Papa Benedikti mirëpret ftesën për vizitë në Shqipëri
Zv/Ministri i Punëve të Jashtme Anton Gurakuqi, ka ftuar Atin e Shenjtë për një vizitë në Shqipëri dhe Papa Benedikti XVI ka mirëpritur ftesën, duke theksuar mundësinë e një vizite së shpejti në vendin tonë. Me 1 prill Zv/Ministri Gurakuqi, mori pjesë në audiencën e zhvilluar nga Papa Benedikti XVI ne Vatikan, ku pasi falënderoi Atin e Shenjtë për mundësinë e kësaj audience dhe theksoi se përpjekjet e Papës do të hyjnë në histori si mesazhe paqeje, larg dhunës dhe ndarjeve të çdo forme.
“Dëshmia e shpresës në Hyjin e gjallë”, trashëgimia e Gjon Palit II për të rinjtë -në 4-vjetorin e vdekjes/“Mos kini frikë”: fraza tashmë e famshme e Papës Gjon Pali II i vjen ndërmend personave që e kanë njohur komunizmin, nga i cili Ati i Shenjtë u bënte thirrje njerëzve të dilnin, me hir a pahir, por pa frikë. Vijnë ndërmend pikërisht në 4-vjetorin e përfundimit të jetës tokësore të atij, që turma e deshi “shenjt menjëherë”. Ishte ditë e shtunë, 2 prilli i vitit 2005, kur në orën 21.37 Papa Vojtila dha shpirt në moshën 84 vjeçare, i shoqëruar nga lutja e besimtarëve të botës mbarë, përveç mijërave të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Dje pasdite, pasardhësi i tij, Benedikti XVI kremtoi Meshën përkujtimore në praninë e të rinjve të dioqezës së Romës, të cilët kështu përgatiten për Ditën Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në nivelin dioqezan të Dielën e Larit. Papa Racinger nuk mund të mos kujtonte lidhjen e veçantë të Gjon Palit II me rininë, entuziazmin që ngjallte Vojtila në të rinjtë e oqeanet me të rinj që i shoqëronin takimet me Papën në Ditët e shkuara të Rinisë. “Falenderojmë Zotin – tha Benedikti XVI gjatë homelisë – që i dha Kishës për shumë vjet një Bari kaq të zellshëm e kaq bujar”. Edhe sot e kësaj dite homazhet në varrin e tij në Kriptën e Vatikanit nuk ndalen. Aty vijnë të luten mijëra njerëz, nga e gjithë bota, që presin shpalljen e lumnimit të tij nga ana e Kishës. Papa Racinger nuk harroi të përshëndesë edhe të rinjtë polakë, të ardhur në Romë në këtë ditë përkujtimore. Gjon Pali II – theksoi Benedikti XVI – ishte mbrojtës e dëshmitar i vërtetë i Krishtit: “Për Të nuk hezitoi të shpenzojë çdo energji për t’ia përhapur kudo dritën; nuk pranoi kompromise, kur i duhej të shpallte e të mbronte të Vërtetën e Krishtit; nuk u lodh kurrë së përhapuri dashurinë e Tij. Që nga fillimi i papnisë e deri më 2 prill 2005, nuk pati frikë t’u shpallte të gjithëve, gjithmonë, se vetëm Jezusi është Shpëtimtari e Çlirimtari i vërtetë i njeriut…”. E Papa Benedikti XVI iu kthye marrëdhënieve të Gjon Palit II me rininë, duke kujtuar se gjatë viteve të papnisë, ai u bë gati ati shpirtëror për mijëra vetë. Të rinjtë e pranishëm në Meshën e sotme janë shenja e dukshme e ndikimit të Shërbëtorit të Zotit. Ata ishin nga Roma, nga Sidnej e Madridi dhe përfaqësonin idealisht aradhet e djemve e vajzave, që morën pjesë në 23 Ditë Botërore të Rinisë, në çdo anë të botës: “Sa thirrje për meshtarì e për jetë rregulltare, sa familje të reja të vendosura të jetojnë idealin ungjillor e të priren drejt shenjtërisë, janë të lidhura me dëshminë e predikimin e Paraardhësit tim të nderuar! Sa djem e vajza janë kthyer në rrugën e Zotit, ose kanë vazhduar në rrugën e tyre të krishterë falë lutjes së tij, falë inkurajimit, mbështetjes dhe shembullit të tij”. Gjon Pali II, nënvizoi Papa Racinger, u komunikonte njerëzve një shpresë të jashtëzakonshme. E ishin pikërisht të rinjtë, ata që e ndjenë më shumë, se atë ditë të 2 prillit, katër vjet më parë, po vdiste Papa “i tyre”, ai që e konsideronin “atë” në fe, ai që u linte si trashëgim