” në Shqipëri, sigurisht jo asaj që merret si target në raportet e Bankës Botërore për liritë ekonomike të një vendi, por që përbën, anën e errët të një ekonomie të zezë, informale dhe që tmerron biznesin e ndershëm vendas dhe të huaj. Prokuroria shqiptare këtë po kërkon dhe ky është paniku real i kryeministrit për staturën e prokurorit në Shqipëri. Për të mos patur këtë panik e mbante nën sqetull prokurorin e përgjithshëm kur ishte president, në emër të këtij paniku e shpalli ish-këshilltarin e vet Theodhori Sollaku armikun personal dhe të partisë së vet dhe për ta hequr këtë panik dy herë mobilizoi Kuvendin që ta shkarkonte nga posti i prokurorit për Përgjithshëm, në nëntorin e shkuar. Atëherë ishte vetëm një dosje e madhe në zyrën e Sollakut, ajo për ish-ministrin Lulzim Basha, për rrugën “patriotike”, ku emri i Fazlliçit nuk u ishte bërë i njohur shqiptarëve. Prokurorja pasuese, pas një viti ka në dorë edhe dosjen e Gërdecit dhe një tjetër ministër pa imunitet dhe që të dy lidhen me emrin e mashtruesit ordiner ballkanas. Pas tyre është qeveria dhe shefi i saj, që komandon të gjitha fijet për punët e pista që bëhen në Shqipëri. Është në tagrin e akuzës që këto dosje të zbardhen dhe shqiptarët të marrin përgjigje, ndërsa sulmet e skifter-ministrave dhe ideja e kryeministrit për një hetim ndërkombëtar, tregojnë një shqetësim të madh, që nuk mund të ketë alibi mbrojtjen e biznesit të huaj apo të lirive të individit. Këtu bëhet fjalë për të fituar sa më shumë kohë, që drejtësia të mos vijë dhe ky është paniku real i kryeministrit.