E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjeopolitikisht Shqipëria është futur në NATO që në 22 mars 1992

Më 1 prill, bashkë me dërgimin e protokolleve të anëtarësimit në Washington D.C. përfundoi edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Dje, u shënua zyrtarisht një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë, u bë e sigurtë përkatësia e re gjeopolitike e saj dhe e të gjithë shqiptarëve të rajonit të Ballkanit. Që prej kësaj dite të mbarë për të cilën, simbolikisht, shqiptarët kanë ëndërruar e janë përpjekur në forma të ndryshme gjatë gjithë historisë së tyre, do të jenë më në fund të garantuar e të sigurtë edhe themelet e demokracisë së re shqiptare. Nesër, në Mbledhjen e Nivelit të lartë të NATO-s, në Strasbourg e Kehl, Shqipëria merr pjesët si anëtare me të drejta të plota e një Aleance të fuqishme politike e ushtarake që mbron me sukses për 60 vjet vlerat e qytetërimit të familjes së vendeve demokratikë perëndimorë. Gjëja më themelore që nuk duhet t’a harrojmë kurrë e këtij anëtarësimi në NATO është fakti se Shqipëria u pranua nga të gjithë vendet e familjes Eurotlantike se e meriton të jetë pjesë e vlerave të saj dhe të jetë e mbrojtur në mënyrë të përbashkët.     
Me Shqipërinë anëtare të NATO-s, bëhet më i sigurtë për herë të parë në të gjithë historinë e tij edhe rajoni ynë i Ballkanit, pikërisht sepse shqiptarët më në fund u shndërruan nga një komb që lufton për mbijetesë në aktor politik të rëndësishëm ndërkombëtar rajonal.
Me Shqipërinë në NATO, përshpejtohet përparimi i Shqipërisë në një rrugë që bëhet edhe më të shkurtër drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Elita politike e Shqipërisë, prandaj, nuk ka arësye thelbësore për t’u grindur brenda vetvetes rreth çështjeve të tilla, siç po ndodh ditët e fundit, nëse duhet bërë kërkesa tani apo më vonë kërkesa për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Është rasti që të gjitha forcat politike shqiptare të mendojnë në mënyrë konsensuale, ashtu siç kanë bërë me sukses edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe të mbështetin paraqitjen sa më shpejt të kërkesës për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nëse janë dëgjuar edhe zëra autoritarë prej Bashkimit Europian për mosngutje në lidhje me këtë kërkesë, kjo ndodh vetëm sepse jehona e sherreve dhe grindjeve publike që vijnë nga opozita përplaset deri në zyrat e tyre dhe ata, natyrisht, nëse shohin mungesë konsensusi për kërkesën përpiqen të ndihmojnë që ai të gjendet në një kohë tjetër, por pa qenë në thelb kundër bërjes së kësaj kërkesë për anëtarësim në BE tani.              
Si dita e parë pas këtij akti historic, si deputet i një vendi anëtar të NATO-s, do të doja t’ju shpreh mirënjohjen e t’ju përshëndes, në emër të Bashkimit Liberal Demokrat, por edhe si President i Këshillit Atlantik të Shqipërisë, të gjithë shqiptarët për mbështetjen e përherëshme e të plotë të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. 
Natyrisht, në përfundimin me sukses të këtij procesi me rëndësi strategjike për Shqipërinë e rajonin tonë ka meritë të padiskutueshme edhe Qeveria Berisha e cila përshpejtoi përafrimn e Shqipërisë me standardet politike e demokratike të NATO-s. 
Mirënjohje të veçantë meritojnë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë të cilat, me sakrifica të shumta, janë shndërruar në pjesë e repsektuar e NATO-s kudo që kanë dhënë ndihmën e tyre për sigurinë Euroatlantike ose ndërkombëtare.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen time më të lartë, gjithashtu, për të gjithë vendet anëtarë të NATO-s dhe në mënyrë të veçantë Shtetet e Bashkuar të Amerikës për ndihmën e pamatë e të përherëshme që i dhanë vendit tim për anëtarësimin në NATO.
Sot ndjej detyrim, së pari ndaj vetes, t’u them edhe atyre që ditën bërtasin për merita politike konsensuale për anëtarësimin në NATO, kurse natën bëjnë analistin politik ose realistin e shtirur duke thëne se Shqipëria u fut në NATO vetëm për arësye gjeopolitike apo se donin Shtetet e Bashkuar të Amerikës, se gjeopolitikisht Shqipëria është futur në NATO që në 22 mars 1992, kur forcat demokratike fituan zgjedhjet në Shqipëria, por që prej asaj kohe është punuar për të plotësuar me sukses edhe standardet e kërkuar nga kjo Aleancë, është punuar për t’a merituar anëtarësimin në NATO. Të nënvleftësosh meritat e anëtarësimit që i përkasin Shqipërisë është njëlloj sikur të përçmosh punën e të gjithë atyre, shqiptarë ose të huaj, që punuan dhe dhanë mbështetjen e tyre për këtë anëtarësim.  
Mendoj se na përket të mos harrojmë se Shqipëria e ka meritur anëtarësimin në NATO edhe si një vend që, në shekuj, ka bërë qenë paqësor e ka bërë luftë vetëm kur ka qenë i detyruar, në mbrojtje të lirisë e vlerave të qytetërimit, dhe, në njëzet vjetët e fundit, ka qenë shembull i politikës së paqes e dialogut në rajon, vlera këto që hyjnë ndër stadardet e anëtarësimit në NATO.
Duke përfunduar fjalën time, do të doja të theksoj se anëtarësimi në NATO do të thotë më shumë përgjegjësi për t’a bërë Shqipërinë një vend anëtar sa më të respektuar dhe, pse jo të shquar, të kësaj Aleance.
Në fund, do të doja t’i propozoj këtij Kuvendi shpalljen e njerës prej ditëve të para të prillit si ditë zyrtare e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, ose si ditë e NATO-s.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›