Papa Françesku: “Ditët Botërore të Rinisë nuk janë fishekzjarre, por etapa të një udhe për përballimin e kotësive të përditshme”
Ditët Botërore të Rinisë nuk janë fishekzjarrë” - kështu u shpreh Papa dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, pas kthimit, të dielën e kaluar, nga Rio-de-Zhanéjro, duke nënvizuar kuptimin e udhës së të rinjve, që vijon prej kohe, përmes kontinenteve, me Kryqin e Krishtit, për të fituar mbi kotësinë e së përditshmes. Dhuratë e madhe për Brazilin, për Amerikën Latine e për mbarë botën. Papa Françesku u kërkoi të gjithëve ta falënderojnë Zotin për DBR-së, kremtuar në Rio: “Nuk duhet harruar kurrë se DBR-së nuk janë ‘fishekzjarrë’, çaste entuziazmi e qëllime në vetvete”. Janë etapa të një udhe të gjatë, nisur më 1985 nga Gjon Pali II e vijuar nga Benedikti XVI. E edhe unë, shtoi Papa, munda ta jetoj këtë etapë të mrekullueshme në Brazil. Por, sqaroi: “Ta kujtojmë gjithnjë: të rinjtë nuk ndjekin Papën, ndjekin Jezu Krishtin, duke mbartur kryqin e Tij”.
Papa u prin dhe i shoqëron të rinjtë në këtë udhë feje e shprese. Pastaj, një falënderim i ngrohtë për të rinjtë, që morën pjesë, edhe me flijime të mëdha, e mbarë popullin e Brazilit, popull bujar, me zemër të madhe:
Pastaj, një ndjet lutjeje, që këta të rinj, të cilët i takoi në Rio, ta kthejnë përvojën e takimit të madh, në sjellje të përditshme, në zgjedhjen e rrugëve të jetës, duke iu përgjigjur thirrjes personale të Zotit e duke refuzuar absurditetin për ta ngritur lumturinë mbi pasjen, siç kujton edhe Ungjilli e së dielës: “Të rinjtë e ndjejnë fort atmosferën e zbraztësisë së jetës, mungesën e vlerave, që i rrethon shpesh. E, për fat të keq, me shumë pasoja”.
Përkundrazi, takimi me Jezusin e gjallë, në familjen e Tij të madhe, që është Kisha, ta mbush zemrën me gëzim, me jetë të vërtetë, me mirësi të thellë. E këto vlera nuk kalojnë, as nuk kalben: “E pamë këtë në fytyrat e të rinjve në Rio. Por kjo përvojë duhet të përballojë kotësinë e përditshme, helmin e zbraztësisë, që depërton në shoqëritë tona të bazuara mbi fitimin e pasjen, të cilat i joshin të rinjtë me konsumizmin”.
Pas lutjes mariane, përshëndetjet drejtuar të pranishmëve të shumtë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, pa marrë parasysh vapën e jashtëzakonshme të gushtit: “Ju falënderoj të gjithëve! Ka shumë të rinj në Shesh! Po më duket si Rio-de Zhanéjro”.
E akoma, një përshëndetje e veçantë: “Përshëndetje Nënës sonë, Shpëtimi i Popujve Romakë. Të gjithë së bashku, një përshëndetje Nënës”. Më pas një kujtim tjetër i veçantë, për të gjithë famullitarët e meshtarët e botës, në festën liturgjike të pajtorit të tyre, Shën Gjon Maria Vianej.
Papa Françesku emëron imzot Pozzo sekretar të Komisionit “Ecclesia Dei” e mons. Krajewski Elemozinier/Papa Françesku ka emëruar dje sekretar të ri të Komisionit Papnor “Ecclesia Dei” imzot Guido Pozzo, kryeipeshkëve titullar i Bagnoreggio, 61 vjeç, deri më tani Elemozinier i Shenjtërisë së Tij. Komisioni Papnor “Ecclesia Dei” është themeluar nga Gjon Pali II më 1988 me detyrë për të lehtësuar bashkimin e plotë kishtar të atyre që janë të lidhur me Vëllazërinë kishtare të themeluar nga imzot Marcel Lefébvre e dëshirojnë të bashkohen me Pasardhësin e Pjetrit në Kishën Katolike. Gjithnjë dje, si Elimozinier të ri, Papa Bergoglio ka emëruar mons. Konrad Krajewskin, polak, 49 vjeç, deri më tani ceremonier papnor e zyrtar i Zyrës së Kremtimeve Liturgjike të Papës. Elemozineria Papnore, ekziston de facto ka ekzistuar gjithmonë, megjithëse në shekullin XIII është sistemuar nga Gregori X: për të ndihmuar ata që kanë nevojë në emër të Papës së Shenjtë, me gjeste të vogla të përditshme, në heshtje e urti. Është fjala për kërkesa të ndryshme për ndihmë njerëzve të varfër e nevojtarë. Një bamirësia e përditshme të cilën Papa e mbështet personalisht për të afruar Kishën tek njerëzit e veçantë në realitetin e mjerueshëm të jetës së përditshme.
Papa Leoni XIII, në fund të vitit 1800, duke synuar favorizimin e mbledhjes së fondeve për vepra bamirësie besuar Elemozinerisë, delegoi Elemozinierit të drejtat për të dhënë Bekimin Apostolik përmes diplomave në letër pergamene. Një Bekim Apostolik – kujton organizmi – që është krejtësisht falas e nuk ka shpenzime tjera, përveç pullave postare e materialit përgatitor. Të gjitha të ardhurat që bashkon Elemozineria Apostolike si kontribut për dhëniet e diplomave të Bekimit Apostolik janë krejtësisht të caktuara për bamirësi e ndihmën e të varfërve.