“Panteri” i Genta Ismajlit këngë e kopjuar nga armenia Silva Hakobyan
Uragani i muzikës shqipe Genta Ismajli nuk e ka për herë të parë. Pasi u përfol me të madhe rreth huazimit të skenave në klipin “Panter i zi” nga këngëtarja Jenifer Lopez, si duket ngjarja nuk mbaron vetëm me kaq! Ditëve të fundit është zbuluar se e gjithë kënga e Genta Ismajlit është komplet plagjiaturë nga një këngëtare armene. Ndoshta i gjithë faji është i Wirusit, kompozitor i këngës, por ja që teknologjia ka arritur përmasat e saj dhe herët apo vonë gati çdo gjë zbulohet. Nuk është hera e parë e huazimit për Gentën, dhe këngëtarja nuk mërzitet aspak pasi zbulime të ngjashme rreth këngëve të saj ka pasur edhe më herët, disa prej të cilave i kishin marrë nga vendet Arabe, kurse disa të tjera nga këngëtaret sllave.
Nuk e thonë kot që gjërat false e kanë jetën e shkurtër. Silva Hakobyan me këngën “I like” ka qenë fituese e BBC Music Awards në vitin 2006. Kënga është në gjuhën angleze kurse Genta e ka përshtatur në gjuhën shqipe tre vite më vonë. Silva është një këngëtare e gjeneratës së re në Armeni, por shumë e njohur pasi ajo ka sprovuar veten nëpër evenimente jashtë vendit, duke u kthyer edhe me çmime të rëndësishme. Genta Ismajli gjatë muajt tetor dhe nëntor ishte në vizitë tek prindërit e saj në Shtetet e Bashkuara, kurse pasi u kthye në Kosovë ajo kishte bërë një bisedë me disa media në Çikago, duke shprehur dëshirën e saj për të treguar talentin gati në gjithë botën.
“Unë kam kaluar një sukses të jashtëzakonshëm në vendlindjen time, kurse tash jam e gatshme të tregoj talentin tim në mbarë botën”, ka theksuar këngëtarja. Të enjten këngëtarja së bashku me shumë kolegë të saj të estradës ka qenë pjesë e koncertit në Amerikë, “Thank you USA” nën organizimin e RTV21.