E Diel, 1 Nëntor 2026

Paolo Klodiç de Sabladoski: Një histori me anije e shkodranë

Në vitin 1917, funksionari i lartë i Qeverisë Detare Austro-Hungareze, triestini Paolo Klodiç de Sabladoski mbërriti edhe në Shkodër. Veç të tjerash, Klodiç ishte edhe një piktor, nga ata të rrallët që merren vetëm me detin dhe anijet e që quhen ndryshe piktorë detarë. Nga Shkodra ai na sjell jo vetëm skica anijesh shqiptare, por edhe të dhëna historike e peizazhin e qytetit të asaj periudhe

Ishte viti 1917 kur funksionari i lartë i Qeverisë Detare Austrohungareze, mbërriti edhe në Shkodër. Nuk ishte e rastësishme kjo vizitë e Paolo Klodiç de Sabladoskit në qytetin verior i cili atyre viteve kishte të zhvilluar tregtinë me anije sidomos me Malin e Zi. Për arsye shërbimi, iu desh të realizonte këtë udhëtim gjatë vijës bregdetare të Adriatikut e pikërisht kjo marrëdhënie mes Malit të Zi dhe Shkodrës ndoshta e shtyu të ndalej edhe në Shqipëri, pranë liqenit të këtij qyteti. Por lidhja që Klodiç kishte me detin, nuk ishte vetëm puna. Për të kishte më shumë se aq. Edhe pse i diplomuar për Juridik, ai ishte edhe një piktor, një nga ata të rrallët që në fokus të krijimtarisë së tyre kanë vetëm detin dhe anijet. Ishte pikërisht kjo pjesë e jetës, ky pasion që e bëri të njohur në mbarë botën triestinin Paolo Klodiç de Sabladoski. Pikturat e tij, skicat e vizatimet nuk ishin vetëm vepra arti, por mbi të gjitha ishin edhe dëshmi historike të cilave edhe sot historianët i referohen. Paolo Klodiç, u bë i njohur për lexuesin shqiptar për herë të parë në librin e titulluar “Një histori shkodrane”, i cili u botua rreth një vit më parë nga oficeri i Forcës Detare Italiane, Paolo Muner, i cili nga arkivat e Triestes sjell në këtë vëllim dokumente e të dhëna historike, të cilat nuk njiheshin as nga historianët shqiptarë. Aty u botuan edhe skicat e Klodiçit në Shkodër. Duke iu referuar Munerit, në vitet 1913-1914, Shkodra kishte një rëndësi, që ndoshta sot nuk e ka si qytet. “E thënë sot, mund të tingëllojë mjaft qesharake, ka thënë në një intervistë të mëparshme për gazetën “Shqip” ai, por në atë kohë, prej të gjitha të dhënave të grumbulluara, rezulton se Shkodra ishte një qytet shumë i rëndësishëm detar”. Publikimin e këtyre skicave, Muner i konsideron si pjesën më të çmuar të këtij libri. Vizatimet, të cilat janë pronë e familjes Zentilomo – Klodiç de Sabladoski, në Trieste, na përcjellin imazhe krejtësisht të panjohura të Shkodrës së asaj periudhe. Duket se piktorin, në këtë rast, nuk e kanë tërhequr vetëm anijet, por edhe peizazhi i vendit që vizitonte për herë të parë. Nuk është aty vetëm liqeni, por edhe lumi Buna, një pamje e largët e qytetit të Shkodrës, në horizont edhe kalaja e Rozafës, parë nga Shiroka etj. Të thjeshta, të punuara në bardhezi, skicat e Klodiç, janë veç të tjerash edhe një dëshmi e rëndësishme, copëza historie jo vetëm nga Shkodra, por edhe i anijeve shqiptare që qarkullonin në këtë qytet. Duke iu referuar artikujve të ndryshëm, kryesisht të botuar nëpër revista detare, mësohet se Paolo Klodiç de Sabladoski, për sa i përket jetës profesionale, ishte një funksionar i Qeverisë Detare Austriake, (në kohën e Perandorisë Austriake, Trieste ishte "kryeqyteti" detar i Austrisë) ku me ngritjen e Kapitanerisë së Portit të Triestes, në periudhën e qeverisë aleate ushtarake, bëhet komandant. Ndërkaq, në një artikull të vjetër të një gazete trisetine, shkruhet: “Një piktor anijesh është diçka e rrallë...”