dëshminë e guximit e të koherencës. A s’kishte thënë mëse një herë se Ungjilli duhet jetuar, duke u bërë thirrje të rinjve e të rriturve ta marrin seriozisht këtë përgjegjësi të përbashkët edukative? E Benedikti XVI, duke theksuar se ky është shqetësim edhe i tij, shfrytëzoi rastin për të folur mbi emergjencën edukative të rinisë: “Në moshën e adoleshencës, të rinjtë kanë nevojë për të rritur të aftë t’u propozojnë atyre parime e vlera; ndjejnë nevojën e personave që dinë t’u mësojnë atyre me jetë, më parë se me fjalë, si të ndjekin idealet më të larta”. E për këtë nuk mjafton forca e njeriut, vazhdoi Papa, duke rimarrë në dorë temën e shpresës në Zotin, aq të dashur për të. Benedikti XVI kujtoi temën e Ditës së 24-t Botërore të Rinisë: “Shpresojmë në Hyjin e gjallë” (1 Tm 4, 10) e duke u thënë të rinjve se “nuk mund të jetohet pa shpresë”, u shpjegoi se ajo ka nevojë për një “shkëmb” ku të lidhet, ka nevojë pikërisht për Hyjin e gjallë: “Por kini kujdes - paralajmëroi Papa: në çaste si këto, në kontekstin kulturor e shoqëror në të cilin jetojmë, mund të jetë më i fortë rreziku i reduktimit të shpresës së krishterë në ideologji, në parrulla grupesh, në veshje të jashtme. Asgjë më shumë se kjo nuk është në kundërshtim me mesazhin e Jezusit!” Shpresa nuk është pjesë që luhet në teatër; vetë të krishterët janë shpresë. Secili prej nesh është një burim i vogël shprese për të afërmin e të gjithë sëbashku mund të bëhemi një oaz shprese për krejt shoqërinë, u tha Benedikti XVI të rinjve. Kushti për këtë është një i vetëm: të jetojmë me Krishtin e në Krishtin. Kjo arrihet përmes lutjes e Sakramenteve: “Nëse fjalët e Krishtit mbeten në ju, mund ta përhapim flakën e asaj dashurie që Ai ndezi mbi tokë; mund ta mbajmë lart pishtarin e fesë e të shpresës, me të cilin ecim drejt Tij, ndërsa presim kthimin e Tij të lavdishëm në fundin e të gjitha kohrave. Është pishtari që Papa Gjon Pali II na la trashëgim!”
Për kujtim, në 4-vjetorin e vdekjes së Papës Vojtila, mikut të Shqipërisë e të shqiptarëve/Papa Gjon Pali II dhe ngjarjet më të rëndësishme të Kishës katolike në Shqipëri: një lidhje historike, e pazgjidhshme, që pushton thuajse një gjysëm shekulli.
Duke qenë përherë një nga gjymtyrët më të ligshta të Kishës universale, Papa Gjon Pali II, ashtu si parardhësit e Tij, e ka rrethuar gjithnjë Kishën katolike në Shqipëri me atë kujdes që tregojnë prindërit për fëmijën e vogël. Gjon Pali II ka qenë përherë i gatshëm ta mobilizojë Kishën universale në ndihmë të Shqipërisë e të shqiptarëve, si dhe të ndërmjetësojë vazhdimisht pranë bashkësisë ndërkombëtare për fatet e vendit të shqiponjave e jo më pak, të Kosovës. Po japim një kronikë të shkurtër, që flet vetë për këtë interesim: - 3 shtator 1951: Sekretaria e Shtetit të Qytetit të Vatikanit vendosi që Radioja e papës të flasë edhe në gjuhën shqipe. Udha e saj nisi me: "Udhën e Krygjës", për të ndjekur pastaj hap pas hapi, për 26 vjet me radhë Papën e ardhur nga larg, që u ul në fronin e papnisë më 26 qershor 1967. - Më 5 tetor 1960, gjatë vizitës në Otranto të Italisë, Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës komuniste. Në homelinë e Meshës shenjte, kushtuar martirizimit të të krishterëve në shekuj, Papa sensibilizoi mbarë botën me fjalët: “E kështu sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj: ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë rregulltare e besimtarë të thjeshtë”. - Më 6 maj 1988 një grup shqiptarësh të diasporës së Amerikës shtegtuan drejt Romës për t’u takuar me Gjon Palin II. Ishte takimi i parë i drejtpëdrejtë i Karol Wojtylës me shqiptarët - shumica të ikur nga atdheu për t’i shpëtuar diktaturës.
