Zhvillimi si liri
Rastet e ikjes ilegale të shumë shqiptarëve nga Kosova për në shtetet e Bashkimit Evropian, me synimin për të kërkuar azil, duket se ka alarmuar autoritetet kosovare, por më shumë autoritetet e këtyre shteteve ku po mësyjnë “kosovarët azilkërkues”. Gjendja u paraqit kataklizmike pothuajse nga të gjithë, duke përfshirë edhe partitë politike, të cilat, duhet thënë, janë përgjegjësit kryesorë për këtë “situatë të pashpresë” në Kosovë, nga e cila duan të ikin një numër gjithnjë e më i madh njerëzish. Ndër të tjera, “shoqëria civile”, pra ata që tashmë thirren në emër të saj, u duk më e “prekura” dhe më “vajtuesja” e disa “pamjeve të mjerimit” që u transmetuan në televizion dhe në rrjete sociale, ku këta kosovarë të ikur ndodheshin në kushte të rënda johumane. Por, a ka reflektuar shoqëria jonë, përfaqësuesit e saj politikë e sidomos ata civilë, pra këta të shoqërisë civile, se pse çlirimi nuk është gjithherë i barabartë me Lirinë dhe se koncepti bashkëkohorë i lirisë është gjithnjë e më shumë i lidhur me zhvillimin?
Që nga paslufta, kur skena politike në Kosovë u bë realisht plurale, për faktin se asaj i shtoheshin edhe parti të reja politike që dilnin nga ish estabilishmentet e rezistencës së armatosur, të gjitha partitë politike çështjen e zhvillimit të gjithanshëm të Kosovës, pra edhe atij ekonomik, e lidhnin me zgjidhjen e statusin final të saj, përkatësisht me pranimin ose njohjen e pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht se të gjitha këto parti kishin pak a shumë koncept liberal mbi sistemin ekonomik, pra që Kosova duhet të krijojë kushtet për funksionimin e ekonomisë së lirë të tregut, praktikisht deri më sot, edhe kur statusi i saj politik është zgjidhur, edhe kur mbikëqyrja e pavarësisë ka përfunduar, Kosova nuk ka arritur të themelojë Tregun e vet të lirë, duke e bërë kështu të pamundshëm edhe themelimin e kapitalit të brendshëm dhe qarkullimin e kapitalit të jashtëm në vend. Në një ekonomi që është totalisht joprodhuese, është e natyrshme që gradualisht kapitali i brendshëm të dalë jashtë, duke përfshirë edhe njerëzit, pra fuqinë punëtore. Prandaj, çështja e ikjes së të rinjve kosovarë, qoftë edhe ilegalisht nga Kosova, pavarësisht që në kontekst nacional është diçka e dhimbshme, faktikisht është një gjë e natyrshme në kontekst socio-ekonomik: njerëzisht do të shkojnë atje ku gjeneron kapitali dhe ku është i mundur zhvillimi.
Në një situatë kur Kosova e ka të pamundur që të gjenerojë kapital të brendshëm, në kuptimin që të ketë kapacitet të brendshëm investues të atillë që siç po thuhet “ të mund të rimëkëmbë ekonominë, e që praktikisht i bie ta “themelojë ekonominë”, atëherë ishte e qartë që investimi i kapitalit të jashtëm mbetej e vetmja mundësi që tregu i Kosovës të gjenerojë punë, kapital, zhvillim dhe mirëqenie. Por deri më sot, të gjitha partitë politike që kanë qenë në pushtet nuk kanë arritur që të krijojë kushtet politike për themelimin e tregut të brendshëm duke e ftuar me kapitalin e jashtëm të investojë në Kosovë. Për gjithë këto vite, qeveritë e Kosovës nuk kanë arritur që të krijojnë besimin e mjaftueshëm që të huajt të investojnë në Kosovë. Pavarësisht që formalisht Kosova ka politika të atilla fiskale që mbështet ndërmarrësinë private ekonomike, kjo nuk është e mjaftueshme që tregu të themelohet, sepse themelimi i tij kërkon krijimin e besimit që kapitalisti investues do ta nxjerrë investimin e tij. E ky stabilitet nuk krijohet vetëm me politika formale fiskale, por edhe me kulturën e qeverisjes. Në treg nuk influencohet vetëm me politika fiskale e veprime zyrtare qeveritare, por ndikohet edhe në mënyrë informale, pra më korrupsion dhe ryshfete. Ndërkaq, dihet mirëfilli që çdo investuesi në Kosovë në çdo proces tenderimi, investimi a privatizimi i kërkohet ryshfet deri në 20%, duke i bërë praktikisht të paqena efektet pozitive që mund të kenë politikat fiskale inkurajuese për investimin. Ryshfeti ia merr investuesit fitimin e tij për dy- tre vitet e para apo më shumë. Në këto kushte asnjë investues i madh nuk vjen të investojë në Kosovë, në këto kushte prandaj privatizimet i kemi me çmime devalvuese. Përfundimisht, pa themelimin e një vizioni politik liberal-demokratik që beson te kapitali dhe te zhvillimi si instikt dhe liri njerëzore nuk mund të pretendojmë që skenat e ikjes së njerëzve nga Kosova janë diçka imporale dhe që nuk duhet të ndodhin. Madje, edhe ata që sot në Kosovë pretendojnë ndërtimin e “shtetit të mirëqenies sociale”, duhet ta dinë që formula e vetme është themelimi i Tregut dhe Kapitalit në Kosovë, tek e fundit si e vetmja mundësi për të taksuar profitin e për të ndërtuar skema sociale, sepse ndryshe kah do të gjendeshin burimet financiare për “shtetin social”?! E shteti si agjens ekonomik tashmë është dëshmuar si i dështuar, sikurse e vetmja gjë që mund të bëjë ai është të çlirojë hapësirën e investimit, si të drejtë dhe liri të njeriut e të shoqërisë. (tribuna)