Struktura e re drejtuese e PD, po bëhen hapat e parë të përgatitjes
Strukturat drejtuese të Partisë Demokratike do të angazhohen në një proces sipas parashikimeve statutore, që do të nisë në muajin shtator në të gjithë degët e Partisë Demokratike. Një proces analize dhe përgatitjet me zgjedhjen e forumeve të degëve dhe që do të çojë në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe zgjedhjen e Këshillit Kombëtar dhe Kryesisë së re, në kohën e parashikuar në statut. Dhe për këtë po bëhen hapat e parë të përgatitjes. Krerët e degëve të PD-së në mbarë vendin bashkohen njëzëri se duhet bërë një analizë e hollësishme e humbjes së thellë të 23 qershorit. Kryetari i ri i Partisëe Demokratike, Lulzim Basha do të fillojë bashkë me 12 drejtuesit e PD në 12 qarqet e vendit një analize të detajuar, ku do të bëhet diagnoza e humbjes dhe terapia e saj. Padyshim përgjegjësia kryesore e humbjes nuk duhet të bjerë mbi liderin Sali Berisha, por mbi vetë drejtuesit lokalë. Drejtuesit e PD në qarqe janë Ibsen Elezi në qarkun Kukës, Ardian Kollozi në qarkun Vlorë, Arenc Berati në qarkun Berat, Igli Cara në qarkun Durrës, Astrit Bushati në qarkun Shkodër, Luçiano Boçi në qarkun Elbasan, Aldo Bumçi në qarkun Tiranë, Bedri Hoxha në qarkun Dibër, Gjergji Papa në qarkun Korçë, Ferdinant Murati në degën e PD të Fierit, Pashk Noçi në qarkun Lezhë, të cilët do të përgatisin raportin e detajuar të daljes së rezultatit të 23 qershorit. Ky raport do të krahasohet me një tjetër raport që kanë bërë kryetarët e grupeve të punëve në fund të rezultatit në qarqet e ndryshme të vendit. Padyshim në këtë analizë do të analizohet edhe puna e kryetarëve të degëve të PD në qytetet e tjera që kanë përgjegjësi për humbjen e kontakteve me bazën dhe një vizion dritëshkurtër të menaxhimit të burimeve njerëzore në degët kryesore të vendit. Sidoqoftë një ditë më parë ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj vuri në dukje se, disfata e thellë e PD në 23 qershor nuk ishte pasojë e performancës së qeverisë por mosfunksionimit të strukturave të kësaj partie. Sipas tij përqendrimi i pushtetit në duart e pak personave, të cilët treguan papërgjegjshmëri në kapjen e ndjesive të elektoratit demokrat çoi në një dezertim të këtyre të fundit, të cilët u dyndën kryesisht drejt aleatit bashkëqeverisjes, LSI. “Është e vërtetë që tani është koha për të bërë një analizë të ftohtë. Analizat tashmë mund të bëhen për të parë shkaqet dhe dimensionet. Ajo që ndodhi në 23 qershor ka qenë jo pasojë e performancës së qeverisë por e një mosfunksionimi e strukturave të PD, patëm zhvendosje të elektoratit, dezertim të mbështetësve të PD. Po ta kapësh tek performanca e qeverisë, ka qenë mëse e kënaqshme marrë parasysh të gjitha pengesat, edhe ato financiare. Faji duhet gjetur tek organizimi I brendshëm I PD. Mënyra si u organizuar jo vetëm atë partiak por dhe qeveritar u organizuar në decentralizimin apo përqendrimin në pak duar. Dihet mirë se ku ka qenë pika e gravitacionit, tek ajo pjesë që kishte pushtetin dhe papërgjegjshmëria për të kapur ndjesitë e elektoratit të djathtë” theksoi ai.