Shtegtimi fillon më 5 maj, me arritjen e shtegtarëve të largët. Më 6 maj – audienca në sallën Klementine në Vatikan; fjalimi programatik i Papës dhe lutja drejtuar Zojës së Këshillit të Mirë për popullin shqiptar. - 1989: vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri.
-1990 kremtimi Meshëve të para të pas diktaturës. 4 nëntor 1990 – kremtohet Mesha e parë në varrezën e Rrëmajit në Shkodër. 11 nëntor 1990 – kremtohet Mesha solemne në kapelën e varrezave të Rrëmajit. - 17 tetor 1990: Përurohet në Shkodër seminari ndërdioqezan “Zoja e Këshillit të Mirë”. - 2 qershor 1991 – Në solemnitetin e Korpit të Krishtit kremtohet Mesha solemne me procesion e kryesuar nga Imzot Ercole Lupinaçi, anëtar i delegacionit të Selisë së Shenjtë në Shqipëri. - Rivendosen marrëdhëniet diplomatike në rang nunciature apostolike për Selinë e Shenjtë dhe ambasade për Shqipërinë. - 22 prill 1993: Ambasadori i parë Willy Kamsi paraqet letrat kredenciale pak ditë para shtegtimit të Papës Gjon Pali II drejt Shqipërisë; Nunc i parë apostolik emërohet prelati indian, Imzot Ivan Dias. - 25 prill 1993 - Papa Gjon Pali II viziton Shqipërinë, duke u ndaluar në Shkodër dhe Tiranë: gjatë vizitës i dhuron Kishës së martirizuar hjerarkinë e re të pasdiktarurës - katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Illinë, Imzot Rrok Mirditën, Imzot Robert Ashtën dhe Imzot Zef Simonin. - 26 nëntor 1994 - Ati i Shenjtë krijon kardinalin e parë shqiptar, Hirësinë e tij, Mikel Koliqin. - 27 maj 1995 - organizohet shtegtimi i madh i shqiptarëve ne Gjenacan me rastin e 100 vjetorit te shpalljes se Zojës se Këshillit te Mirë, Pajtore të Shqipërisë dhe mbarë popullit shqiptar. - 17 nëntor 1995 – ipeshkvijtë e ish-Jugosllavisë, ndërmjet të cilëve Imzot Nikë Prela, ipeshkëv i dioqezit Shkup-Prizren, takohen me Papën Gjon Pali II në Vatikan: flitet për kontributin e posaçëm që duhet të japin katolikët përmes përvojës së faljes e të pajtimit. - 7 dhjetor 1966 - Shenjtëria e Tij Gjon Pali II riorganizon dioqezat e Kishës katolike në Shqipëri: themelon Dioqezën e Rrëshenit (Mirditë) në vend të abacisë së Oroshit dhe emëron si të parin Ipeshkëv të Rrëshenit dhe administrator apostolik të dioqezës së Lezhës, Atë Angelo Massafrën OFM, asokohe Këshilltar i Provinçës Françeskane Shqiptare dhe Famullitar i Troshanit; ndërsa si administrator apostolik të Shqipërisë së Jugut, emëron Atë Hil Kabashin, OFM, asokohe kapelan i besimtarëve shqiptarë në Gjermani. - Papa Gjon Pali II shuguron ipeshkvij të rinj: Imzot Mark Sopin, ipeshkëv i Kosovës më 6 janar 1996 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Angelo Massafrën, më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; Imzot Hil Kabashin më 6 janar 1997 në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan; 28 mars 1998 - Imzot Angelo Massafra emërohet kryeipeshkëv metropolit i Shkodrës, duke zënë vendin e Monsinjor Illisë, pas vdekjes dhe më 29 qershor 1998 merr nga duart e Papës Gjon Pali II në Vatikan palion e kryeipeshkvit metropolit. Më 10 korrik 1998 Imzot Zef Gashi emërohet kryeipeshkëv i Tivarit; shugurohet më 19 shtator 1998, në bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. - Maj 