. E në të vërtetë po kaq rrallë përmenden edhe emrat e atyre që iu kushtuan kësaj gjinie, mes tyre edhe ai i Sabladoskit. Për të, të pikturuarit e anijeve gjatë gjithë jetës mbeti interesi i tij kryesor artistik. Kishte nisur të pikturonte anije qysh fëmijë dhe vazhdoi kështu deri kur ndërroi jetë në vitin 1961. Për vendasit, ishte bërë e zakontë të shihnin piktorin teksa qëndronte në breg e pikturonte anijet, ose merrte një varkë të vogël me rrema dhe u afrohej fare pranë për të vizatuar prej saj çdo karakteristikë të mundshme. Ndonjëherë për disa anije, skicat e realizuara nga Paolo janë të vetmet dokumente që flasin për to. Ai lindi më 22 qershor të vitit 1887 në Trisete ku nisi studimet të cilat më pas i vazhdoi në Graz të Austrisë. U diplomua për Juridik. Me t’u bërë pjesë e qeverisë detare të Perandorisë Austro-Hungareze, ai punoi pranë kapitanerisë së portit të Triestes ku qëndroi deri në fund. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore u emërua Komandant i portit nga Qeveria Ushtarake Aleate dhe qëndroi aty deri në vitin 1954 kohë kur doli në pension. Pasionant anijesh dhe pikturash, ai iu kushtua me mjaft entuziazëm aktivitetit të piktorit të anijeve, një pasion që shkonte përtej një hobi normal duke u kthyer në një punë të dytë për të. Pasi ndërroi jetë, të gjitha skicat e realizuara prej piktorit të anijeve u përmblodhën në 30 vëllime ku u publikuan rreth 7 mijë skica, kryesisht në teknikën bardhë e zi, ndonjëherë edhe me ngjyra. Bëhet fjalë për një dokumentim mjaft të rëndësishëm dhe të çmuar sidomos për historianë detare. Përmbledhja e skicave në këto vëllime në kompleksitetin e saj përbën edhe një vepër unike në botë një burim të pashtershëm informacioni për një anë të veçantë të historisë së marinës. Kritikët që e komentuan veprën e Paolo Klodiçit, menjëherë pas vdekjes, e krahasuan atë me piktorë që në të shkuarën iu kushtuan detit në të gjitha dimensionet e tij. Por të gjithë kritikët në fund ranë në një mendje: asnjë si Klodiç nuk iu kushtua me kaq dashuri e pasion vetëm anijeve. Te secila prej tyre ai ka arritur të pikturojë atë që quhet shpirti, eleganca e saj. Sepse anija nuk është një subjekt i thjeshtë për t’u pikturuar, fillimisht ajo duhet kuptuar mirë, duhet parë përmes lojës së dritave që e rrethojnë dhe kjo marrëdhënie harmonike mes piktorit dhe subjektit përbën edhe arsyen për të cilën veprat më të vlefshme të Klodiç janë ato ku shfaqen vetëm anijet dhe deti pa praninë e ndonjë qenieje njerëzore apo diçkaje tjetër në sfond. Gjatë gjithë jetës së tij ai arriti të pikturojë më shumë se 10 mijë anije. Arti marinar është pa diskutim një prej degëve më të vështira, pasi kërkon jo vetëm zotësi në penel në trajtimin e ajrit, detit, por edhe njohuri të madhe për sa i takon historisë dhe teknikës detare.

Debutimi artistik i Klodiç ndodhi në vitin 1906, kur ishte vetëm 16 vjeç në një ekspozitë kolektive. Një vit më pas ai paraqitet në një ekspozitë vetjake në Trieste me punime në bardhë e zi. Prej asaj kohe ai vijoi të përballej me publikun duke lënë mënjanë edhe frikën e përballjes me artistë më të mëdhenj e më të njohur se ai.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›