Ministri e Jashtëm Aldo Bumçi zhvilloi takim me Ambasadorin e Katarit, Jousef Al Saai

Projekte të përbashkëta me Shqipërinë në fusha me interes reciprok
Ministri i Punëve të Jashtme, Aldo Bumçi zhvilloi një takim me Ambasadorin e Shtetit të Katarit në Tiranë, Jousef Al Saai. Ambasadori Al Saai i dorëzoi Ministrit Bumçi mesazhin e urimit që, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Sheiku Hamad bin Jassim bin Jaber Al Thani i ka dërguar Ministrit shqiptar me rastin e marrjes së detyrës. Ministri Bumçi e falënderoi Ambasadorin Al Saai për mesazhin e urimit dhe në emër të Qeverisë shqiptare përsëriti ftesën drejtuar Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Katarit, Sheikut Hamad bin Jassim bin Jaber Al Thani, për të vizituar Tiranën në të ardhmen e afërt. Ai shprehu mirënjohjen për angazhimin e Qeverisë së Katarit në zbatimin e projekteve infrastrukturore të kryeqytetit. Gjatë bisedës, Ministri Bumçi rikonfirmoi gatishmërinë e Qeverisë shqiptare për të vazhduar më tej thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Nga ana e vet, Ambasadori Al Saai vlerësoi dinamikën e zhvillimit të marrëdhënieve politike dhe ekonomike ndërmjet Shqipërisë dhe Katarit, si dhe konfirmoi se, Qeveria e Katarit ndjek një agjendë të mirëpërcaktuar për sa i përket zhvillimit të projekteve të përbashkëta me Shqipërinë në fusha me interes reciprok.