Shqiptarët sfidojnë shiun, festojnë Ditën e Verës
Edhe pse kushtet atmosferike ishin të pafavorshme, kjo nuk i pengoi qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë që të festonin Ditën e Verës. Si kryeqyteti i kësaj feste pagane, Elbasani priti dje më shumë se 20 mijë vizitorë, midis tyre edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes dhe njëherësh kryetari i grupit të punës të Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Arben Imami, anëtarë të kabinetit qeveritar si dhe deputetë të qarkut. Edhe pse me reshje të dendura shiu, të cilat u rikthyen në Ditën e Verës, pas 12 vitesh, qyteti kishte pamjen e festës, edhe pse numri i vizitorëve ka qenë pak më i reduktuar se sa vitet e tjera. Aktivitetet në këtë ditë nisën që në orët e para të mëngjesit, ku në rrugët e qytetit edhe pse me shi qytetarët dolën për të festuar, si edhe për të përcjellë urime në këtë ditë. Festa nisi me aktivitetin tradicional, karnavalet dhe krosin e organizuar nga shkollat 9-të vjeçare të qytetit.
Të inkuadruar në kolona rreshtore me pankarta në duar, si “Stop dhunës”, “Mbani pastër mjedisin”, etj, qindra fëmijë kanë qenë pjesë e dekorit të festës tradicionale, me veshjet e tyre, duke hedhur edhe parulla për paqe dhe lumturi. Ndërkohë, aktivitetet vijuan me një koncert të Qendrës Kulturore të Fëmijëve, që vijoi me këngë dhe valle të Ansamblit “Isuf Myzyri”.
Në këtë ditë, në veçanti të ftuarit dhe vizitorët, nuk kanë harruar të shijojnë edhe një nga specialitetet e kësaj dite “Ballokumen”, ku gatimi i kësaj ëmbëlsirë ka një mister për nga mjeshtëria.
Dita e Verës është festë e përtëritjes së natyrës e vazhdimësisë së jetës. Festohet më 14 Mars, pikërisht kur mendohet se ka filluar mbirja e bimësisë tradicionale si karakaftet dhe manushaqet.
Rreth origjinës së festimit të Ditës së Verës nuk ka një “version” të qartë, por si festë pagane, Dita e Verës shpreh adhurimin dhe simpatinë për natyrën dhe veprat e saj mbi tokë. huhet se zakonet dhe ritet zbatoheshin qysh nga kohët më të lashta. Për kete dite ruhej e gjithë zahireja e një moti më parë si, arrat, mollët, palët e fikut, ftonjtë, mjalti apo pekmezi. Ndërkohë, Dita e Verës është festuar gjithashtu edhe në Peqin, Librazhd dhe Gramsh. Edhe këtë vit ndonëse me shi, Elbasani ishte, padyshim, kryeqendra e festës së Ditës së Verës edhe pse “dekori” i saj nuk ka munguar në Tiranë e qytete të tjera shqiptare.
Festimet në Tiranë
Të kushtëzuar nga moti i keq, qytetarët që në orët e para të mëngjesit, kanë vizituar sipas programit të aktiviteteve të bashkisë, në rrugën “Murat Toptani” Panairin e artizanatit dhe luleve. Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh, në mënyrë që qytetarët e Tiranës, pavarësisht moshës së tyre, të mund të festojnë sa me hareshëm Ditën e Verës.
Aktivitetet e shtrira përgjatë rrugës “Murat Toptani”, parkut “Rinia”, përpara Galerisë së Arteve, tek “Vëllezërit Frashëri”, sheshi “Nënë Tereza” dhe Liqeni Artificial, vazhduan deri në mbrëmje, edhe pse në prezencën e reshjeve të shiut. Në rrugën “Murat Toptani” u zhvillua Panairi i artizanatit dhe luleve. Me rastin e festimeve në Ditën e Verës, policia e Tiranës ndërmori një sërë masash për mbarëvajtjen e saj.
Policia ka ndaluar qarkullimin e mjeteve në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" nga ora 07:00 deri në orën 16:00. Policia e Tiranës ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve kulturore-artistike që do të zhvillohen sot në Tiranë.
Ndërkohë, shiu ka penguar organizimin e disa aktiviteteve në Bulevardin “Dëshmorë e Kombit”.