E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papa Françesku: Paqe për mbarë botën

01-04-2013 / Gazeta 55

Ati i Shenjtë kremtoi Meshën e parë të Pashkëve

“Të kthejmë urrejtjen në dashuri, hakmarrjen në falje dhe luftën në paqe”

“Krishti u ngjall”. Në Sheshin e Shën Pjetrit para 250 mijë të pranishmëve, jehoi kumtimi i gëzuar, që ndryshoi historinë. Papa Françesku kremtoi Meshën e parë të Pashkëve. Këngët, kumbimi i kambanave e zbukurimi mahnitës i tremes së Bazilikës, flisnin vetë për gëzimin e kësaj dite. E deri dielli i çau retë, që dyndeshin mbi Katedralen e Popujve nën qiell të hapur e lëshoi rrezet mbi Sheshin, ku lulëzonin njerëz e lule. Prekëse, heshtja e thellë e besimtarëve, në lutje, pas Ungjillit. Rijetohej lutja e heshtur, që ipeshkvi i Romës i pati kërkuar popullit të Zotit mbrëmjen e zgjedhjes së tij në katedrën e Shën Pjetrit. Kanë kaluar më pak se tri javë, nga 13 marsi. Papa Françesku, pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, u duk përsëri në Lozhën Qendrore të Bazilikës së Shën Pjetrit për Bekimin ‘Urbi et Orbi’ dhe mesazhin e Pashkëve. Ati i Shenjtë u foli zemrave të njerëzve. E është pikërisht zemra, caku i vërtetë i lajmit të Ngjalljes së Krishtit:
“... sepse aty dëshiron Zoti ta mbjellë këtë Lajm të Mirë: Jezusi u ngjall; ka shpresë edhe për ty, nuk je më nën zgjedhën e mëkatit, të së keqes! Fitoi dashuria, fitoi mëshira! Mëshira e Zotit fiton gjithmonë!”.
Papa uroi që lajmi i Ngjalljes së Krishtit të hyjë në çdo shtëpi, në çdo familje, posaçërisht atje, ku ka më shumë vuajtje, në spitale, në burgje…
Papa Françesku iu lut Krishtit të ngjallur ta shndërrojë vdekjen në jetë, urrejtjen në dashuri, hakmarrjen në falje, luftën në paqe.
“Paqe për mbarë botën: Paqe për Lindjen e Mesme, posaçërisht ndërmjet izraelitëve e palestinezëve, të cilët mundohen të gjejnë rrugën e harmonisë, që të rifillojnë me guxim e gatishmëri bisedimet për t’i dhënë fund konfliktit të zgjatur tashmë prej shumë kohe”.
Paqe për Irakun, që të pushojë çdo dhunë, e, posaçërisht, për Sirinë e dashur, për popullsinë e saj të plagosur nga konflikti e për të shpërngulurit e shumtë, që presin ndihmë e ngushëllim: Sa gjak u derdh! E sa vuajtje duhen duruar akoma, para se të gjendet rruga, që çon në përfundimin e krizës?. Paqe për Afrikën që vijon të gjakoset nga konfliktet. Papa Françesku kujtoi Malin; e Nigerinë, ku për fat të keq nuk po marrin fund atentatet, që kërcënojnë rëndë jetën e shumë të pafajshmëve e ku jo pak njerëz, edhe fëmijë, mbahen peng nga grupet terroriste. E akoma, paqe për ish-Republikën Demokratike të Kongos e për Republikën Qendroafrikane, ku, tha me dhimbje të thellë, shumë njerëz detyrohen të lënë vatrat e tyre e të jetojnë të pushtuar nga frika. Papa kujtoi, më pas, Azinë, konfliktin në Gadishullin korean e u lut që të kapërcehen mosmarrëveshjet e të fitojë fryma e pajtimit: Paqe në mbarë botën, ende e përçarë nga babëzia e njerëzve, gjithnjë në kërkim të fitimit të lehtë, e plagosur nga egoizmi, kërcënim për jetën njerëzore e familjen, egoizëm që vijon tregtinë e njerëzve, skllavërinë më të përhapur të shekullit të 21-të. Paqe në mbarë botën, që brehet nga dhuna e lidhur me trafikun e drogës e nga shfrytëzimi i padrejtë i burimeve natyrore! Paqe mbi Tokën tonë!”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›