1998 – Kardinali Jozef Tomko, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, viziton Shqipërinë, takohet me përfaqësuesit më të lartë të Kishës në vend, vlerëson rolin e Kishës në procesin e zhvillimit të vendit dhe bekon Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë të saporindërtuar. - Maj 1999: Ambasadorët e vegjël të Paqes, mbledhës të gëzhojave vrasëse të revoltës së 1997-s, për të bërë me to Këmbanën e Paqes, priten në audiencë nga Papa Gjon Pali II. - 25 janar 2001: Papa zhvendos Selinë kryeipeshkvnore nga Kisha e Shën Luçisë në Durrës në katedralen e Shën Palit të Tiranës. - 2 deri më 4 shkurt 2001 - vizita "ad Limina" e ipeshkvijve të Shqipërisë më 12 deri më 17 shkurt 2001 - e ipeshkvijve të Kosovës në Vatikan: takimi me Papën Gjon Pali II. - 8-12 nëntor 2002: kardinali Crescenzio Sepe, Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve viziton Shqipërinë: më 9 nëntor takohet me Konferencën Ipeshkvnore të Shqipërisë; më 10 nëntor kryeson Meshën në katedralen e Shkodrës, ku hap procesin dioqezan për beatifikimin e 40-martirëve, shumica viktima të diktaturës dhe viziton dioqezin e Sapës; më 11 nëntor kremton në Bajzë e në Lezhë. - 23 prill 2003: i dërguari i posaçëm i Shenjtërisë së Tij, Papës Gjon Pali II, kardinali Ivan Dias, kryeipeshkëv i Bombeit, merr pjesë, në emër të Shenjtërisë së Tij, në kremtimet që organizoi Kisha katolike me rastin e përkujtimit të 10-vjetorit të vizitës së Papës Gjon Pali II në Shqipëri dhe i sjell kishës katolike e mbarë popullit shqiptar, mesazhin e Atit të Shenjtë. Këto kremtime shënojnë kulmin e Vitit 1993 shpallur nga ipeshkvijtë shqipfolës Vit Jubilar, me rastin e 300-vjetorit të Kuvendit të Arbënit, që na kujton lidhjet shekullore të pakëputura të popullit shqiptar me papët e Romës. - Romë, 19 tetor 2003 – Nënë Tereza shpallet e Lume.
- 14 nëntor 2004 – Papa Gjon Pali II u krijon mërgimtarëve shqiptarë në Itali mundësinë të mblidhen në një kishë për të përmbushur nevojat e tyre shpirtërore në gjuhë shqipe: përurohet për besimtarët shqipfolës, Kisha e Shën Gjonit të mullagave në lagjen romake Trastevere. - 11 janar 2005: Papa Gjon Pali II i drejton përshëndetjen pjesëmarrësve në Sinodin Ndërheparkial të Heparkive të Arbëreshëve të Italisë: asaj të Lungros në Kalabri, të Horës së Arbëreshëve në Sicili dhe murgjërve të Abacisë së Grottaferratës, ku u zhvillua Sinodi ndërherparkiak, i cili nisi më 15 tetor 2004, për të përfunduar pas tre muajsh, më 14 janar 2005. - 25 janar 2005 – Gjon Pali II miraton riorganizimin e dioqezave të Kishës katolike në Shqipëri, si vijon: - ngre në rangun e Selisë metropolite, Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, duke e ndryshuar kështu emërtimin aktual Kryedioqeza e Durrës-Tiranës e duke i caktuar si sufragane Dioqezën e Rrëshenit dhe Administraturën Apostolike të Shqipërisë së Jugut; - i bashkëngjet Dioqezën e Pultit, Kryedioqezës Metropolite të Shkodrës, që emërtohet Kryedioqeza e Shkodër-Pultit, duke lënë si sufragane të të njëjtës Kryedioqezë, dioqezën e Lezhës e të Sapës.- 18 mars 2005 – Imzot Mirditës i dorëzohet bula papnore për kthimin e kryedioqezës së Tiranë-Durrësit në seli metropolite.