Vlorë, i djegin makinën policit të burgut
Vlorë- Makina e një efektivi të policisë së burgutnë Vlorë është përfshirë nga flakët, ndërsa autorët janë ende të paidentifikuar. Automjeti ka qenë i parkur, në lagjen “Pavarësia”, në kohën që është përfshirë nga flakët.
“Persona të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin automjetit tip Isuzu, me targa Vl 0491 C. Si pasojë e tyre mjeti është djegur thuajse i tërë”-thanë burimet e policisë, pas hetimeve parprake të ngjarjes. Pasi kanë kqyrur vendngjarjen e kanë shqyrtuar provat, ekspertët kanë arritur në konkluzionin se gjithçka ka qenë e qëllimshme.
Për djegien e tij është përdorur një shishe me lëndë djegëse, e llojit benzinë. Ngjarja është dokumentuar për veprën penale të shkatërrimit ë pronës me zjarr. Grupi i ekspertëve është duke hetuar në dy pista, në atë të motiveve të dobëta, të cilët nuk e kanë përjashtuar si pistë të mundshme, por edhe djegies së ndodhur për shkak të detyrës që ushtron efektivi. Për këtë të fundit bëhen me dije vetëm inicialet A.S, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të autorësisë.