Serbia do të sjellë ilaçe për “Nënë Terezën”

Veç firmave të njohura farmaceutike, të cilat kanë hyrë në tregun shqiptar, shumë shpejt konkurrente me to do të jenë edhe firmat farmaceutike serbe. Në vizitën e një muaji më parë mes një përfaqësie të shëndetësisë shqiptare dhe serbe nga ana e Shqipërisë është shfaqur interes lidhur me prodhimet farmaceutike të Serbisë, të njohura në të gjithë botën.
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, një memorandum mirëkuptimi mes dy vendeve, mundëson një bashkëpunim mes vendeve në fushën e ilaçeve, kryesisht për sëmundjet infektive apo ato tumorale. Po ashtu në një intervistë për gazetën “Shqip”, ambasadori shqiptar në Serbi, Shpëtim çaushi, ka theksuar se tashmë dy vendet kanë një marrëveshje bashkëpunimi, ku përfshihet edhe farmaceutika.
Interesimi“Ministri ynë i Shëndetësisë, Petrit Vasili, zhvilloi një bisedë të frytshme dhe konkrete në Beograd me kolegun e tij serb, Tomica Millosavljeviç, dhe më këtë rast u nënshkrua edhe një Memorandum Mirëkuptimi mes të dy vendeve”, sqaroi çaushi. Sipas tij, në takim, u bisedua për mundësitë e shkëmbimit të përvojës në fushën e mjekësisë, të profesorëve e të mjekëve të njohur të të dyja vendeve, si edhe të studentëve të tyre. “Ndërkohë, Shqipëria është e interesuar për importimin e ilaçeve, për prodhimin e të cilëve Serbia është e njohur në botë, me synimin që, në një plan dypalësh e shumëpalësh, të bashkëpunojmë në luftën kundër sëmundjeve të rënda, si kundër kancerit dhe sëmundjeve infektive. Ministrit Millosavljeviç iu bë ftesë që të vizitojë Shqipërinë, gjë që do ta realizojmë së shpejti”, deklaroi çaushi.
Vizita e Vasilit në SerbiMinistri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, një muaj më parë zhvilloi një vizitë zyrtare në Beograd me ftesë të ministres serbe, Tomica Milosavjlevic. Gjatë takimit, dy homologët kanë nënshkruar dhe të parin memorandum në fushën e shëndetësisë mes dy vendeve. Memorandumi përcakton bashkëpunimin në fushën e shëndetësisë dhe atë mjekësore. Bashkëpunimi mbështetet mbi bazat e sigurisë, të drejtat dhe shanset e barabarta, në kuadrin e kompetencave dhe legjislacioneve respektive. Gjatë qëndrimit të tij dyditor në Beograd, Vasili ka vizituar gjithashtu Institutin e Shëndetit Publik në Beograd dhe kompaninë farmaceutike “Galenika”. “Në përputhje me objektivat e këtij Memorandumi Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi, do të promovojmë krijimin dhe zhvillimin e lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet organizmave publikë dhe privatë për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit dhe mjekësisë”, tha ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në konferencën e përbashkët për shtyp në Beograd. Ky memorandum fokusohet në bashkëpunimin dypalësh në aspektet institucionale, trajnimin e specialistëve të shëndetësisë, ndërgjegjësimin e shoqërisë për çështjet që lidhen me mjekësinë, ndihmesa dhe aktivitete të përbashkëta, si dhe shkëmbim informacioni dhe eksperiencash. Shumë shpejt, sipas këtij memorandumi të nënshkruar pritet të fillojë shkëmbimi i informacionit mbi programet shëndetësore në të dyja vendet, si edhe shkëmbimi i publikimeve teknike dhe shkencore.
#