E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Françesku: Dashuria e krishterë ose është e përvuajtur, ose nuk është dashuri e krishterë

09-04-2013 / Gazeta 55

Për të krishterin, të përparosh, do të thotë të ecësh kokulur në udhën e përvujtërisë, për të lartuar, kështu, dashurinë e Zotit. Ky mendim, që Papa e quajti ‘rregull i artë’, përshkoi gjithë homelinë, mbajtur gjatë Meshës, kremtuar sot paradite në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës. Në liturgji morën pjesë, ndërmjet të tjerëve, disa Rregulltare të Dashurisë së Krishterë, kolegët e Programit brazilian të Radio Vatikanit si dhe Arturo Mar, prej shumë vitesh, fotograf i Papëve.
Një rrugë që lartohet, sa më shumë ulet. Është rruga e përvuajtërisë së krishterë. Sa më i përvuajtur të jesh, për t’i hapur rrugën dashurisë hyjnore, aq më shumë lartohesh kah Zoti, tha Papa, që u frymëzua për këtë reflektim nga Festa e sotme liturgjike e Lajmërimit të Zojës. Udha, që Maria e Jozefi përshkojnë deri në Betlehem, për të respektuar urdhërin perandorak të regjistrimit është, tha Papa, udhë e përvujtërisë. Është e përvuajtur Maria, që nuk kupton mirë, por e lëshon plotësisht shpirtin në dorë të Zotit. I përvuajtur, edhe Jozefi, që përulet, për të marrë mbi vete përgjegjësinë tejet të madhe të Vashës virgjër, në pritje të foshnjës. Kështu, vërejti Papa Françesku, dashuria e Zotit, për të arritur tek ne, merr rrugën e përvujtërisë. Është kjo udha, që zgjodhi për t’u shprehur njerëzve dashurinë e tij, krejt në kundërshtim me idhujt e fortë, që bërtasin me sa zë që kanë: “Jam unë këtu!”, “Këtu urdhëroj unë!”. Ndërsa, kujtoi Ati i Shenjtë, Zoti ynë, që nuk është zot i rrejshëm, zot prej druri, bërë nga njeriu, dëshiron të ecë kështu, në udhën e përvujtërisë. Në atë udhë, ku shkeli vetë Jezusi, udhë, gjatë së cilës e uli veten deri në kryq. Për të krishterin, vijoi Papa, ky është ‘rregull i artë’, të përparojë, të ecë para, përvuajtërisht. Nuk mund të ecet në asnjë udhë tjetër. Nëse unë nuk jam i përvuajtur, ngulmoi, në se ti nuk je i përvuajtur, nuk je i krishterë! Gjithsesi, të jesh i përvuajtur nuk do të thotë aspak të ecësh udhës me sy përdhe. Nuk ishte kjo, shpjegoi, përvujtëria e Jezusit, as e Nënës së Tij, as e Jozefit. Të marrësh rrugën e përvuajtërisë, pohoi Papa, do të thotë të ecësh pikërisht në atë udhë, ku ecën vetë Zoti, në atë, që zgjodhi vetë Jezusi. Këtë zgjodhi e jo tjetër. Edhe fitorja e Ngjalljes, në këtë udhë përshkohet: fitorja e të krishterit merr udhën e përvuajtjes, për t’u lartuar. T’i lypim Zotit, tha në përfundim Papa, hirin e përvuajtërisë, udhë nëpër të cilën kalon, pa asnjë dyshim, dashuria e krishterë, sepse pa përvuajtërinë, dashuria bllokohet, nuk mund të ecë përpara.
Heparkia e Horës së Arbëreshëve ka një Administrator të ri Apostolik/Ati i Shenjtë pranoi sot tërheqjen e imzot Sotir Ferrarës nga drejtimi baritor i Heparkisë së Horës së Arbëreshëve në Sicili, për arsye moshe, sipas normave të Kodit Kanonik, dhe emëroi kryeipeshkvin metropolit të Palermos, kardinalin Paolo Romeo, si Administrator Apostolik “sede vacante et ad nutum Sanctae Sedis” në atë Eparki, në pritje të ipeshkvit të ri. Ipeshkëv i ritit bizantin, imzot Sotir Ferrara lindi më 5 dhjetor 1937, po në Horën e Arbëreshëve. Pas studimeve, u shugurua meshtar më 19 nëntor 1961. Qe Papa Gjon Pali II, që më 15 tetor 1988 e caktoi në krye të Heparkisë së Horës së Arbëreshëve, e cila varet drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë. U shugurua ipeshkëv më 15 janar 1989 në duart e imzot Miroslav Stefan Marusyn në katedralen e Shën Mitrit të Madhit Dëshmor. Ndër bashkëkremtuesit e asaj meshe, imzot Erkole Lupinaçi, edhe ai arbëresh, asokohe hepark i Ungrës. Imzot Sotir Ferrara ka qenë anëtar i Komisionit për Ekumenizmin dhe Dialogun Ndërfetar, në Konferencën Ipeshkvnore Italiane.
Ati i Shenjtë takohet me kryetarin e Kishës Ungjillore Gjermane: “Rruga e ekumenizmit, gjithnjë më e sigurtë”/Dje paradite, Papa Françesku priti në audiencë kryetarin e Kishës Ungjillore në Gjermani, Nikolaus Shnajder me bashkëshorten dhe delegacionin shoqërues. Për këtë takim të rëndësishëm, me karakter ekumenik, flet drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi: “Takimi ishte vërtet i përzemërt. “Präses” Shnajder e përgëzoi Atin e Shenjtë për fillimin entuziazmues të papnisë dhe shprehu vlerësimin e tij për zgjedhjen e emrit “Françesk”, sepse është emri i një shenjti, që u flet vërtet të gjithë të krishterëve, në një mënyrë jashtëzakonisht të frytshme. “Präses” (apo presidenti) foli edhe për përmbytjet e vuajtjet, nëpër të cilat po kalon kohët e fundit Argjentina, duke i shprehur Atit të Shenjtë keqardhjen për problemet e popullit të tij. Më pas, biseda vazhdoi me tema ekumenike. U fol veçanërisht për vlerën e ekumenizmit të martirëve, të cilit Papa i jep rëndësi të madhe, pasi njeh thellë vuajtjet e shumë njerëzve, edhe të Kishës Ungjillore, gjatë kohës së nacionalsocializmit e në rrethana të tjera. Gjaku i derdhur nga martirët i bashkon fuqishëm konfesionet e ndryshme të krishtera në dëshminë e përbashkët për Krishtin. “Präses” kujtoi se po afron përvjetori i Reformës, më 2017, çast jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kishën Ungjillore në Gjermani dhe Papa shfrytëzoi rastin për t’i përmendur fjalimet e mbajtura nga Benedikti XVI në Erfurt, në vendin ku jetoi e punoi Luteri: fjalime shumë domethënëse përsa i përket ekumenizmit dhe marrëdhënieve të Kishës Katolike me traditën e Reformës dhe figurën e Luterit, në veçanti. Pra, takimi qe jashtëzakonisht i frytshëm dhe i rëndësishëm për ekumenizmin, i cili çohet përpara me vendosmëri edhe gjatë kësaj papnie”.

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›