E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA-Berishës: Mos kërcëno prokurorët

Ambasada USA

Veprimet e fundit të qeverisë kundër prokurorisë që po heton Damir Fazlliç kanë shqetësuar Departamentin e Shtetit. “Bojkotohet” konferenca e Berishës

TIRANË- Sulmet e fundit të ministrave të ndryshëm të qeverisë Berisha por edhe të vetë kryeministrit, ditën e djeshme ndaj organit të prokurorisë kanë vënë në alarm edhe ambasadat e huaja në vendin tonë. E para që ka reaguar për këtë problem ishte Ambasada Amerikane në Tiranë, e cila i ka konsideruar veprimet e qeverisë si një ndërhyrje në pavarësinë e institucionit dhe si kërcënim i jashtëm ndaj prokurorëve. Paraditen e djeshme kryeministri Berisha ka thërritur gjatë konferencës së tij për shtyp përfaqësitë diplomatike të të gjitha vendeve që ndodhen në Shqipëri. Pothuajse të gjithë kanë marrë pjesë në këtë “takim” me përjashtim të Ambasadës Amerikane në Tiranë e cila e ka bojkotuar. Zyrtarisht kjo ambasadë nuk është paraqitur sepse “e kishte pushim për shkak të një feste në SHBA”.

Deklarata është bërë dje nga zëdhënësi i Ambasadës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Biks Aliu. “Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e Prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim. Të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore, dhe të pavarur pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve”,- tha dje zëdhënësi duke përfaqësuar në këtë mënyrë edhe politikën e Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me këtë çështje. Sipas zëdhënësit Aliu, respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme.

Kjo nuk është hera e parë që shteti amerikan reagon në lidhje me sulmet e njëpasnjëshme që qeveria shqiptare bën ndaj institucioneve të pavarura. Edhe më parë Ambasada Amerikane në Tiranë ka dalë hapur kundër veprimeve të qeverisë për të ndërhyrë në hetimin e qeverisë, për të ndërhyrë në hetimin e çështjeve që kanë lidhje me korrupsionin e ministrave të veçantë. Tonet e Ambasadës Amerikane në këto raste kanë qenë shumë të ashpra dhe brenda pak ditësh qeveria ka “ndryshuar” mendim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›