Cilësia e shkollave shqiptare në Maqedoni, gjithmonë në rënie
Gjashtë vite prej se në Maqedoni ka nisur të zbatohet matura shtetërore, shkollat me mësim në gjuhën shqipe shënojnë vetëm regres. Të paktën prej vitit 2008, kur filloi të matet cilësia e shkollave në bazë të notave mesatare të fituara nga testim i nxënësve për lëndët e maturës shtetërore, shkollat me mësim në gjuhën shqipe e gjejnë veten të radhitura çdo vit e më keq në ranglistat përkatëse. Kështu, për shembull, gjimnazi "Zef Lush Marku" që vitin e kaluar gjendej në pozitën e 36-të, këtë vit është katandisur 14 vende më poshtë. Gjimnazi që dikur ishte krenaria e shqiptarëve të Shkupit, gjendet sot në vendin e 50-të të ranglistës të shkollave sipas rezultateve të maturës 2013. Për 5-shen, 10- shen apo 15-shen e vendeve të para, shqiptarët nuk mund të bëjnë fjalë. E vetmja shkollë në këtë ranglistë, e cila gjendet në 20 pozitat e para, është shkolla e mesme "Ibahim Temo" e Strugës. Gjithë shkollat e tjera ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe fillojnë të radhiten nga vendi i 26 e më poshtë. Bëhet fjalë për shkolla, të cilat gravitojnë në mjedise urbane dhe qytete të mëdha, por që "Matura Shtetërore 2013" rikonfirmon se për nga cilësia e mësimit, respektivisht për nga suksesi, qëndrojnë shumë larg edhe shkollave provinciale maqedonase. Në top 20-shin e parë të shkollave me sukses më të mirë përveç atyre të Shkupit, Manastirit, Prilepit, Strumicës apo Ohrit, gjenden deri edhe shkolla nga Gjevgjelia, Kavadari, Bogdanci, Berova apo Resnja. E thënë shkurt, shqiptarët mund të mburren vetëm me vendet e fundit në ranglistë. Cilësia e mësimit, sikurse tregojnë rezultatet e maturës së këtij viti, lë shumë për të dëshiruar edhe në rastet kur kanë në dorë të tregojnë më të mirën nga vetja e tyre. Për maturën shtetërore, nxënësit përveç provimit të gjuhës amtare, testohen edhe në një lëndë tjetër të cilën e zgjedhin vetë. Kjo e dyta mund të jetë matematika, gjuhët e huaja, etika apo filozofia. Pra, testohen në lëndën ku ata janë më të përgatitur sa i takon provimit të dytë, sepse me provimin e parë nga lënda e gjuhës amtare, nuk bëhet kompromis dhe kjo vlen për të gjithë. Mirëpo, pavarësisht kësaj, rezultatet janë skandaloze. Shkolla e parë e ranguar më mirë, pra SHM "Ibrahim Temo" gjendet në vendin e 19-të, ndërsa ajo që vjet ishte më mirë SHM "Kiril Pejçinoviç" e Tetovës, ka zbritur nga vendi i 20 në 26. As "Ibrahim Temo" dhe as "Kiril Pejçinoviq" nuk mund të mburren me pozitat e "më të mirëve" brenda llojit të vet, pasi notat mesatare të tyre fillojnë me tresha. Xheladin Muça, ushtrues i detyrës së drejtorit në "Ibrahim Temo", thotë se nuk e dinë saktësisht cila është nota mesatare e tyre. "Duhet të jetë rreth notës 4, pra diçka më e lartë se 3.5", shprehet ai, ndërsa pohon se problemi i suksesit është shumë kompleks. "Janë një shumë faktorë social, etnografik, teknologjik dhe kushtet e punës që ndikojnë në rezultate e mësimit", pohon Muça. Mirëpo, ai është edhe vetëkritik. Fakti që asnjë shkollë ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe nuk është në pozita të larta të ranglistës, plotëson ai, është tregues jo i mirë. "Kjo tregon se tek nxënësit, në masë të madhe mungon interesimi për shkollën ashtu sikurse mund të thuhet se edhe tek profesorët në përgjithësi mungon përkushtimi për punë", shprehet drejtori. Vendin e fundit në ranglistë e mban Shkolla e Mesme Teknike "8 Shtatori" në Shkup, ku pjesa dërmuese e nxënësve janë shqiptarë Shkolla e mesme bujqësore "Kiro Burnaz" e Kumanovës, që ishte vitin e kaluar në atë vend, ka bërë një përparim prej 5 pozitave më lartë. Megjithatë, mbetet në top 10-shen e fundit. Element tjetër dëshpërues për mungesën e suksesit të maturantët shqiptarë është edhe fakti se ata qëndrojnë shumë larg shkollave maqedonase, me të cilat deri vonë ishin një subjekt i përbashkët. Kështu, nëse gjimnazi maqedonas "Goce Dellçev" i Kumanovës është radhitur i nënti në listë, apo gjimnazi "Mirko Milevski" i Kërçovës i teti, gjimnazet tanimë të ndara prej tyre "Sami Frashëri" në Kumanovë dhe "Drita" në Kërçovë gjenden në venin e 37-të, respektivisht në vendin e 47-të. Në fakt, të dyja këto gjimnaze kanë shënuar një përparim nëse krahasohen pozitat që kishin vitin e kaluar dhe pozitat që kanë zënë sivjet. Mirëpo, kjo nuk mjafton për tu krahasuar me shkollat në gjuhën maqedonase, të cilat kryesojnë listën nga vendi i parë deri në të nëntëmbëdhjetin.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”